Një burrë është akuzuar për vandalizëm në galerinë e Hunter Bidenit dhe për sulmin e një punonjësi aty. Policia ka bërë të ditur se ai është arrestuar. Rodrick Webber, 47 vjeç, u ndalua rreth orës 15:40 të premten në galerinë e arteve në lagjen “SoHo” të New York City pasi dëmtoi veprat e artit brenda galerisë. Këtë e kanë bërë të ditur përfaqësuesit e Departamentit të Policisë së New Yorkut në një e-mail për “Washington Examiner”.
Autoritetet kanë thënë se Webber dyshohet se shkroi me sprej fjalën “Babai” në një mur brenda galerisë, duke dëmtuar një pikturë me vlerë prej 14 mijë e 500 dollarësh dhe kur një punonjës i galerisë iu afrua, Webber e sulmoi atë.
Policia beson se Webber kishte në shënjestër Bidenin, i cili kishte vepra brenda galerisë.
“Unë po përpiqesha të shkruaja frazën, ‘Babai është një kriminel lufte’”, citohet të ketë thënë Webber.
Asnjë nga veprat e Bidenit nuk u dëmtua.
Biden kohëve të fundit bëri të ditur se mendon që të shesë disa nga veprat e tij artistike që janë të ekspozuara aty, një vendim që ngriti shqetësime nga disa ekspertë të etikës.
“Reagimi fillestar që shumë njerëz do të kenë është se ai po përfiton nga të qenit i biri i presidentit dhe dëshiron që njerëzit t'i japin atij më shumë para”, ka thënë Richard Painter, avokati kryesor për çështje etike në kohën e presidentin George W. Bush, duke potencuar “çmimet jashtëzakonisht të larta” si dëshmi se “e gjithë kjo është një ide vërtet e keqe”.
“Për shkak se ne nuk e dimë kush po paguan për këtë art dhe nuk e dimë me siguri se [Hunter Biden] e di, ne nuk kemi asnjë mënyrë për të monitoruar nëse njerëzit po blejnë qasje në Shtëpinë e Bardhë. ... Çfarë po paguajnë këta njerëz për mbiemrin e Hunter Bidenit”, ka thënë Walter Shaub, i cili drejtoi Zyrën e Etikës në kohën e presidentin Barack Obama.
Veprat artistike të Bidenit mund të arrijnë çmimin prej 500 mijë dollarësh për copë, një shumë që një kurator thotë se i atribuohet tërësisht statusit të tij politik.
“Sa prej kësaj vlere i detyrohet vetë artit? Kjo është e lehtë: Asnjërës prej tyre”, ka thënë Jeffry Cudlin, profesor i studimeve kuratoriale të artit dhe praktikës në Kolegjin e Artit të Institutit Maryland, në një e-mail për “Washington Examiner”. “Ato janë vepra të shkëlqyeshme zbukuruese amatore. Hej, të gjithë kanë nevojë për një hobi!"
Hunter Biden, i cili është djali i presidentit Joe Biden, nuk do të ndajë emrat e blerësve me babanë e tij, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë. Zëvendëssekretari i shtypit në Shtëpinë së Bardhë, Andrew Bates, këmbënguli që administrata e Bidenit po mban për vetë “standardet më të larta etike”.
"Presidenti ka vendosur standardet më të larta etike sesa çdo administratë në historinë amerikane dhe angazhimi i familjes së tij për procese rigoroze si ky është një shembull”, ka thënë ai.