Prishtinë, 1 nëntor − Filmi me protagoniste Arta Dobroshin, që u realizua në Zelandë të Re dhe ka shëtitur në disa festivale ndërkombëtare qysh prej shfaqjes premierë në Moskë, do të shfaqet para audiencës shqiptare.
“Stray” me regji të Dustin Feneley do ta ketë premierën ballkanike në Festivalin e Filmit në Tiranë. Edicioni i 16-të i këtij festivali, që do të mbahet prej 2 deri më 9 nëntor, ka përfshirë në program edhe filma nga Kosova, nëpër kategori të ndryshme.
Ekipi i filmit “Stray” me rol në të cilin Dobroshi u shpall aktorja më e mirë e festivalit francez “Festival des Antipodes”, që mbahet në St. Tropez të Francës, e ka paralajmëruar shfaqjen në Tiranë.
“’Stray’ do ta ketë premierën ballkanike në konkurrencë ndërkombëtare të Festivalit të Filmit në Tiranë, këtë fundjavë. “Filmi flet për dy njerëz të huaj. Jack është 21 vjeç e Grace 27-vjeçare. Të dy vijnë nga një e kaluar e rëndë. Jack veç sa ka dalë nga burgu për shkak se ka provuar ta vrasë të dashurën e tij. E Grace ka ardhur nga trajtimi psikiatrik. Dhe, po ashtu, ajo është nga Kosova, kështu që s’ka as familje, as miq në Zelandë të Re”, kishte shpjeguar Feneley personazhet e filmit “Stray”, në një intervistë për radio.
Nga Kosova, në të njëjtën kategori me “Stray” do të konkurrojë filmi “Martesa” i Blerta Zeqirit, që është propozimi i Kosovës për “Oscar” në gjuhë të huaj/E.Berisha (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
-
Arta Dobroshi, aktorja më e mirë në Festival des Antipodes
-
Festivali i Moskës suksesi i parë për filmin “Stray”
-
“Stray” me Arta Dobroshin në rolin kryesor mirëpritet në Moskë
-
“Dua” në Kosovën e tensionuar në fund të viteve ‘90
-
Cannes nis numërimin së prapthi, Kosova i bashkohet me “Duan” e viteve ’90