Kulturë

“Stitching Stories” si homazh për gratë që s’u bënë artiste

Nëpërmjet ekspozitës “Stitching Stories” artistja Vlora Hajdini shpalos inspirimin e saj pas veprave duke u bazuar në estetikën e kultivuar nga gratë kosovare përmes formave tradicionale të artit në punëdore. Pikturat e saj çojnë udhëkryqin ku artizanalja takohet me teknikat profesionale të artit për të treguar historitë e grave kosovare, të cilat nuk ishin të vetëdijshme mbi potencialin e tyre artistik

Përgjatë historisë gratë kanë përdorur artin si formë të fuqishme shprehjeje duke shpërndarë nëpërmjet krijimeve të tyre rrëfime, identitete kulturore dhe përvoja personale. Kjo praktikë ka shërbyer si aftësi dhe mjet shprehjeje artistike për gratë nëpër kultura dhe periudha të ndryshme. Nga nevojat praktike të jetës së përditshme tek aktet thelbësore të protestimit dhe rrëfimit personal, gratë kanë përdorur forma të artit si praktikat e qëndisjes a si instrumente për të lënë gjurmë të qëndrueshme në peizazhin kulturor dhe artistik të vendit, me apo pa vetëdije.

Rrugëtimi i artistes Vlora Hajdini nëpërmjet veprave të “Stitching Stories” – që në shqip ka kuptimin e “Qëndisjes së rrëfimeve” të kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka – ka qenë pikënisje e diskutimit të mbajtur aty ku tri javë më parë u hap ekspozita në “Shtëpinë e Evropës” në Prishtinë.

Arti i Vlora Hajdinit është një përzierje e harmonishme mes traditës dhe modernitetit. Nëpërmjet pikturës dhe artizanateve, ajo hedh dritë mbi praktikat artistike të grave si një tentim për t’u dhënë atyre hapësirën dhe vlerësimin meritor. Nëpërmjet hulumtimit të këtyre praktikave, të cilat kanë ndjekur veprimtarinë e saj qysh në fillim të karrierës zbulon dhe realitete jo fort të këndshme.

“Unë e kam studiuar jetën e gruas nëpërmjet grave që kanë punuar punëdore dhe kam parë se ato gra janë me të vërtetë artiste, mirëpo kur i kam pyetur se përse nuk janë marrë me art më seriozisht apo përse s’ kanë studiuar për artin, janë përgjigjur se as nuk e kanë ditur se ekziston një fakultet i tillë”, ka thënë Hajdini në diskutimin e së martës mbrëma, e rrethuar prej veprave të saj.

Pikënisja e krijimtarisë se artistes hap edhe një dritare rreth kuptimit se si është trajtuar arti në Kosovë dhe, mbi të gjitha, pozicionimin e gruas në këtë relacion.

Hajdini me të pranishmit ndau dhe cytjet e saja të para mbi trajtimin e kësaj teme në pikturat e saj që duket se në ndërgjegjen e artistes ka zënë vend krejt natyrshëm.

“Nëna ime ka pasur talent të jashtëzakonshëm në vizatim dhe rrobaqepësi, andaj më ka ndikuar shumë në punët e mia duke më dhënë kurajë gjithashtu. Ky fakt më ka ndihmuar në realizimin e këtij cikli duke u bazuar në figurat e grave, sepse për mua ka qenë gjithmonë e pranishme përshtypja se si një grua kur hap derën e shtëpisë së saj të pret në një ambient të kuruar në çdo detaj, të dekoruar nga vetë ajo”, ka thënë Hajdini duke u shprehur se me pikturat e saj synon ta paraqesë manifestimin e jetës që lulëzon te praktikat e përditshme artistike të grave.

Element identifikues i veprimtarisë së artistes është pikturimi i objekteve funksionale, të cilat përdoren në përditshmëri si enët e ndryshme, kutitë e deri tek tekstili si çantat e aksesorët e ndryshëm. Kjo qasje multidimensionale e artistes ofron një klimë optimale për shkrirjen e mediumeve të ndryshme të artit bashkë me mesazhet që ajo ka zgjedhur të përcjellë.

“Gjithmonë kam punuar mes pikturës dhe instalacionit. Puna ime mbështetet në memorien personale dhe atë kolektive, andaj dhe instinktivisht kam punuar gjithnjë me elemente të grave”, ka thënë ajo.

Përveçse si inspirim, Vlora Hajdini e sheh si mision njohjen e praktikave të punëdoreve nga gratë si vepra të mirëfillta arti duke u bazuar në teknikat komplekse, aftësitë dhe vlerat estetike që përmbajnë ato.

“Kjo veprimtari është anashkaluar shpesh duke iu referuar si dekor, por ajo është shumë më shumë se aq, pasi që përbën forma të veçanta dhe shumë teknike të artit figurativ”, ka thënë ajo.

Fakti se artistja i shndërron objektet e përditshmërisë në vepra arti, si duket ka qenë dhe inspirim për kuratorët e kësaj ekspozite.

“Ekspozita ka filluar si inspirim nga detajet në veshjet e Vlorës, si në çanta e këpucë që ajo vetë i ka pikturuar, sepse ajo jeton me punimet e veta, përmes tyre”, ka thënë Laureta Hajrullahu, kuratore e ekspozitës “Stitching Stories”.

Tentativa e artistes për ta rikthyer theksin te këto praktika shprehet qartazi edhe përmes detajeve dekorative të përdorura dhe ornamentalistikës të cilat përbëjnë një qasje mjaft origjinale.

“Kemi pare që stili i artistes ka ndryshuar përgjatë viteve, kemi vërejtur shumë detaje që për ne kanë qenë shumë interesante me i pa te një artiste shumë eksperimentale, teksa rikthehet te diçka shumë folklorike”, ka thënë kuratorja duke treguar se artistja përmes kësaj tenton të rikrijojë punët e grave që i kanë bërë dikur, por kurrë nuk janë konsideruar si vepra arti.

Përmbajtja e ekspozitës është kryesisht veprimtaria e artistes prej vitit 2009 deri në vitin 2015, por ka edhe punime gjatë kohës së pandemisë. Aty është edhe piktura që lindi nga inspirimi gjatë izolimit në karantinë kur një ditë ajo vendos të pikturojë disa bimë në shtëpinë e saj. Kjo pikturë e cila në ekspozitë zë vendin kryesor, e ndarë nga vepra të tjera, lehtazi dallohet edhe për nga teknika, kompozicioni e ngjyrat e përdorura. E krejt ky miks veprash, stilesh e mediumesh të përdorura nga piktorja është përdorur nga kuratorët për të ofruar një eksperiencë të veçantë në ekspozitë.

“Ne kemi dashur që ekspozita të ketë shumë punime nga piktorja duke synuar kështu rikrijimin e studios së artistes në këtë hapësirë ekspozuese, sepse gjatë vizitës në atelienë e saj kemi parë se çdo objekt ishte vepër arti. Mirëpo gjithmonë duke u kujdesur që punimet te jenë komplementare e jo të dallojnë shumë artistikisht ose konceptualisht”, ka thënë kuratorja e kësaj ekspozite

“Stitching Stories” si një ekspozitë përmes artit të Vlora Hajdinit paraqet jo vetëm një shfaqje të veprave të saj, por një ambient që bën thirrje për reflektim mbi trashëgiminë, talentin dhe forcën e gruas të shprehur përmes formave artizanale të artit. Ndërkaq vetë artistja për KOHEN u shpreh e lumtur dhe e vlerësuar për këtë ekspozitë personale të sajën duke njoftuar se në të ardhmen synon që të eksplorojë më shumë tekstilin si dimension përmes artit të saj.

“Shtëpia e Evropës” do të jetë shtëpia e pikturave të saj deri më 15 dhjetor.