Nëse përvoja na shërben si udhëzuese, atëherë mund të themi se spiunët nuk është se kanë prirje të shfaqin emocione. Në ato rastet e rralla kur flasin për misionet e rrezikshme, ata i shmangen shfaqjes së ndjesive, sikur të ishin duke folur për dërgimin e rrobave në pastrim kimik.
Pikërisht për këtë arsye, rrëfimet rreth tyre shpesh nuk arrijnë që të shpërfaqin thellësinë e jetës – apo, ta themi më qartë, njerëzinë. Por libri i Matti Friedman, “Spies of No Country”, është përjashtim mbresëlënës në këtë mes.
Në këtë rrëfim për fillet e Inteligjencës izraelite, Friedman fokusohet tek një periudhë 20-mujore, prej janarit të 1948-s, në portet e Haifas dhe Bejrutit, dhe tek “katër të rinj që nga margjinat kalojnë në epiqendër të ngjarjeve. Po kërkoja më pak histori sesa zemër njerëzore dhe këtë e gjeta në këto koordinata”.
Katërshja Gamlieli, Isaacu, Havakuku dhe Yakuba – që të gjithë rreth të njëzetave – ishin anëtarë të “Seksionit Arab”, një njësit sekret i udhëhequr nga milicia hebraike në Palestinë. Të quajtur “ata që bëhen si arabë”, të katërtit ishin angazhuar si spiunë dhe sabotues në territorin e armikut. Para vetes kishin një detyrë të rëndë, pasi që edhe veprimi më i thjeshtë mund të merrte pasoja katastrofike.
Në kapitullin hyrës, personazhi i Gamlielit u shpërfaqet lexuesve. Ai duhet ta marrë biletën për në Bejrut prej një agjencie turistike në një lagje arabe të Haifas. I veshur me sako dhe duke bartur një valixhe, ai punon me emrin Yussef el-Hames nga Al-Qudsi (emri arab për Jerusalemin). Për befasinë e tij, agjencia është e mbyllur, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Një kalimtar e ndal për ta pyetur diçka dhe shumë shpejt nis të dyshojë, posaçërisht pasi që posterët nëpër lagje paralajmërojnë për tradhtarë. Duke qëndruar në trotuar, Gamliel ndodhet në një gjendje të tmerrshme: “Largësia midis jetës dhe vdekjes tashmë është bërë e papërfillshme – sa një folje e gabuar, sa përgjigjja e stërzgjatur ndaj një pyetjeje të qartë”.
Momentet e tilla përbëjnë esencën dhe qëllimin e librit “Spies of No Country”. Friedman, përmes një rrëfimi depërtues të radhës (libri i mëparshëm i të cilit, “Pumpkinflowers” paraqet kujtimet e tij sa kishte shërbyer në ushtrinë izraelite) e paraqet ndjesinë e të qenit pjesë e “Seksionit Arab”. “Ata nuk kishin shtet – në fillimin e 1948-s, Izraeli ishte dëshirë, e jo fakt. Po të zhdukeshin, do të zhdukeshin. Askush nuk do t’i gjente. Askush madje mund të mos i kërkonte. E ardhmja ishte e turbullt. Sidoqoftë, të vetëm, ata do t’ua mësyjnë këtyre kohëve dredharake”.
Nëse lexuesit janë në kërkim të një rrëfimi me tri akte, të ngjarjeve të lidhura me luftën arabo-izraelite të 1948-s, këtë gjë nuk do ta gjejnë në libër. Natyrisht se ka episode të tensionit të lartë, përfshirë fundosjen e Alla-James Bond, të një jahti të armatosur, të ndërtuar fillimisht për Hitlerin, por shumica e ngjarjeve shpërfaqin vështirësitë e përditshme të këtyre spiunëve, si mërzinë, krizën rreth identitetit, apo besimin mbi misionin që kanë ndërmarrë. Këto beteja personale janë po aq prekëse.
Friedman, rrëfimtar i shkathët që e ka intervistuar Isaac Shoshanin, të vetmin anëtar të mbijetuar, duke e pyetur edhe për detajet më të imëta, si dhe ka marrë rrëfimet personale të shumë të tjerëve, shpërfaq njohuritë e thella të çështjes që e trajton. Shpesh ai ndërlidhet me ndonjë episod, duke e përshkruar ndjesinë e të qenit i ulur përballë një ish-spiuni që tani është mbi nëntëdhjetë vjeç, apo udhëtimin në zemër të Libanit. Herë pas here këto rrëfime në vetën e parë duket sikur nuk janë adekuate, por shpesh ato e mbërrijnë qëllimin, duke evokuar më gjallërishëm ndonjë ngjarje apo duke i dhënë më shumë jetë një personazhi. Vija është e hollë, por në tërësi Friedmani ia del të paraqesë “rrëfimet prapa rrëfimeve”, që kanë qenë shtyllë e ngritjes së “Mossadit” dhe vazhdojnë të jenë dritare drejt shpirtit të trazuar të Izraelit.