Kulturë

Spielberg në “Berlinale”: S’u them kineastëve të rinj të largohen nga zyra ime

Teksa u nderua me Çmimin për vepër jetësore në Festivalin e Filmit në Berlin, regjisori i “Fabelmansit” kujtoi takimin stresues që ai si adoleshent kishte pasur me heroin e tij të përjetshëm, John Ford. Teksa pranoi të martën “Ariun e Artë” në Festivalin e Filmit në Berlin, Spielberg i këshilloi regjisorët e rinj dhe vendosi të mos e ndiqte shembullin e heroit të tij të fëmijërisë, John Fordit.

“Unë nuk do të them: 'Largohu nga zyra ime'. Ky është një ndryshim i madh midis meje dhe John Fordit”, ka thënë Spielberg në një konferencë shtypi në “Berlinale”, teksa rrëfeu për takimin që ai kishte pasur në moshën 16-vjeçare me regjisorin e njohur Ford, takim i cili shfaqet në mënyrë të detajuar në pjesën kulmore të filmit të tij të fundit, “The Fabelmans”.

Por, përderisa takimi me Fordin e paraqiste atë si një titan të tmerrshëm dhe të frikshëm të Hollywoodit, Spielberg këmbënguli se ai mbetet i mahnitur nga filmat e tij. “John Ford ishte fuqi natyrore. Dhe për shumë e shumë vjet unë me të vërtetë u frikësova, u sikletosa dhe u turpërova nga ato që ai kishte thënë. 20 vjet më vonë, kuptova se ajo që ai kishte bërë në të vërtetë më dha një dhuratë të jashtëzakonshme”, kujtoi ai këshillat e Fordit, bazuar në imazhet që gjendeshin në murin e zyrës së tij, e ku tregohej për kompozimin e skenave filmike.

“Ajo skenë e ‘The Fabelmans’ është, fjalë për fjalë, me aq sa më kujtohet, ajo që më ka ndodhur në të vërtetë. Ai nuk ka thënë as më shumë e as më pak se ato që thotë në film”, ka thënë Spielberg.

Gjatë prononcimit për media, Spielberg foli për filmin e tij më të fundit dhe më personal që ai kishte bërë. Një sagë gjysmë-autobiografike e maturimit të tij e i cili ishte psikologjikisht i lodhshëm për regjisorin. “Ishte shumë e vështirë për mua, sepse po tregoja tregime tejet qesharake, por që në disa pjesë kishte edhe tregime shumë traumatizuese, rikrijimi i të cilave ishte shumë i vështirë, sepse nënkuptonte një lloj ripërjetimi të tyre”, ka thënë ai.

Pjesa më e madhe e “The Fabelmans” përqendrohet në pasionin e hershëm të Spielbergut për krijimin e filmave dhe mënyrën si ai u mbështet dhe u inkurajua nga prindërit e tij për këtë udhëtimin krijues. Regjisori kujtoi se si në moshën 9-vjeçare prindërit i kishin thënë se ai nuk mund t’i shoqëronte ata në një kinema lokale në New Jeresy për të parë filmin klasik të Fordit Western, “The Searchers”, sepse tema ishte shumë e dhunshme.

Ai kujtoi se kishte marrë para nga kavanozi i kursimeve familjare dhe kishte shkuar vetë në kinema për ta parë “The Searchers”.

“Me siguri, si nëntëvjeçar nuk e kam kuptuar filmin. Kur e pashë më pas, e kuptova më mirë. Por e di se si ndihesh kur mbetesh pas. Më vonë e kam kuptuar se ai ishte një film që, me ndihmën e prindërve të mi, do të kisha mundur ta kuptoja”, ka thënë ai.

Teksa kujton fëmijërinë e Spielbergut, “Fabelmans” kap gjithashtu edhe shpërbërjen e martesës së prindërve të tij, me Michelle Williams në rolin e nënës së tij të quajtur Mitzi, Paul Dano në rolin e babait të tij Burtit, dhe Gabriel LaBelle si djali i familjes, Sammy.

Në fillim të filmit, kur Burt dhe Mitzi e çojnë Sammin 5-vjeçar për herë të parë në kinema, për të parë shfaqjen paksa të frikshme për të, “Greatest Show on Earth”, ata ngjallin tek djali i tyre një magjepsje për filmin dhe kamerat, lodrat dhe veglat.

Spielberg u tha mediave në “Berlinale” se, edhe në moshën 75-vjeçare, ai ende e ka atë magjepsjen dhe zellin e fëmijërisë për të bërë filma.

“Çfarëdo që më kapi si fëmijë, është e njëjta ndjenjë që kam ruajtur gjatë gjithë këtyre dekadave. Dhe ndiej se çdo herë është i njëjti nivel emocional, sikur kur gjej një libër ose një skenar, ose më vjen një ide origjinale që mendoj se mund të bëj një film të mirë”, ka thënë ai.

Në të njëjtën kohë, pasi kishte bërë dhe lëshuar në mënyrë të shpejtë “West Side Story” dhe “The Fabelmans” - duke e bërë këtë edhe gjatë kohës së pandemisë kur për një kohë të gjatë ishte i mbyllur në shtëpi me familjen e tij – Spielberg, i njohur si punëtor i madh, shprehu ankth duke qenë se nuk kishte një projekt të madh filmik në ardhje.

“Nuk kam pasur kurrë mundësi të mendoj se çfarë do të bëj kur të mbarojnë këta dy filma. Dhe unë ulem këtu, përballë jush, duke thënë se nuk e di se çfarë do të bëj më pas. Unë nuk kam asnjë ide. Dhe është një lloj ndjesie e këndshme e gjithashtu një ndjenjë e tmerrshme”, ka kujtuar Spielberg teksa po ulej në karrigen e regjisorit të setit të ardhshëm. “Më duhet të punoj, më pëlqen të punoj, dhe kjo është pyetja më e madhe që do të përpiqem ta kuptoj në pjesën tjetër të vitit”, shtoi Spielberg, edhe pse është duke punuar në prodhimin e një mini-seriali të HBO-së, i cili bazohen në një skenar të parealizuar të Stanley Kubrick për Napoleonin.

Edicioni i 73-të i “Berlinales” ka nisur më 16 shkurt dhe do të zgjasë deri të dielën.

Marrë nga “Hollywood Reporter”. Përktheu Mirjetë Sadiku