Kulturë

Sot mbahet “Prishtina Lexon” me 13 orë aktivitete

Prishtinë, 3 qershor – Festivali “Prishtina Lexon” do të përmbledhë në vete plot 13 orë aktivitete. Sot (e hënë) prej orës 10:00 do të nisin aktivitet e Festivalit, i cili mbahet dy ditë para se të fillojë edicioni i 21-të i Panairit të librit në kryeqytet.

Sipas njoftimit “Prishtina Lexon”, sivjet vjen me shumë aktivitete dedikuar grupmoshave të ndryshme. Kësisoj në edicion e vet të 5-të, Festivali synon nxitjen e kulturës së leximit dhe ndërgjegjësimin social rreth rëndësisë që ka libri në fuqizimin intelektual të individit. Ky festival sivjet mbahet në kuadër të manifestimit “20/20”, nëpërmjet të cilit Komuna e Prishtinës shënon 20-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit. Por sivjet pos leximeve, Festivali vjen edhe me teatër, film dhe performanca të tjera artistike, që krahas karakterit edukativ, mëtojnë të kenë edhe atë socializues dhe argëtues.

“Ngjashëm si në vitin e kaluar, për organizimin e festivalit ‘Prishtina Lexon’ prapë janë bërë bashkë institucione dhe organizata joqeveritare, përkatësisht Komuna e Prishtinës, ETEA, Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, SOS Fshatrat e Fëmijëve, “Termokiss”, libraria “Dukagjini”, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, Aleanca Franceze, “Social Creativity”, “Kino Armata” dhe “Virtual Sophists”, si dhe institucionet edukativo-arsimore të zonave urbane dhe rurale”, shkruhet në njoftim.

Gjithçka fillon me aktivitete për fëmijë që nga ora 10:00 me këndet e leximit dhe program artistik të fëmijëve në sheshin “Zahir Pajaziti”, aktivitete këto që do të zgjasin deri në ora 16:00, me ç’rast do të shpallen edhe lexuesit e vitit të Komunës së Prishtinës. Nga ora 16:00 fillojnë aktivitetet për të rritur të lokalizuara në Kino Armata, ku qytetarët do të kenë rastin të përcjellin film, teatër dhe “slam poetry”. Ndërsa në fund, duke filluar nga ora 21:00, në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti” gjithçka përmbyllet me “Book Character Party” ku të gjithë të maskuar si shkrimtarët apo personazhet e preferuara do të argëtohemi me tingujt e muzikës së DJ Blerta Kosova, Jimmy Band dhe Elsa Rraqi.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")