Sonte (e shtunë) nga ora 21:00 do të nisë finalja e 69-të e garës evropiane të këngës, “Eurovision”. Në finale është kualifikuar edhe Shqipëria, me interpretimin e grupit Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”. Kjo këngë u rendit nga media e njohur, CNN, si më e mira e këtij festivali.
Sipas radhitjes, Shqipëria do të performojë e fundit sonte, pra e 26-ta. Më poshtë të gjitha shtetet që janë kualifikuar në finale dhe radhitja e performancave për finalen e sontme.

Përmendën viktimat në Gaza, “Eurovisioni” kërcënon transmetuesin spanjoll
Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) ka kërcënuar transmetuesin spanjoll RTVE me gjobë nëse komentuesit e garës evropiane të këngës përsërisin deklaratat që kanë bërë për luftën në Gazë, siç kishin bërë të enjten.
Gjatë gjysmëfinaleve, komentatorët Julia Varela dhe Tony Aguilar kanë përmendur viktimat e luftës dhe kanë bërë thirrje për diskutim për pjesëmarrjen e Izraelit në “Eurovision”. Kjo çoi në ankesë nga transmetuesi izraelit KAN tek transmetuesit evropianë.
“El Pais” tani ka raportuar se të premten EBU-ja i ka dërguar letër delegacionit spanjoll për penallti të mundshme.
Dy komentatorët në gjysmëfinale kishin kujtuar një thirrje që RTVE-ja ia kishte bërë një muaj më herët EBU-së për të diskutuar për pjesëmarrjen e Izraelit sivjet. Të dy kishin përmendur faktin se mbi 50 mijë civilë palestinezë janë vrarë nga Izraeli në luftën në Gazë, nga të cilët më shumë se 15 mijë janë fëmijë, sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Siç ka njoftuar RTVE zyrtarisht për “El Pais” komentatorët e kishin lexuar mesazhin “në koordinim me rrjetin televiziv”. E sipas burimeve, gjatë transmetimit të finales “do të ketë një përgjigje”.
Pos Spanjës, edhe Sllovenia, Islanda e Irlanda zyrtarisht kishin kërkuar reflektim mbi pjesëmarrjen e Izraelit.
Gjithçka që duhet të dini për finalen e “Eurovisionit”
Çka është “Eurovisioni”?
“Eurovisioni” është garë muzikore vjetore dhe e transmetuar drejtpërdrejt, e organizuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU).
Edicioni i vitit 2025 mban sloganin “Welcome Home” (Mirë se vini në shtëpi), duke simbolizuar kthimin në vendin ku u mbajt festivali i parë në vitin 1956 – Zvicra.
Rregullat kryesore të festivalit përfshijnë: këngët duhet të jenë origjinale dhe të mos zgjasin më shumë se tre minuta, vokalet kryesore duhet të jenë live – nuk lejohet playback apo përdorimi i auto-tune dhe lejohen maksimumi gjashtë persona në skenë, përfshirë këngëtarë e valltarë.
Në “Eurovision 2025” morën pjesë gjithsej 37 shtete – prej tyre 26 kaluan në finale. Të gjitha shtetet që morën pjesë në edicionin e kaluar në Malmo të Suedisë janë rikthyer, përveç Moldavisë, e cila u tërhoq për arsye financiare dhe logjistike. Mali i Zi u kthye pas një mungese që nga viti 2022.
Pse marrin pjesë Australia e Izraeli?
Shumica e vendeve pjesëmarrëse janë evropiane, por Australia merr pjesë çdo vit që nga viti 2015, kur u ftua për të shënuar 60-vjetorin e festivalit. Megjithatë, Australia nuk ka të drejtë ta organizojë festivalin edhe nëse fiton.
Izraeli, edhe pse jo evropian, merr pjesë sepse është anëtar i EBU-së.
Rusia është e përjashtuar nga “Eurovisioni” që nga viti 2022, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Cilat shtete janë të kualifikuara automatikisht në finale?
Ky është hera e tretë që Zvicra është mikpritëse e festivalit.
Pesë shtete, të njohura si “Pesëshja e Madhe” – Mbretëria e Bashkuar, Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania – kualifikohen automatikisht në finale për shkak të kontributit financiar më të madh në festival.
Zvicra, si fituese e edicionit të kaluar, gjithashtu ka vend të garantuar në finale.
Si funksionon votimi në “Eurovision”?
Në finalen e “Eurovisionit”, çdo shtet pjesëmarrës jep dy sete pikësh – një nga juria profesionale e përbërë nga ekspertë të muzikës dhe një tjetër nga publiku (votuesit nga e gjithë Evropa).
Fansat mund të votojnë përmes telefonatave, SMS-ve apo aplikacionit zyrtar të “Eurovisionit”. Secili ka mundësi të japë deri në 20 vota, dhe mund të votojë për sa më shumë këngë të ndryshme që dëshirojnë – por nuk lejohet të votohet për shtetin e vet.
Pasi të mbyllen linjat e votimit, secili vend krijon një “Top 10” të këngëve të preferuara.
Kënga më e votuar merr 12 pikë, e dyta merr 10 pikë, ndërsa nga vendi i tretë deri në të dhjetin ndahen pikë nga 8 deri në 1.
Edhe shikuesit nga vendet që nuk marrin pjesë në “Eurovision” kanë të drejtë vote. Zgjedhjet e tyre mblidhen së bashku në një bllok të quajtur “votimi i pjesës tjetër të botës”.