Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës hapet ekspozita me veprat e Graison Parryt

Prishtinë, 1 qershor - Personazhi imagjinar, Tim Rakewell, shfaqet në gjashtë tapiceri të cilat paraqesin historinë e tij si individ. Ai vjen si fëmijë, i rritur që ia mësynë të përfitojë para, e më pas jeta e tij ndryshon krejtësisht.

Ekspozita “Kotësia e dallimeve të vogla” e artistit anglez me nam botëror, Graison Parry, fitues i çmimit prestigjioz “Turner” më 2003, e cila do të hapet sonte (e enjte), përmban 6 tapiceri, 8 gravura origjinale të William Hogarth, 20 riprodhime dhe 3 dokumentarë të krijuar nga udhëtimet e Perryt në tri rajone në Angli, ku ai u frymëzua për ekspozitën. Një ditë para hapjes së ekspozitës në një konferencë për media, kuratorja Fay Blanchard ka thënë se punimet paraqesin hulumtimet e artistit për disa dokumentare. Ajo ka thënë se në punimet e tij ai i trajton lidhjen që njerëzit kanë me objektet dhe përse zgjedhin diçka nga rrethi ku jetojnë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ai specifikisht paraqet njeriun që jeton në një familje punonjësish dhe investon, bën para dhe ngjitet në klasa më të larta. Artisti paraqet potencialin për të ndërruar rangun shoqëror”, ka thënë kuratorja. Sipas saj, personazhi është në gjendje të edukohet dhe artisti pyet nëse të tjerët mund ta bëjnë këtë.

“Brenda tyre është historia e asaj se çfarë është mobiliteti social”, ka thënë ajo për ekspozitën që ka ardhur në Kosovë si rezultat i bashkëpunimit midis Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Këshillit Britanik.

Drejtoresha e GKK-së, Arta Agani, ka thënë se ekspozita që pas Turqisë, Ukrainës dhe Serbisë vjen në kryeqytetin kosovar, është planifikuar tash e sa kohë. Sipas saj, nuk ka qenë e lehtë të sillen punimet e një artisti të kalibrit të tillë në Galerinë Kombëtare të Kosovës duke e ditur se ndërtesa nuk i përmbush standardet botërore të ekspozimit.

“Ekspozita pos kalibrit të lartë ka përmbajtje të ndjeshme pasi bëhet fjalë për tapiceri dhe kërkojnë kushte ideale, për të cilat kemi punuar një kohë të gjatë. Sa i përket bashkëpunimit me Këshillin Britanik, ne mburremi që kemi arritur ta vazhdojmë këtë bashkëpunim”, ka thënë Agani (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.