Kulturë

“Sober” lufton me varësinë në kërkim të kthjelltësisë

Vetë ambienti ku inskenohet shfaqja është i ftohtë e në kthina të Dispanserisë te Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, bash si jeta në labirint e personazheve. Janë të varur nga droga, por ia arrijnë të dalin prej saj. “Sober” – që ka kuptimin e kthjelltësisë apo të atij që është esëll – nuk i bën vetëm personazhet e tillë. Por shfaqja, nën regji të Butrint Pashës e bazuar në tekstin Duncan MacMillan “Njerëz, vende dhe gjëra”, lyp edhe kthjelltësi në qasjen ndaj këtij fenomeni e ndaj të varurve

Është një ambient që sa hutues, aq duket interesant për të parë një shfaqje aty. Në hapësirën ku shërohen sëmundjet e tuberkulozit e të mushkërive është vendosur të flitet artistikisht për drogat dhe alkoolin. E këtë me një mjeshtëri dhe lojë që është tejet intensive.

Gjithçka nis me britma e ikje nëpër dhomat e Dispanserisë së Sëmundjeve të Mushkërive te Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Sa e dhimbshme dhe aq e afërt ndihet me publikun, i cili qëndron jashtë. Pas portretimit të një krize narkotike, ata udhëzohen të hyjnë brenda. Veç një shirit i kuq e ndan hapësirën e skenës dhe të publikut.

Image
Shndërrimi në skenë teatri i Dispanserisë së Sëmundjeve të Mushkërive te Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka qenë në harmoni me temën e “Sober”

Pjesë e qendrës ku trajtohen personat e varur nga drogat dhe alkooli vendos të jetë edhe Sarah King. Me një vëmendje të madhe shikon mënyrën e trajtimit të pacientëve, për të cilët kujdesen ata që kanë kaluar në të njëjtën situatë: janë shëruar nga drogat. Skenat janë shumë origjinale: një narkomane që beson se është në gjendje të mirë shëndetësore, e tillë që s’dëshiron dhjetëra herë të ndajë historinë e saj e madje edhe gënjen për emrin. Por e vetmja mënyrë e shërimit është sinqeriteti i plotë.

Premiera e “Sober”, nën regji të Butrint Pashës e bazuar në veprën e Duncan MacMillan “Njerëz, vende dhe gjëra”, bëhet shpërfaqje e po këtij titulli. Janë njerëzit, vendet dhe gjërat ato që i dështojnë tentativat e lënies së drogave dhe alkoolit, duke gjallëruar kujtesën emocionale.

Rikuperimi sigurohet veç atëherë kur individët qëndrojnë me njerëzit e njëjtë e në vende të njëjta, por kësaj radhe ndalojnë së bëri gjërat e njëjta. Në shfaqjen, e cila është lëvizëse dhe ka gjithsej pesë skena improvizuese, pjesa më kulmore është rrëfimi i vetë protagonistëve për ato që kanë bërë gjatë abuzimit.

Marku, i luajtur nga Shpëtim Selmani, është personazhi simpatik, i cili është tejet inteligjent. Me dashuri për artin e filozofinë, ai e ka të pamundur ta falë veten për atë çfarë i ka bërë rrethit prej varësisë së alkoolit e drogës. Për konsumimin e tyre s’kursen asgjë: shet biçikletën e parë të nipit, s’i blen barna gjyshes me kancer dhe rrah motrën.

Një histori ndryshe ka Shon, i portretuar nga Altin Vraniqi, i cili ka nisur rrugëtimin me drogat si trashëgimi nga nëna e tij. Pasuria e madhe e shtyn drejt eksplorimit të një bote që në fillim s’i duket e rrezikshme. Por shpejt kjo përshtypje ndërron.

Polli i luajtur nga Edlir Gashi është personi i cili vendoset të përjashtohet nga qendra për shkak të rebelizmit që ka. Nuk i shpërfill rregullat dhe sjell drogë brenda. Por sërish vendimi ndryshon dhe mbetet aty.

Ndryshe është Laura, një natyrë e ndrojtur e luajtur nga Zana Berisha, e cila vuan mënyrën se si e ka vënë në pozitë të keqe motrën rast pas rasti në publik për shkak të alkoolit.

Kumrije Hoxha, në rolin e Nënës Meredith, është gruaja në moshë të shtyrë që ka 20 vjet pa droga. Por tejkalimi i dhimbjeve pas operimit të zemrës e bën që t’i kthehet zanatit të vjetër.

Më e mbyllur se secili është personazhi kryesor: Sarah King që e luan mjeshtërisht Zhaneta Xhemajli. Një aktore e suksesshme teatri, e cila e do skenën deri në vetëmohim, vendos që të marrë trajtim për t’u rikthyer në profesion. Pakënaqësia me jetën e saj është arsyeja e përdorimit të alkoolit e drogës. Është ironike në karakter, ndërkaq mungesa e dashurisë dhe mbështetjes së nënës e bren përbrenda. Pas trajtimit të gjatë, një certifikatë që dëshmon shërimin, brohoritjet “mos u kthe më!” janë krejt çka merr bashkë me shoqërinë e mirë të qendrës. As shërimi s’arrin ta ketë kënaqësinë e nënës, por kur rikthehet në skenë, spektatorë ka të mbijetuarit e tjerë.

Image
Publiku e ndjen krejt afër lojën e aktorëve...

Regjisori Butrint Pasha ka thënë se lokacioni është gjetur pas shumë peripecive që shfaqja të jepet në hapësirë publike. Fillet i ka që në maj të vitit 2021, ndërkaq trajton mesazhe të ndryshme.

“Tematika e shfaqjes është më shumë brengë e imja për shkak se një numër i madh i popullsisë vuan nga drogat apo alkooli. Misioni i kësaj shfaqjeje është më shumë human sesa mjekësor, sepse flitet për një komunitet të njerëzve që po rikuperohen”, ka thënë Pasha, duke përmendur faktin që vetë të mbijetuarit në shfaqje marrin rolin e personelit mjekësor. Sipas tij, në vend mungojnë qendra të rehabilitimit dhe përkrahja familjare si mjete kyç për luftimin e fenomenit.

“Mesazhi është një rresht i shfaqjes, flasim për epifaninë shpirtërore, për lidhjen që njerëzit kanë me vendet, njerëzit dhe gjërat e që i kthejnë kujtesën emocionale në të kaluarën dhe i bën me konsumu”, ka thënë Pasha. “Pjesa tjetër është e rëndësishme me tregu përmes një rreshti kur thotë: kur s’arrijmë të krijojmë lidhje me familjarët tonë, atëherë shpëtimin e gjejmë te drogat dhe alkooli”.

Zhaneta Xhemajli është profesionale në skenë, e zotëron çdo pjesë të shfaqjes. Ka thënë se ka bërë hulumtime në mënyrë që roli të jetë sa më origjinal.

“E vështirë krejt (skenat) sepse i kanë pasur emocionet ndryshe prej tjetrës. Për mua ka qenë vështirë për me e vendosë qysh me luajtë, që me përçu mesazhin qysh duhet. Mos me ofendu askënd se është temë pak e ndjeshme, po besoj që goxha sfidë, por e kaluar me sukses sipas meje”, ka thënë Xhemajli.

Familjen e sheh si bazament për të ardhmen, por ajo jo domosdoshmërisht është arsyeja e zgjedhjeve të gabuara.

“Karakteri i saj ka pasur më shumë nevojë për dashni, por për ata s’mundet asnjë nanë me ditë, por pajtohem që ka rëndësi të madhe edukimi në familje, por të përcjellë gjithçka, por çka merr e çka transmeton, është individuale”, ka thënë ajo për rolin e Sarës.

Image
Gjithçka nis me britma e ikje nëpër dhomat e Dispanserisë së Sëmundjeve të Mushkërive te Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Sa e dhimbshme dhe aq e afërt ndihet me publikun, i cili qëndron jashtë

Shpëtim Selmani e ka zbërthyer mesazhin kryesor te thirrja që të mos margjinalizohen personat që kanë varësi. Ka përmendur se ka artistë të mrekullueshëm e njerëz me inteligjencë të lartë që mund të jenë nën varësi.

“S’mundemi me i trajtu si përbuzje, abuzimi i tyre i madh (vjen) si pasojë e pakënaqësisë me jetën, me kontekstet kulturore e edhe personale. Mesazhi është me u ndihmu”, ka thënë Selmani.

Puna ekipore, sipas tij, e ka lehtësuar procesin, teksa fenomeni i prekshëm kudo në rreth e ka bërë edhe më origjinal jetësimin e rolit.

“E kam lexuar një libër të Eroll Shportës dhe ka qenë libër shumë interesant për me e shkri edhe në shfaqje”, ka thënë për ai për librin “Veç edhe sot”, të Botimeve KOHA. “Secili personazh i ka pasur karakteristikat e veta. Marku ka qenë personazh që e ka dashur jetën shumë, aksidentalisht shpesh jeta na qet në situata që s’i imagjinojmë. Po ashtu edhe Marku që ka shpesh shkëputje, është inteligjent, e njeh veten shumë mirë, është adhurues i artit e filozofisë. E dashuron personazhin kryesor, por që nuk jepet nga autori se çka ndodh me fatin e tyre”, ka thënë Selmani.

Në shfaqje luajnë edhe Kaltrinë Zeneli, Blerta Gubetini e Blend Sadiku. “Sober” me koreografi të Robert Nuhës, muzikë të Adhurim Grezdës, kostume e skenografi të Alma Krasniqit, është produksion i “Artpolisit”.