Ekspozita “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” të Luan Tashit vjen si një mozaik portretesh që bëhen tok pas një hulumtimi nëpër arkiva e botime të moçme gjithandej. Secili portret ka një rrëfim prapa, e kur bëhen bashkë krijojnë një rrëfim unik për heroin e madh. Midis portretesh ekspozohen edhe dorëshkrime që i japin edhe më peshë udhëtimit për figurën e shquar jo vetëm për shqiptarët
Shënimet saktësojnë se 13 vjet para vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, arkitekti e skulptori shqiptar Andrea Aleksi ia bëri portretin e parë në gur heroit kombëtar. Bëhet fjalë për vitin 1455. Portreti i tij është i vendosur në kurorën jugore të katedrales “Shën Jakovi” në Shibenik të Kroacisë. Një reproduksion i saj tash ndodhet në Galerinë Kombëtare të Kosovës bashkë me 67 vepra të tjera që e portretizojnë heroin. Ato përthekojnë ekspozitën “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” të autorit Luan Tashi. Konsiderohen si vazhdimësi e Tashit, i cili ato i nxjerr në mure galerie, pasi që i ka përmbledhur në librin e botuar në vitin 2018, në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.
Me ekspozimin e tyre ai shënon një vazhdimësi të hulumtimeve që i ka bërë që nga viti 2013. Përveç portretit të parë që nga viti 1455, ekspozita gjurmon figurën e Skënderbeut ndër shekuj – që përmbledh historinë e një feudali dhe udhëheqësi ushtarak arbër që në fillesë luftoi për Perandorinë Osmane dhe më pas drejtoi një kryengritje kundër saj. Se puna për heroin kombëtar nuk ndalet, e dëshmon edhe portreti i skulptorit shqiptar Bujar Vani i punuar tek këtë vit në teknikën e polimerit. Ajo do të vendoset mbi kupolën e një hoteli në Tiranë. Imazhi i saj është pjesë edhe e ekspozitës që u hap në kryeqytetin e Kosovës. Aty janë edhe punime nga veprat që janë punuar në teknikën e temperit, drugdhendjes, litografisë, afreskave, gravurave, busteve dhe monumenteve në mermer. Portreti i tij kishte ndikuar çdo fushë të artit – që nga letërsia, muzika e artet pamore. Një pjesë e punimeve e dëshmojnë figurën e Skënderbeut si pjesë e monedhave e pullave postare. Por figura e Skënderbeut që konsiderohet si mburojë e qytetërimit evropian kishte frymëzuar edhe krijues anekënd botës. Si shkas i këtij frymëzimi, artefaktet që e personifikojnë atë sot ruhen nëpër dhjetëra muze e galeri në vende të ndryshme të botës.
Për këtë autorit Tashi i është dashur goxha punë hulumtuese edhe jashtë kufijve. Me ekspozitë ka synuar kualitetin e punëve të mbledhura.
Ekspozita “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” e Luan Tashit, e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës gjurmon përmbledh historinë e një feudali dhe udhëheqësi ushtarak arbëror që në fillesë luftoi për Perandorinë Osmane dhe më pas drejtoi një kryengritje kundër saj
“Kam filluar shumë më herët me punë hulumtuese mbi Skënderbeun. Shumicën e këtyre gravurave ne mund t’i gjejmë edhe në internet, por jo me këtë cilësi. Kam pasur shumë udhëtime, agjenda ka qenë shumë e ngjeshur në Shqipëri, Ballkan, Itali, Washington, New York, sepse jemi munduar t’i sigurojmë të gjitha nga burimet kryesore”, ka thënë Tashi për KOHËN.
Si inspirim në gravurë, Skënderbeu kishte qenë edhe për shumë artistë ndër shekuj. Gravurat e tyre janë bërë pjesë e librave që kanë gjurmuar historinë e heroit kombëtar. Imazhet e gravurave të ekspozuara kryesisht janë marrë edhe nga portretizimi i Skënderbeut nga historiani shkodran Marin Barleti. 30 gravura të librave për heroin janë pjesë e ekspozitës së parë për këtë vit në GKK. Në mesin e veprave të ekspozuara që në hyrje janë letrat e shkruara nga Skënderbeu. Një prej letrave të dërguara nga Skënderbeu në vitin 1456 për te Papa Callixtus III dhe këshilltarit të tij të lartë, kardinalit Domenico Capranic, atëherë kur informohet që një ekspeditë ushtarake ishte nisur drejt trojeve arbërore. Ndihma e jashtme nuk mendohej pa aprovimin e Papës në Romë, i cili ushtronte një pushtet të padiskutueshëm. Vatikani tregohet mospërfillës dhe për më tepër duke e penguar kthimit e tij në Krujë. Në shenjë proteste, Skënderbeu e dërgon këtë letër. Pas këndit që shpalos dorëshkrimet e tij janë të ekspozuara portretet e punuara gjatë kohës sa jetoi Skënderbeu. Ato shërbenin si bazë për një ikonografi të pasur për epokën e heroit kombëtar. Disa nga portretet e punuara nga artistët bashkëkohorë e paraqesin portretin e tij imagjinar apo të bazuar në portrete të mëhershme.
“Te mjeshtrit evropianë, tërë këto portrete kanë qenë kopje pas kopjeje. Këto janë portretet e para, kopja prej kopjes arrin te disa versione totalisht të çuditshme që na vënë në pikëpyetje se a është ky Skënderbeu. Portretet në kohën e tij na tregojnë se nuk duhet të kemi dyshime për figurën e tij”, ka rrëfyer Tashi për KOHËN.
Dhjetëra portrete të Skënderbeut janë të paraqitura në gjysmëprofil me mjekrën e gjatë, diku me kapelë e diku me përkrenare me kokën e dhisë. Përveç portreteve, Skënderbeu nëpër këto imazhe paraqitet edhe aty ku shquhej – në beteja. Kuratorja e ekspozitës, Jëlldëz Asani, ka thënë se çdo trajtim vizual i figurës së këtij personaliteti përcjell edhe një rrëfim më vete.
“Këto vepra figurative e përbëjnë edhe thelbin e idesë dhe subjektin tematik të këtij studimi specifik ndërdisiplinor, i cili i pasqyron të bëmat e Skënderbeut dhe zbërthen ndërthurjen midis gjuhëve të ndryshme pamore artistike”, shkruhet në përshkrimin që i ka bërë Asani ekspozitës “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve”.
Ekspozita është konsideruar që e ka bërë Galerinë Kombëtare të Kosovës të flasë me gjuhën e shpirtit.
Në mesin e veprave të ekspozuara që në hyrje janë letrat e shkruara nga Skënderbeu
Piktorja Zake Prelvukaj gjatë ceremonisë së hapjes ka bërë kërkesë që kjo ekspozitë e pasur si kurorëzim e një hulumtimi të gjatë duhet të jetë pjesë e përhershme e Muzeut Kombëtar të Kosovës si thirrje kundër tjetërsimit.
“Kemi filluar ta orientojmë ndryshe intelektin tonë të trashëguar nëpër shekuj. Kjo është një detyrë shumë e madhe konceptuale. Të shkojmë tutje dhe të mos i harrojmë prijësit tanë”, ka thënë ajo gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës.
“Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” është hapur këtë kohë për të përkuar edhe me përvjetorin e 14-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe do të qëndrojë e hapur deri më 8 mars në Galerinë Kombëtare të Kosovës.