Vdekja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut kishte bërë që të shuheshin kryqëzatat.
Marrëdhënia e udhëheqësit të shqiptarëve para pesë shekujsh me Selinë e Shenjtë, e cila zbardhet nga dokumentet e kohës, zbulon se Skënderbeu kishte bashkëpunim të vazhdueshëm me Papatin.
Këtë e nxjerr në pah vepra “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut” e autorit arbëresh Alessandro Serra, që është promovuar në Ipeshkvinë e Kosovës të premten mbrëma. Në këtë ceremoni të organizuar për figurën e heroit kombëtar të shqiptarëve në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së tij janë promovuar edhe dy botime të tjera: “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ‘Atleta Christi”, që është një përzgjedhje studimesh e klerit katolik dhe “Kuvendime në mbretërinë e të vdekurve. Bashkëbisedim midis Gjergj Kastriotit dhe Karlit të Madh”, me autor Lorenzo Ignacio Thjulen.
Historiani nga Roma, arbëreshi Domenico Morelli, derisa ka prezantuar librin “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut”, i botuar për herë të parë në italisht më 1960 në Kozencë, ka thënë se disa historianë vlerësojnë se duhet të bëhet një rivlerësim për historinë e Skënderbeut.
“Libri është një përpjekje për ta paraqitur në mënyrë objektive figurën e Skënderbeut dhe marrëdhëniet e tij me Papën”, ka thënë ai. Sipas tij, autori Serra është shërbyer me dokumente e artikuj të arkivave italiane sa i përket kohës kur vepronte Skënderbeu. Në gjashtë kapituj përshkruhen marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit më Selinë e Shenjtë.
Edhe
Figura e Skënderbeut shpaloset si kalorës e strateg unik në Evropë
“Teza e autorit është se pushtimi osman është ngjarja më e rëndësishme e Shqipërisë që ndikoi mbi fe dhe në të ardhmen”, ka thënë Morelli. Sipas tij, Skënderbeu kishte raste kur kishte shkuar vetë në Romë për të kërkuar ndihmë nga Papa.
“Me vdekjen e Skënderbeut u shuan edhe kryqëzatat”, ka thënë ai, derisa ka folur për librin e botuar në shqip nga shtëpia botuese “Drita”.
Vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ‘Atleta Christi” është prezantuar nga historiani Gjon Berisha. Ai ka thënë se më 1968, kur ishin mbajtur konferenca shkencore në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, regjimi komunist nuk kishte lejuar që të studiohej marrëdhënia e tij me Selinë e Shenjtë. Sipas Berishës, asokohe, kjo marrëdhënie shpjegohej si komunikim midis një të mashtruari dhe mashtruesve.
“Në atë kohë thuhej se ata e ndihmonin Skënderbeun vetëm me lutje. Por dokumentet e thonë të kundërtën”, ka thënë ai për veprën e botuar nga Provinca Françeskane në Shkodër. Berisha ka thënë se vepra përmban 15 studime të klerit katolik, të cilat ishin botuar në revista në kohë të ndryshme.
Libri “Kuvendime në mbretërinë e të vdekurve. Bashkëbisedim midis Gjergj Kastriotit dhe Karlit të Madh” me autor Lorenzo Ignacio Thjulen është prezantuar nga Xhavit Beqiri. Sipas tij, kjo vepër nuk i sjell udhëheqësin shqiptar e atë romak si figura historike, por i portretizon nga këndvështrimi kulturor e artistik. Sipas Berishës, nganjëherë vijnë edhe si plaçkitës, por njëri bënte luftë mbrojtëse e tjetri pushtuese. Njëri luftonte për ta mbrojtur krishterimin e tjetri për ta zgjeruar atë.
Edhe
Skënderbeu, heroi kombëtar i Shqipërisë: Strateg ushtarak legjendar
“Vepra i zbulon ata në dimensionin njerëzor. Janë burra të fjalës e të nderit, emocionues e neveritës, hakmarrës sidomos ndaj të pabesëve dhe të pafeve”, ka thënë Beqiri. Sipas tij, libri përbëhet nga 48 dialogë midis udhëheqësve.
Historiani arbëresh Domenico Morellika derisa ka folur për figurën e Skënderbeut para se ta bëjë prezantimin e librit të Serras, ka thënë se kujtesa për Skënderbeun ka mbetur e gjallë ndër shekuj. Sipas tij, popujt e shkelur e ngjallin këtë kujtesë për t’u frymëzuar. Forca e lidhjes së shqiptarëve dhe Italisë, sipas tij, i ka rrënjët e thella në histori. Emigrimi shqiptar në Itali kishte filluar në gjysmën e shekullit XV për të vazhduar deri në gjysmën e shekullit XVII.
“Feja ishte element i bashkimit të emigrantëve. Temë e vazhdueshme është malli për atdheun dhe kujtimi për Skënderbeun. De Rada e ngre lart Skënderbeun”, ka thënë ai.
Në fund të ceremonisë, me një fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji. Ka qenë goxha emocional e me ton të lartë.
Ka thënë se Skënderbeu është një pasqyrë ku shqiptarët e shohin vetveten. Sipas tij, “britma burojnë nga shikimi i vetvetes nëpërmjet Skënderbeut”. Të parën e ka radhitur mallin për atdheun dhe Gjergj Kastriotin, të dytën poshtërimin e historisë, vuajtjen dhe përbuzjen.
Edhe
Papa Françesku pret në Vatikan pelegrinë shqiptarë të të gjitha besimeve
“Kurse britmë tjetër është ajo e atyre që thonë ‘ti nuk je heroi im’ pasi në zemrën e tyre e shohin Skënderbeun duke u thënë ‘ti je turk’ e këtë nuk mund ta durojnë”, ka thënë ai derisa ka goditur foltoren me grusht.
Sot (e shtunë) në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë do të mbahet një meshë për Skënderbeun, e cila do të përcillet me koreodramën ”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” me koreograf Xhemajli Berishën, nën interpretim të ansamblit “Arbëresha” nga Zvicra. Kurse pas koreodramës do të bëhet inaugurimi i mozaikut të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, i cili është i vendosur në këmbanarën e Katedrales. Krejt këto aktivitete mbahen në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu./ Shaban Maxharraj