Papa Françesku priti një grup pelegrinësh shqiptarësh nga besimet e ndryshme, njofton shërbimi i lajmeve në internet, Vatican News.
Në fjalën e mbajtur përpara pelegrinëve, Papa Françesku përshëndeti të gjithë shqiptarët “në emër të lidhjes së lashtë të miqësisë dhe të marrëdhënieve” me Selinë e Shenjtë.
Përfaqësues nga pelegrinët i thanë Zërit të Amerikës se grupi i shqiptarëve ndodhet në Romë për një vizitë të planifikuar qysh më parë, me rastin e përkujtimit të 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Sipas Vatican News, Papa vuri në dukje "historinë e lashtë dhe të lavdishme" të Shqipërisë, duke theksuar se vendi është një pjesë e pandarë e Evropës, me kulturën e tij të veçantë.
“Sot ne përkujtojmë Gjergj Kastrioti Skënderbeun, një bir heroik i një populli të fortë dhe bujar, i cili mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë”, citohet të ketë thënë Papa. Skënderbeu, vazhdoi ai, “farkëtoi identitetin kulturor shqiptar me veprat e tij, duke u bërë një simbol i padiskutueshëm i afrimit dhe bashkimit kombëtar, njofton Vatican News.
Edhe
“Askush nuk mund të përdorë Zotin për të shkaktuar dhunë”
Sipas Vatican News, Papa tha se shpresonte që “ky përvjetor nuk do të kufizohej vetëm me kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara”, por do të ishte gjithashtu një mundësi e mirë për një angazhim të ri të të gjitha institucioneve dhe qytetarëve, në favor të një zhvillimi autentik dhe të balancuar, “në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të emigrojnë”.
Papa Françesku tha se shembulli i Skënderbeut, “shprehu në mënyrë të lavdërueshme karakterin shqiptar”. Në veçanti, ai vuri në dukje “klimën e respektit dhe besimit të ndërsjellë” ndërmjet katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve shqiptarë. Kjo, tha ai, tregon se bashkëjetesa paqësore e qytetarëve që u përkasin feve të ndryshme është një rrugë e zbatueshme që prodhon harmoni dhe çliron forcat më të mira dhe krijimtarinë e një populli të tërë, duke transformuar bashkëjetesën e thjeshtë në bashkëpunim dhe vëllazëri të vërtetë”, njofton Vatican News./VoA
-
Papa i vlerave humane që ngjall shpresën midis shqiptarëve
-
Prijës fetarë shqiptarë, bashkë në homazhe për Papa Françeskun
-
Papa Françesku: Vizitën time ia kushtoj një shenjtoreje të madhe, një bije të vendit tuaj - Nënë Terezës
-
Yjet shqiptare të muzikës, nga Ermal Meta te Dua Lipa, pjesë e koncertit për Skënderbeun në Vatikan