Kulturë

“Skena Iuvenis” me Filharmoninë në Prizren si ikje nga përditshmëria

Solistët në violinë – Rron Bakalli me “Pranvera” dhe “Vera”, Pleurat Doli me “Vjeshta” dhe Drenusha Lota me “Dimër” – e kanë shëtitur publikun e pranishëm nëpër “Katër stinët” e Vivaldit, duke ia mundësuar ikjen nga përditshmëria e zymtë e pandemisë. Një mundësi të tillë para gati një muaji e kishte publiku në Prishtinë, por edhe për instrumentistët koncerti në “Lumbardh” të Prizrenit ka pasur tjetër frymë – për shkak të sallës, numrit të publikut e po ashtu edhe interpretimit

Orkestra harkore e Filharmonisë së Kosovës, të mërkurën, e ka mbajtur koncertin e radhës të sezonit 2020/2021 në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren. Në kuadër të programit “Skena Iuvenis” të Filharmonisë, janë promovuar tre solistë të rinj, të cilët kanë ekzekutuar “Katër stinët” e Antonio Vivaldit. Pas kësaj janë interpretuar edhe “Vallet popullore rumune” të Bela Bartokut.

Solistët në violinë – Rron Bakalli me “Pranvera” dhe “Vera”, Pleurat Doli me “Vjeshta” dhe Drenusha Lota me “Dimër” – e kanë shëtitur publikun e pranishëm nëpër “Katër stinët” e Vivaldit, duke ia mundësuar ikjen nga përditshmëria e zymtë e pandemisë. Pikërisht shkaku i masave antiCOVID, numri i adhuruesve të muzikës klasike ka qenë i kufizuar në “Lumbardh”. Por, kjo nuk ka paraqitur ndonjë pengesë për anëtarët e Filharmonisë, të cilët janë përshtatur edhe me kushtet e sallës së “Lumbardhit” për ta prezantuar programin e përgatitur nga koncert-mjeshtri Visar Kuçi.

Image
Shkaku i masave antiCOVID, numri i adhuruesve të muzikës klasike ka qenë i kufizuar në “Lumbardh”

Me emocione është ndarë nga ky koncert edhe solisti i ri, Rron Bakalli.

“Besoj se çdo muzikant do të kishte emocione shumë të mira, sepse ishim solo me Filharmoninë e Kosovës dhe për neve është një privilegj i jashtëzakonshëm të luash me kolegët, profesorët që i kemi pasur për katër vjet”, ka thënë ai. Interpretimi nuk ka qenë i lehtë, por, sipas tij, përvoja e mëparshme i ka ndihmuar në këtë drejtim.

“Ishte e vështirë, normalisht, duke marrë parasysh që ke përgjegjësinë e solistit, është një përgjegjësi tjetër nga orkestra. Por, duke pasur parasysh që këtë vepër e kam luajtur edhe njëherë me një orkestër tjetër, e pata pak më ndryshe dhe shkoi shumë mirë”, ka deklaruar ai për KOHËN.

Koncert-mjeshtri Visar Kuçi ka pohuar se ky program është i veçantë, meqë u jep hapësirë solistëve të rinj. Kuçi njëherësh ka vlerësuar se paraqitja e tyre në Prizren ka qenë më e mirë sesa ajo e afër një muaji më parë në koncertin e mbajtur në Prishtinë. I është referuar koncertit të 2 prillit në Atelienë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.

“E patëm reprizën e koncertit, të cilën e kemi bërë diku para një muaji në Prishtinë. Ishin ‘Katër Stinët’ e Antonio Vivaldit dhe Bela Bartok, ‘Vallet rumune’. Ka qenë një program shumë i veçantë, sidomos për faktin që solistët janë prej gjeneratës së re të Akademisë së Muzikës së Prishtinës dhe disa prej tyre janë edhe praktikantë në Filharmoninë e Kosovës. Edhe sonte, sikur në Prishtinë, ata u paraqitën shumë mirë para publikut dhe patën një lojë jashtëzakonisht të mirë, besoj më të mirë sesa ajo në Prishtinë”, është shprehur Kuçi.

Sipas tij, edhe salla në “Lumbardh” ka ofruar një atmosferë të posaçme për Orkestrën Harkore të Filharmonisë, ani pse nuk bëhet fjalë për një hapësirë koncertale.

“Edhe ashtu, ne jemi mësuar të luajmë në hapësira që nuk janë koncertale, kështu që gjithmonë duhet të adaptohemi. Sonte ishte komplet një ndjenjë tjetër prej koncertit në Prishtinë. Bile në prova e patëm pak vështirë të adaptoheshim në akustikë, sepse ishte komplet akustikë tjetër. Mirëpo, gjatë koncertit pati momente shumë të mira, të veçanta, të cilat edhe akustika na i mundësoi në momente të caktuara”, ka thënë ai.

Por kryesorja, sipas tij, ka qenë pritja e ngrohtë e publikut, ani pse në numër të vogël shkaku i masave kufizuese.

“Kur po është numri i vogël i publikut, edhe nëse po u pëlqen, ne po e kemi një ndjenjë se nuk po u pëlqen. Mirëpo, pastaj, gjatësia e duartrokitjeve në fund tregoi që publiku ishte shumë i kënaqur dhe ndjenja ishte shumë e ngrohtë në sallë prej anës së publikut”, ka deklaruar Kuçi.

Organizatori në Filharmoni, Dardan Selimaj, ka pohuar se Filharmonia e Kosovës gjatë pandemisë po e praktikon reprizimin e koncerteve edhe në qytetet e tjera.

“Krejt kjo ka qenë rimendim i sezonit për shkak të pandemisë, që numri i interpretëve në skenë të mos jetë 60, siç është zakonisht, por të prezantohemi me programe pak më të vogla”, ka shpjeguar ai.

Image
Turnetë nëpër Kosovë të Filharmonisë vijnë edhe si imponim për shkak të pandemisë