Violinisti Rron Bakalli qysh në lëvizjet e para në violinë ka paralajmëruar ardhjen e stinës së pranverës.
Me një lojë intensive që ka dëshmuar talentin e tij, ai ka përshkuar një rrugëtim nëpër shumëngjyrshmërinë e dy stinëve të vitit. Me interpretimin e tij, ka nisur zbërthimi i veprës “Katër Stinët” e kompozuar në vitin 1716–1717 nga kompozitori italian Antonio Vivaldi. Ndriçimi i sallës me të kaltër ka përcjellë simbolikën e koncertit të realizuar në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin.
Instrumentisti Rron Bakalli së bashku me Pleurat Dolin, e Drenusha Lota kanë debutuar me role solistike, të përcjellë nga orkestra e Filharmoninë së Kosovës. Për Bakallin ky do të mbetet një koncert i paharruar edhe për faktin se kanë shkëmbyer një energji shumë të mirë me publikun.
Pleurat Doli, i cili është pjesë e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës me tingujt e tij në violinë ka sjellë qetësinë dhe stuhitë e vjeshtës. Mes duartrokitjeve i ka lëshuar skenën violinistes Drenusha Lota, e cila përmes tingujve ka përshkuar peizazhet e stinës së dimrit.
Përzgjedhja e instrumentistëve për koncertin “Skena Iuvenis” ka marrë konfirmimin e publikut me duartrokitje të shumta. Kjo ia ka shtuar gëzimin edhe koncert-mjeshtërit Visar Kuçi.
Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, e ka vlerësuar koncertin si një befasi të mirë që nxjerr në pah potencialin e gjeneratës së re të instrumentistëve.
Kurse drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se një vepër si “Katër stinët” është një përkujtesë për stinët e kaluara në pandemi.
Koncerti është përmbyllur me “Vallen popullore rumune” e cila tek publiku në kryeqytet ka përcjellë melosin malësor të Transilvanisë e ndjesitë e fyejve baritorë.
Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncert më 7 prill 2021 prej orës 19:00 në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë.