Kulturë

“Siparantum” i Kosovës në festivalin që bashkon 35 vende të botës

Në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe sivjet virtualisht bashkon 100 kore, “Siprantum” vazhdon misionin e vet – promovimin e kulturës. Pjesëmarrja do të bëhet me vepra të regjistruara e ato do të jenë nga kompozitorë shqiptarë. Pos kësaj, udhëheqësi i korit, dirigjenti e kompozitori Memli Kelmendi do të përfaqësohet edhe me një vepër të tijën. Ajo do të interpretohet nga kore të huaja

Mbi 100 kore nga 35 shtete të botës do të bëhen virtualisht bashkë në edicionin e 69-të të Festivalit Evropian për të Rinj. Mes tyre do të jetë edhe kori nga Peja. Anëtarët e “Siparantumit”, në krye me dirigjentin Memli Kelmendi, i janë përveshur punës për ta sjellë një program të pasur muzikor, që thekson edhe krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë. Në këtë vit pandemik, sipas Kelmendit, rikthimi në prova me grupacione të vogla si dhe pjesëmarrja në një festival të përmasave të tilla është frymëzues për “Siprantumin”, që tash një vit ka pasur një numër shumë të vogël aktivitetesh.

Festivali Evropian për të Rinj, apo në origjinal “Eurpees Muziekfestival voor de Jeugd”, i njohur shkurt si EMJ, sipas përshkrimit në ueb-faqe, synon t’u ofrojë grupeve vokale dhe instrumentale mundësinë për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje unike.

Ani pse edicioni i sivjetmë do të jetë online, organizatorët në komunikatën për media kanë bërë të ditur se do t’i ruajnë vlerat dhe aktivitetet thelbësore të festivalit. Kanë treguar se koret do të performojnë përpara një jurie ndërkombëtare një repertor të regjistruar më parë. “Siprantumi” pritet ta dorëzojë videon e vet brenda tri ditëve në vazhdim. Koret më pas do ta marrin një raport vlerësues nga juria e festivalit. Të gjitha koncertet të cilat do t’i shohë juria më pas do të mund të shikohen përmes transmetimeve në rrjetet sociale dhe ueb-faqen e festivalit më 1 maj, ditën kur edhe shënohet ky edicion njëditor.

“Ne e kuptojmë që është e vështirë për shumë kore e grupe të ushtrojnë nën masat aktuale, por do të dëshironim të kujtonim se mesazhi kryesor që festivali dëshiron ta përcjellë – veçanërisht në këtë kohë – është afrimi dhe lidhja e miqësive nëpërmjet muzikës. Të bësh muzikë dhe të ndihesh i bashkuar është më e rëndësishme sesa të japësh performancën tënde më të mirë ndonjëherë”, është shkruar në komunikatën për media të festivalit.

Në maj të vitit të kaluar, po ashtu edicioni i 68-të u mbajt online. Me qindra njerëz nga e gjithë bota, nga dhoma e ndenjes, mund të ekzekutonin një vepër të përzgjedhur nga EMJ-ja. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, organizatorët e nisën organizimin e edicionit të 69-të të festivalit në Neerpelt të Belgjikës. Megjithatë, situata e tanishme e pamundëson udhëtimin e grupeve brenda Evropës dhe organizimin e një ngjarjeje të përmasave të tilla.

Për dirigjentin e udhëheqësin e korit “Siparantum”, kompozitorin Memli Kelmendi, pjesëmarrja në këtë festival është një mundësi e mirë për ta shpalosur repertorin e tyre para jurisë dhe koreve të tjera pjesëmarrëse dhe audiencës ndërkombëtare.

“Kjo tregon vazhdimësinë e qëllimit tonë për ta promovuar kulturën brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë Kelmendi. Ka shtuar se – përveçse promovon kulturën dhe veprat e kompozitorëve shqiptarë – pjesëmarrja në këtë festival ua mundëson të rinjve kosovarë, pjesë e korit “Siparantum”, që të mësojnë më shumë, t’i shohin të tjerët se si punojnë dhe të punojnë edhe vetë në ngritjen e cilësisë profesionale të korit.

Për koret që e pëlqejnë një sfidë shtesë, ekziston mundësia për ta studiuar një vepër shtesë dhe për të marrë pjesë në një kategori të dytë. Kjo vepër kompozohet si pjesë e projektit evropian “WeBEUnited” dhe ka një ekzekutim të planifikuar në disa vende evropiane. E, për kategorinë “Ballkan Challenge”, në kuadër të bashkëpunimit “West-Balkan and Europe United, Musical Synergies for Young Artists”, Kelmendit i është kërkuar që ta kompozojë një vepër. Ai tashmë e ka dorëzuar kompozimin “Me një lule” (për kor miks).

“Festivali më ka ftuar që ta shkruaj një vepër pa ndonjë motiv të caktuar, por kam dashur që ta shkruaj një tekst në gjuhën shqipe dhe kjo ka rëndësi pasi që ajo do të interpretohet nga koret e tjera pjesëmarrëse dhe pikërisht në gjuhën shqipe”, ka thënë ai, duke treguar se vepra është bazuar në thënien “Me një lule nuk çel pranvera”. Brenda saj, sipas kompozitorit, vërehen ritmet, meloditë, motivet shqiptare dhe elementet e folklorit shqiptar.

“Besoj se kjo e bën të rëndësishme dhe i jep ngjyrë. Po ashtu, ka edhe lëvizje e duartrokitje që janë të lidhura direkt me melosin tonë folkloristik”, ka thënë ai. Sipas tij, i gjithë ky sukses është arritur me punën e madhe që po bëhet nga anëtarët e korit.

“Vetë pjesëmarrja e korit dhe pjesëmarrja ime ndaras si kompozitor në këtë kohë pandemie mendoj se janë motive shtesë që ne të vazhdojmë aty ku kemi mbetur, veçanërisht për korin që tash e një vit e ka ndërprerë punën e tij të rregullt”, ka thënë Kelemendi.

“Siparantum”, siç shkruhet në prezantimin e këtij formacioni, është themeluar katër vjet më parë në bazë të një trashëgimie artistike të këndimit koral në Pejë. Kori u krijua nga vullneti i lirë i qytetarëve nga zona dhe kategori të ndryshme, pavarësisht nga mosha, gjinia, raca, feja dhe statusi shoqëror, me ëndrrën dhe angazhimin e njëjtë – për të dhënë dashuri, besim dhe shpresë, duke u kënduar të gjithë atyre që besojnë në një të ardhme më të mirë të botës. Ky kor ka një tjetër qëllim të rëndësishëm – ta promovojë Kosovën në rajonin e Ballkanit dhe në mbarë botën përmes muzikës artistike dhe ndërkombëtare, të përbërë nga kompozitorë të mirënjohur të shekujve të kaluar e deri te këta të ditëve të sotme.

Pjesëmarrja në vitin 2019 në “Nancy Voix Du Monde” të Francës është një prej sukseseve të “Siparantumit”. Po ashtu edhe marrja e mirënjohjes speciale vitin e kaluar nga juria e festivalit në edicionin e 15-të të “International Choir Contest Flanders” në Genk të Belgjikës. “Siparantum” aty u paraqit për herë të parë. Më 5 tetor të 2019-s ishte testuar me veprën “Amor io fallo” të kompozitorit flaman Jan Van Der Roost dhe më 6 tetor ishte paraqitur me një program të përzgjedhur nga vetë kori. Ishin përzgjedhur vepra të larmishme të kompozitorëve të njohur botërorë dhe të atyre shqiptarë, në mesin e të cilave vepra të Rafet Rudit, Mendi Mengjiqit, Kreshnik Aliçkajt, Memli Kelmendit, e të tjera. Falë pjesëmarrjes në këtë festival, kori nga Peja u përfshi në CD-në e lansuar nga festivali bashkë me tetë kore të tjera që njihen për traditë e profesionalizëm. Kori u paraqit me veprën “Xhike-Loke” të Rafet Rudit, si edhe me veprën tradicionale nga Ekuadori, “Apamuyo Shungo”, me përpunim të Gerardo Guevaras.

Për shkak të pandemisë, kori e pati të pamundur pjesëmarrjen në “World Choir Games” (Garat botërore të koreve), që do duhej të mbaheshin vitin e kaluar prej 5 deri më 15 korrik, në Antwerp dhe Ghent të Belgjikës. “Siparantum” do ta përfaqësonte Kosovën në garat ku do të merrnin pjesë hiç më pak se 542 kore e mbi 25 mijë artistë. Organizatorët e edicionit të 11-të të “World Choir Games” në Belgjikë zgjodhën një mënyrë atraktive për ta dhënë lajmin se e kanë shtyrë edicionin e sivjetmë. Publikuan një video, ku anëtarë nga kore të ndryshme të botës këndojnë së bashku këngën “Better is one day”, me thirrjen që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi. Pjesë e tyre ishte bërë edhe “Siparantumi”. Ky ishte aktiviteti i tyre i vetëm gjatë kësaj periudhe të pandemisë.