Prishtinë, 20 prill – Elementet reale dhe të imagjinuara poetike, personazhe mitike e ngjarje të vërteta janë shkrirë në pëlhurë e letër, duke krijuar një kombinim mes klasikes dhe modernes.
E para vjen kryesisht me vizatime me tush, ku figurat e paraqitura marrin formë gati skulpturore. Ajo që i bën të dallojnë nga modernia janë ngjyrat më të errëta dhe kompozicionet. Në anën tjetër, shpirti artistik i Demush Avdimetajt shpërfaqet edhe nëpërmjet pikturave abstrakte, të cilat vijnë me një kolorit ekspresionist dhe shpeshherë elementet e kubizmit bien lehtas në sy. Prandaj edhe ekspozita e tij, e cila u hap të enjten në Galerinë e Ministrisë së Kulturës –“Qafa”, u titullua “Simbiozë e artit klasik dhe modern”. Avdimetaj, shpalosi 30 punime, të cilat janë pjesë e disa cikleve.
Është e qartë se frymëzohet nga ambienti ku jeton, dhimbja e popullit, drama, miti, tradita e po ashtu edhe epikja e lirikja. Shprehja e tij artistike përthekohet me mite siç ngjan në veprat “Aromë antikiteti”, “Rozafatit”, me historinë që shpaloset me portretin e Skënderbeut, “Gjergj Kastrioti – Profil i imagjinuar”, kubizmin me “Ritëm ikonografik”, a me peizazhe në “Motiv nga bjeshka”. Në këtë formë Avdimetaj, i cili është ilustrator i shquar dhe piktor me qasje të veçantë, bën që veprat e tij të jenë unike dhe stili i tij është lehtë i dallueshëm. Prej më shumë se 100 veprave që ai ia kishte prezantuar piktorit Nebi Muriqit, ka zgjedhur vetëm 30 sosh që t’i ekspozojë. Muriqi ishte edhe kurator i kësaj ekspozite (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
{gallery}