Pas vendimeve të Qeverisë rreth masave të reja të izolimit në luftë kundër COVID-19 pati reagime negative, fillimisht nga presidenti i Republikës së Kosovës, e më pas edhe nga deputetë opozitarë, parti opozitare, opinionbërës e gazetarë, të cilët vendimet e Qeverisë i kualifikuan si kërcënim për “rendin kushtetutar-juridik të Republikës së Kosovës”, si dhe cenim të së drejtës së lëvizjes së qytetarëve.
Sado që këso lloj masash kufizuese i ndërmorën gjithandej edhe vendet me demokraci të konsoliduar, te ne u pretendua që ato masa të interpretohen si masa mesjetare, të cilat, për shkak se ndërlidhen me lirinë e lëvizjes, e penalizojnë drejtpërdrejt trupin, shkruan KOHA.
E ndëshkimi i trupit është forma më e trashë e penalizmit të njeriut! Këto reagime – përtej kontekstit politik (aspak legjitim, sepse në mënyrë imorale artificialisht përpiqen ta mohojë realitetin e gjithëpranisë së COVID-19!) të luftës për pushtet – në këtë trajtesë jam i pirur t’i shoh në një kontekst më të gjerë të qytetërimit njerëzor (jo me qëllim të relativizimit të tyre) në përgjithësi, dhe në veçanti në kontekstin e gjendjes së pasigurisë globale të krijuar pas shfaqjes së virusit Korona, i cili radikalisht e ka përmbysur rendin hierarkik të marrëdhënies (të betonuar sidomos në shoqëritë me sistem qeverisës liberal-demokratik) midis Lirisë dhe Sigurisë.
Liria dhe siguria
Në veprën “E ardhmja e një iluzioni” Frojdi konstaton se qytetërimi ynë është produkt i shkëmbimit të lirisë (shtytësve primordialë) me sigurinë. Deri para shfaqjes së virusit Korona, në epokën tonë të globalizimit (sidomos te shoqëritë liberale) kjo paradigmë është përmbysur: liria e ka kolonizuar territorin e sigurisë. Në shoqëritë liberale, individi, duke qenë subjekt qendror i shoqërisë, ka arritur që lirinë personale ta trajtojë si burim i prodhimit të sigurisë komunitare e globale.
Nën kushtet e kërcënimit të pandemisë COVID-19, “paniku” i njeriut të epokës së globalizimit për humbjen e lirisë gjithandej vendeve liberaldemokratike do të manifestohet si trandje e kujtesës për “mëkatin” e vet të harrimit ndaj qenies së sigurisë, burimet e së cilës shtrihen përtej kufijve të lirisë individuale: në forcat e epërme të natyrës. Fuqitë e qytetërimi, duke prodhuar shkallë të lartë sigurie, e kanë nxjerrë nga fushëpamja e vëmendjes së shoqërisë moderne burimin primordial të pasigurisë: natyrën.
Arritjet e qytetërimit, thotë Frojdi, kanë lindur nga nevoja e mbrojtjes prej forcave shkatërruese të natyrës. Njerëzit bëjnë luftëra për pushtet dhe për akumulim të fuqisë, por vetëm kur ndodhen përballë kërcënimeve të natyrës ata ndërgjegjësohen për kërcënuesin e vërtetë të tyre dhe, duke lënë mënjanë ndasitë dhe konfliktet me njëri-tjetrin, për një moment bëhen bashkë kundër kërcënuesit të përbashkët.
Veprimtaritë praktike dhe veprimtaritë njohëse për sigurinë
Historia e qytetërimit njerëzor dëshmon se njerëzimi, i nxitur nga nevoja për sigurimin e llojit të vet në botë, përmes veprimtarive praktike dhe atyre njohëse (teorike), ka prodhuar mekanizma mbrojtës që kanë kuptim e domethënie qenësore mbrojtëse për rrafshe të caktuara të ekzistencës njerëzore. Një nga arritjet e qytetërimit, i cili e garanton sigurinë e jashtme për llojin njerëzor në botë në raport me kërcënimet që atij i vijnë nga natyra, në njërën anë dhe nga ana tjetër, nga vullnetet e antagoniste për fuqi (midis individëve apo midis kolektiviteteve të ndryshme): është shteti.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.