Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shumica e filloristëve s’i kujtojnë tre librat e fundit të lexuar

Shkalla e leximit të nxënësve të shkollave fillore në kryeqytetin e Kosovës është alarmante. Më shumë se gjysma e filloristëve nuk arrijnë të kujtojnë as tre librat e fundit të lexuar. Nga 878 nxënës të anketuar, vetëm 46.2 për qind kanë arritur të kujtojnë tre librat e fundit të lexuar. Një përqindje prej 23.9 për qind kanë arritur të kujtojnë vetëm dy sosh, përderisa 12.1 për qind e nxënësve nuk kanë arritur të kujtojnë asnjë libër të vetëm. Këto kanë qenë vetëm disa nga gjetjet e raportit më të ri të organizatës joqeveritare “ETEA” mbi lexueshmërinë në shkollat fillore publike të Komunës së Prishtinës, shkruan sot Koha Ditore.

Ky raport, i cili u shpalos të premten në librarinë “Dukagjini”, saktëson se hulumtimi mbi lexueshmërinë ka përfshirë gjithsej 20 shkolla fillore nga 44 sa janë gjithsej. Raporti “Lexueshmëria në shkollat fillore publike të Prishtinës” vjen pas atij “Lexueshmëria në shkollat e mesme të ulëta publike të Prishtinës”, që u publikua në maj. Edhe aty kishte dalë se as gjysma e nxënësve s’i kujtojnë tri lektyrat e fundit që i kanë lexuar.

Numri më i madh i respondentëve ka qenë në zonat urbane me 78.3 për qind të numrit të gjithëmbarshëm të të anketuarve, përkundër 21.7 për qind e nxënësve të anketuar në zonat rurale. Raporti nxjerr në pah që nxënësit e niveleve më të larta klasore të nivelit fillor kanë shfaqur përqindje më të larta të lexueshmërisë.

“Rënia e nivelit të leximit fillon të bjerë nga kalimi prej klasave të katërta në klasat e pesta me 57.5 për qind të nxënësve që kanë qenë në gjendje të kujtojnë tre librat e fundit. Analizat gjinore mbi nivelin e lexueshmërisë tregojnë që vajzat lexojnë më shumë libra sesa djemtë me një mesatare prej 2.14 libra përkundër 1.96 të librave të lexuar me vetëdëshirë nga djemtë”, thuhet në përmbledhjen e gjetjeve kryesore.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)