Kulturë

Shtyhet afati i punimeve në Teatrin Kombëtar, 200 mijë euro punë shtesë

teatri

Ndërtesa e TKK-së në qendër të qytetit tashmë duket si gërmadhë shkaku i ndërhyrjeve demoluese, për t’i hapur rrugë restaurimit. Forcimi i statikës është gjë e vërejtshme që po u bëhet strukturave (Foto: MKRS)

Një prej investimeve më të mëdha kapitale në infrastrukturën kulturore del se s’mund të mbyllet as me 7 milionë euro. Ministria e Kulturës nëpërmjet negocimit do të shtojë edhe 198 mijë e 516 euro që të kryhen punë shtesë në ndërtesën që është monument. Punët i janë besuar “LimitProject Sh.P.K”, kompani që bashkë me “Rinesa Sh.P.K” janë duke i kryer punimet. Punimet e nisura në fillimtetorin e vitit të kaluar, më shumë se dy vjet pasi ndërtesës i ishte vënë dryni – gjoja për rrezikshmëri, konstatim ky joekzistent në raporte profesionale – del të mos ketë mundësi të kryhen për 12 muaj, siç përcaktonte kontrata në vlerë 6 milionë e 994 mijë e 937 euro.

Kostoja e restaurimit të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës është rritur për 200 mijë euro. Po ashtu, është zgjatur periudha e përfundimit të punimeve. Një prej investimeve më të mëdha kapitale në infrastrukturën kulturore del se s’mund të mbyllet as me 7 milionë euro. Ministria e Kulturës nëpërmjet negocimit do t’i shtojë edhe 198 mijë e 516 euro që të kryhen punë shtesë në ndërtesën që është monument. Punët i janë besuar “LimitProject Sh.P.K”, kompani që bashkë me “Rinesa Sh.P.K” janë duke i kryer punimet.

Punimet e nisura në fillimtetorin e vitit të kaluar, më shumë se dy vjet pasi ndërtesës i ishte vënë dryni – gjoja për rrezikshmëri, konstatim ky joekzistent në raporte profesionale – del të mos ketë mundësi të kryhen për 12 muaj, siç përcaktonte kontrata në vlerë 6 milionë e 994 mijë e 937 euro.

Ndërtesa e TKK-së në qendër të Prishtinës tashmë duket si gërmadhë shkaku i ndërhyrjeve demoluese, për t’i hapur rrugë restaurimit. Forcimi i statikës është gjë e vërejtshme që po u bëhet strukturave.

Sipas kompanisë “LimitProject Sh.P.K”, që prej 13 shtatorit të vitit të kaluar i mban çelësat e ndërtesës, gjatë zbatimit të punimeve në TKK, pas fillimit të fazës së demolimeve, janë evidentuar disa pozicione të paqarta dhe mungesë e disa elementeve në paramasë dhe projektin fillestar.

“Këto pozicione kanë rezultuar të jenë punë shtesë të domosdoshme për realizimin e plotë të ndërhyrjes”, ka thënë Lulzim Zaraj nga kjo kompani, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Sipas tij, siç dihet, projektet që lidhen me ndërhyrje në objekte të trashëgimisë kulturore shpesh hasin në situata ku pozicionet dhe zgjidhjet finale mund të përcaktohen vetëm pas ndërhyrjeve fizike, pastrimit dhe inspektimit të detajuar në terren.

“Për shkak se Ligji për Trashëgiminë Kulturore parasheh procedura më të rrepta dhe afate të zgjatura për miratime, është dashur ta presim aprovimin përkatës para se të vazhdonim me punët shtesë. Ky proces ka ndikuar në shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, në përputhje me afatin e kërkesës për punët shtesë dhe datën e nënshkrimit të tyre”, shkruhet në përgjigje. Sipas tij, të gjitha procedurat janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi dhe kërkesat përkatëse ligjore, duke i respektuar standardet dhe rregulloret për ndërhyrje në objekte të trashëgimisë kulturore. Kompanisë një herë i ishte refuzuar oferta shkaku se paramasa aktuale nuk përkonte me atë të kontratës bazë. Por më pas janë marrë vesh me MKRS-në. Dallimi në çmim është për 1500 euro më i lirë. Punët shtesë përfshijnë demolime, suvatime e disa aktivitete të tjera.

KOHA të hënën i është drejtuar me pyetje edhe Ministrisë së Kulturës sa i përket këtij rasti. Por, si zakonisht, ky institucion nuk është përgjigjur.

Projekti i hartuar nga profesorët universitarë të Fakultetit të Arkitekturës, atij të Ndërtimtarisë, Inxhinierisë Elektrike dhe Inxhinierisë Mekanike e ruan formën aktuale të ndërtesës së viteve ’40 të shekullit të kaluar. Shtesa janë bërë nga prapa në një aneks të shtuar në vitet ’80. Arkitektura e re e bazuar në nevojat e institucionit, nuk tejkalon pikën më të lartë aktuale të monumentit. Gjatë një prezantimi të mbyllur në fillim të prillit të vitit të kaluar, profesori i Inxhinierisë së Ndërtimit, Naser Kabashi, kishte thënë se është bërë diçka e mundshme për kushtet që janë. 

Sipas projektit, ndryshimet në organizimin e brendshëm nxjerrin në pah se hapësira që ka qenë bufe dhe fondus, bashkohen në një për sallë provash. Skenë alternative del të jetë ish-salla e Baletit Kombëtar të Kosovës, kurse interpolimi e përfshin të ashtuquajturën “Green Room” ku midis të tjerash, do të ketë sallë leximi e “media fasadë”, fasadë që jep mundësi të reklamimit të shfaqjeve në ekrane. Është shtesa ku materiali “corten” – çelik i njohur për intervenime të tilla – dominon.

Me “corten” do të mbështillen disa grupacione të kthinave të reja të teatrit. 

“Mbi kafazin e aneksit të ruajtur të viteve ‘80 krijohet ‘Green Room’ – hapësira për shumë qëllime e trupës së teatrit, e në segmentin jugor ngrihet në dy kate një segment i ri rreth 20 metra i gjatë, që formohet si hapësirë shtesë për trupën e teatrit dhe për apartamentet sipër në nënkulm. Këto dy segmente lidhen në një strukturë të vetme përmes materializmit të mbështjellësit corten që i mbështjell ato, që të duken si një strukturë e vetme e interpeluar”, shkruhet në projekt. Sipas këtij dokumenti, do të aplikohen tre tipa të paneleve corten: panele solide, që do të vendosen aty ku kërkohet mbyllje e plotë e sipërfaqeve, panele me përforcim të rrallë për ta kontrolluar dritën në disa segmente të mbulesës së “Green Room”.

Gjatë sqarimeve të projektit, hartuesit kishin bërë me dije se shtesat do të jenë të betonit. 
Ndërtesa e TKK-së ishte mbyllur nga Ministria e Kulturës në korrik të vitit 2022, me arsyetimin se paraqiste rrezik. Qe një arsyetim i paqenë, pasi raporti i profesorëve universitarë nuk e konstatonte këtë. Në maj të vitit 2022, një grup i profesorëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës ia kishte dorëzuar Ministrisë së Kulturës një raport mbi gjendjen e objektit.

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës bashkë me Ministrinë e Kulturës e kanë mbyllur ndërtesën e institucionit më të lartë teatror. Të paktën profesionistët që janë thirrur për të bërë një vlerësim të gjendjes fizike të ndërtesës nuk kanë rekomanduar mbyllje. Nuk është konstatuar se ndërtesa si tërësi paraqet rrezik për punëtorët dhe publikun, e as që gjendja është alarmante. Në raportin që zyrtarisht titullohet “Vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, hartimi i termave të referencës (tor) dhe ndërhyrjet e menjëhershme të evidentuara”, nuk shkruhet se ndërtesa paraqet rrezik për punonjësit apo publikun. Raporti i detajuar e shpërfaq gjendjen e secilës pjesë të ndërtesës. Nxirren përfundime se në shumicën e pjesëve ka nevojë për ndërhyrje. Për këtë edhe janë dhënë një varg rekomandimesh.

Nga paslufta e deri më tani, objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës është rinovuar gjashtë herë. Më 2010, në atë që u quajt rinovim, u shpenzuan 150 mijë euro. Më pas ishte një rinovim i vitit 2015, rinovimi i parë pas luftës qe ai i vitit 2000, për të vazhduar edhe më 2004 dhe 2007. Më 2022, po ashtu qe një rinovim i nyjave sanitare dhe banjave të Baletit.

Prej shtatorit të vitit 2022, teatri u zhvendos në atë që tash quhet Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.