Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, fagotisti Meriton Ferizi, aktualisht është zyrtari i parë dhe i vetëm i këtij institucioni që nuk ka ende as hapësirë ku do të funksionojë. Puna e tij bashkë me Këshillin Përgatitor për inicimin dhe funksionalizimin e institucionit të Operës do të vazhdojë paralelisht me përgatitjet për koncertin inaugurues të 25 tetorit
Ministria e Kulturës ka nisur hapat e parë drejt funksionalizimit të Operës së Kosovës. Ministri Hajrulla Çeku ka emëruar anëtarët e Këshillit Përgatitor për inicimin dhe funksionalizimin e institucionit të Operës së Kosovës. Po ashtu ka bërë emërimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të këtij institucioni. Ushtruesi i detyrës së drejtorit, fagotisti Meriton Ferizi, aktualisht është zyrtari i parë dhe i vetëm i këtij institucioni që nuk ka ende as hapësirë ku do të funksionojë. Puna e këtyre dy organeve do të vazhdojë paralelisht me përgatitjet për koncertin inaugurues të 25 tetorit.
Pasi Kuvendi i Kosovës në gusht miratoi vendimin nëpërmjet të cilit me letra e bën shtetin me Operë, anëtarët e Këshillit Përgatitor: Merita Juniku, Inva Mula, Dardan Selimaj, Rreze Kryeziu-Breznica, Besa Luzha, Edon Ramadani e Mehdi Uka, sipas vendimit, do të kryejnë të gjitha detyrat për funksionalizimin e institucionit të Operës. Ata kanë për detyrë që të bëjnë hartimin e organogramit të brendshëm e po ashtu edhe hartimin e akteve nënligjore. Janë përgjegjës për krijimin e kushteve adekuate infrastrukturore për punë, për hartimin e planit vjetor të punës e programit artistik, do të bëjnë kërkesat e të mbikëqyrin procesin e pranimit të stafit bazik të institucionit. Shtatëshja do të paguhet sikurse anëtarët e këshillave drejtuese të institucioneve të tjera të kulturës. Kurse ushtruesi i detyrës së drejtorit, Meriton Ferizi, do të jetë në këtë pozitë deri në momentin që krijohen kushtet adekuate për funksionalizimin e operës. Ai ka kompetencë për drejtimin e institucionit, por është veçanërisht përgjegjës për të iniciuar, zhvilluar e administruar të gjitha procedurat për krijimin e strukturës bazike të të punësuarve në Operë. Sipas vendimit, Ferizi do të ketë pagë ekuivalente me drejtorin e Filharmonisë e të Baletit Kombëtar të Kosovës.
Ky vendim i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, është marrë pa ndonjë bazë ligjore, e cila drejtpërdrejt e ngarkon Çekun ta emërojë ushtrues detyre, por, sipas arsyetimit, në raste të tilla ku institucioni nis të themelohet ministri mund të delegojë përgjegjësi si epror i Këshillit Drejtues të Operës.
Fagotisti Meriton Ferizi deri të mërkurën, kur është marrë vendimi, ishte i angazhuar si instrumentist nga Filharmonia e Kosovës. Ai në këtë institucion kishte punuar si punonjës i rregullt deri në fund të vitit 2013. Më pas, për katër vjet ishte drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Gjakovë, kur kjo komunë udhëhiqej nga Mimoza Kusari-Lila.
Ferizi ka thënë se mandati si ushtrues detyre është fillimisht për 6 muaj.
“Detyra për çka jam dhe jemi emëruar bashkë me Këshillin Përgatitor dhe grupin organizator është që t’i përgatisim strukturat bazë të institucionit fillimisht dhe ta sjellim në gjendje institucionin për t’i hapur pastaj pozitat e rregullta për drejtorin e përgjithshëm, drejtorin artistik, Këshillin drejtues e artistik”, ka thënë ai. Sipas tij, është duke u punuar për koncertin inaugurues dhe ai nga e hëna do të jetë pjesë e ekipit.
“Kështu që nga e hëna takohem për herë të parë me Këshillin Përgatitor, i cili më raporton se deri ku ka arritur organizimi, programi, pjesëmarrësit e të tjera. Sot më njoftuan që ministri është në takim për sigurimin e zyrave për Operë dhe Balet në Pallatin e Rinisë”, ka thënë ai.
KOHA ka raportuar se një objekt për operë nuk duket as në horizont e as akti i themelimit të Operës së Kosovës që ta festojë me koncert inaugurues. Pa u bërë një muaj prejse u bë publike se hoqi dorë nga lokacioni për teatrin e operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” te Fakulteti Teknik – një projekt shembull i dështimit për dhjetë vjet e me një milion euro të shpenzuara kot – Ministria e Kulturës kishte hapur atë që e ka quajtur “Konkurs për angazhim në koncertin inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës”. Deri të martën priti konkurrentë për 101 pozita. Ka vend për 61 instrumentistë e 40 koristë. Kontrata, një muaj. Do të ngjiten në një skenë të improvizuar në sallën e sporteve në Pallatin e Rinisë. Në objektin e inauguruar më 1977, do të inaugurohet vendimi për të cilin në fillim të muajit të kaluar të këtij viti votuan deputetët e pushtetit e të opozitës.
Liburn Jupolli, kompozitor e shpikës instrumentesh, në cilësinë e këshilltarit të ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku, e kishte arsyetuar mbajtjen e këtij koncerti si dëshmi e përkushtimit për themelimin e një institucioni si Opera e Kosovës.
“I kemi marrë hapat e njoftimit me ‘Opera Europa’, që është një prej strukturave operistike që i mbledh dhe u ndihmon strukturave operistike në Evropë dhe po ashtu është organizatore e Ditës Botërore të Operës. Ne jemi në kontakt dhe kemi hyrë si institucion në listën e tyre dhe po ashtu kemi hyrë si koncert zyrtarisht në programin që zhvillohet në mbarë Evropën si njëri prej koncerteve të një institucioni të ri që është themeluar ligjërisht”, kishte thënë ai. Ka treguar se krejt hapat e deritashëm sa i përket koncertit janë bërë paralelisht me veprimet e ndërmarra për administratën e institucionit që pritet të finalizohet këtë vit.
“Kemi bërë edhe kërkesën për kod të veçantë buxhetor për Operën, siç i kanë kodet Filharmonia dhe Baleti. Kodi do të funksionalizohet gjer në fillimin e vitit të ardhshëm, ku do të kemi derën e hapur për ta pasur të njëjtin audicion pak a shumë, normalisht më të zgjeruar pasi struktura e administrimit të Operës është më e ndjeshme dhe më e gjerë dhe do të kërkohen profilet më të veçanta të operës”, kishte thënë ai. “Me këtë do të mund të planifikojmë sezonin e parë në fillim të vitit të ardhshëm”, kishte treguar menjëherë ai.
Sa i përket hapësirës që do të shfrytëzojë institucioni, ka thënë se tashmë veç i kanë disa propozime për lokacion. Sipas tij, në fillet e veta Opera nuk ka nevojë për ndonjë hapësirë të madhe.