Kulturë

Shteti kujtohet për shpëtimin e strukturave antike midis Prizrenit

Sheshi i Lidhjes

Dolën në pah në vitin 2014, e prej 2016-s pos deklaratave se janë me peshë, për strukturat arkeologjike të shekullit III-IV në “Sheshin e Lidhjes” në qendër të Prizrenit s’u bë asnjë hap për konservim e restaurim. U lanë pasdore edhe prej pushtetit lokal dhe atij qendror, përkundër alarmit e raporteve të ekspertëve se strukturat përditë e më shumë po humbin vlerat. Tash, të paktën kanë nisur punimet dhe është publikuar një projekt ideor

Në tetëvjetorin e zbulimit arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes” në Prizren, shteti është rikthyer me projekt konkret për ta restauruar e prezantuar para publikut. Ka gjashtë vjet që gjetjet e periudhës së antikitetit janë lënë pas dore prej pushteteve lokale e qendrore, përkundër alarmit e raporteve të ekspertëve se strukturat përditë e më shumë po humbin vlerat.

Tash, të paktën kanë nisur punimet dhe është publikuar një projekt ideor. Planifikohet që strukturat arkeologjike që datojnë nga shekujt III-IV të jenë të qasshme për vizitorë dhe hapësira përreth të rregullohet me kubëza guri, duke i dhënë një tjetër pamje krejt asaj pjese. Projekti ideor është publikuar të martën nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Sipas asaj që ka shkruar Çeku në rrjete sociale, në këtë hapësirë tejet të rëndësishme të trashëgimisë kulturore tashmë kanë filluar punët dhe vendi po bëhet gati për pjesën e parë të konservimit.

Ka sqaruar se projekti i prezantimit të këtij lokaliteti është përgatitur me qasje gjithëpërfshirëse, ku përmes analizave të zonës dhe diskutimeve publike janë përfshirë banorët, komuniteti i biznesit dhe komuniteti profesionist, në mënyrë që prezantimi final i Lokalitetit Arkeologjik të jetë reflektim i një zgjidhjeje të përbashkët.

“Prezantimi dhe promovimi i Lokalitetit Arkeologjik si një lokalitet me rëndësi historike, shkencore, kulturore dhe edukative, synon që të ngrejë vetëdijen për rëndësinë e këtij lokaliteti, si dhe të promovojë vlerat kulturore nëpërmjet zhvillimit të turizmit kulturor”, ka shkruar ai.

Koordinator i punimeve profesionale sa i përket pastrimit, dokumentimit dhe konservimit të strukturave është arkeologu prizrenas Vesel Hoxhaj. Ai ka thënë se hapësira është pastruar nga vegjetacioni e prej të enjtes së javës së kaluar ka nisur puna për pastrimin e lokalitetit.

“Sot (e martë v.j.) kemi nisur me dokumentim. Ky proces do të zgjasë dy ditë, pasi është i ndjeshëm”, ka thënë ai. Sipas Hoxhajt, konservimi i strukturave do të nisë javën e ardhshme. Në këtë proces janë angazhuar edhe arkeologia e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Zana Rama, e po ashtu edhe konservues e restaurues nga Muzeu i Kosovës dhe nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë.

“Me sa kemi parë, temperaturat në këtë muaj nuk do të jenë në minus, kështu që mund të vazhdojmë të punojmë anën profesionale arkeologjike. Kah fundi i javës që vjen mendojmë se do të përfundojë puna e arkeologëve, restauruesve dhe konservuesve”, ka thënë Hoxhaj.

Implementues i pjesës tjetër do të jetë “UN-Habitat”. Sipas njoftimit që ka bërë kjo organizatë, projekti është financuar nga Ministria e Kulturës dhe do të impelementohet nga kjo organizatë e Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu është bërë e ditur se procesi i hartimit të projektit është zhvilluar nga grupi i mandatuar punues i përbërë nga përfaqësues të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe Departamenti për Trashëgimi Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit dhe është udhëhequr nga zyra e “UN-Habitatit”.

Të martën ka pasur edhe një “garë” në rrjete sociale sa i përket rregullimit të hapësirës arkeologjike. Publikime të projektit, pos ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë bërë edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, e qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren. Kjo parti ka udhëhequr Prizrenin për katër vjet, por “Sheshi i Lidhjes” kishte ngelur me gropë në mes.

Image
Sipas asaj që ka shkruar ministri Çeku në rrjete sociale, në këtë hapësirë tejet të rëndësishme të trashëgimisë kulturore tashmë kanë filluar punët dhe vendi po bëhet gati për pjesën e parë të konservimit

Kur doli në pah më 2014, Lokaliteti Arkeologjik zgjoi goxha interes. Më pas u konstatua se bëhet fjalë për struktura që u takojnë shekujve III-IV. Gjetjet arkeologjike në “Sheshin e Lidhjes” u konsideruan goxha të rëndësishme për historinë e qytetit jugor.

Instituti Arkeologjik i Kosovës vazhdimisht ka përmendur tri propozimet që i ka dhënë për dukjen e hapësirës. Më 2019, pas dëgjimeve publike, i kishin rekomanduar Këshillit të Trashëgimisë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit që të miratohej njëri nga propozimet. Kurse nga Komuna kishin kërkuar mbështetje financiare e leje pune. Prej asaj kohe, pavarësisht takimeve, nuk qe bërë asnjë hap për zgjidhje praktike. Sivjet takimet me komunitetin dhe ato ndërinstitucionale duket se kanë dhënë efekt.

Gërmimeve në atë lokalitet u ka prirë arkeologu Shafi Gashi. Të martën ai nuk ka qenë i qasshëm për të folur për këtë temë.

“Duhet leje pune. Komuna ka insistuar t’u dërgohet projekti, janë mbajtur dëgjime publike, por nuk ka miratim nga Komuna”, kishte thënë ai në fillim të vitit 2021. Në diskutimet publike të mbajtura sivjet, Gashi kishte dhënë vërejtje për stërzgjatjen e këtij procesi.

“Dua të theksoj që te monumenti shumë pak material të luajtshëm kemi gjetur aty, por gjithsesi ato pak tjegulla çatie, ato pak elemente arkitekturore na lënë të kuptojmë që kemi të bëjmë me një fazë fillestare, gjegjësisht me periudhën klasike romake të shekullit III-IV”, kishte thënë ai në qershor.

Në shkurt të vitit 2020, Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit kishte kërkuar nga organet qendrore dhe ato komunale mbrojtjen e lokalitetit arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes”, me ndërmarrjen e masave adekuate drejt konservimit dhe prezantimit të tij. Sipas këtij këshilli, mbetjet arkeologjike në këtë lokalitet janë dëmtuar e shkatërruar si pasojë e mospërkujdesjes adekuate. Këtë e kishin bërë përmes një shkrese. Këshilli aktualisht është pa anëtarë.

Sipas raporteve institucionale, bazuar në mbetjet arkitektonike-arkeologjike, supozohet se ato përbëjnë pjesë të objektit romak të viles rustica-e apo urbana-e. Aty shkruhet se mund të supozohet se objekti i përket një kompleksi më të madh, ndërtuar në shekujt III-IV, pjesët e të cilit janë në mbetjet e fragmentuara të zbuluara në oborrin e Xhamisë Arasta.

“Në hapësirat e hotelit ‘Theranda’ kanë qenë të zbuluara mbetjet e objektit më të madh sakral, i cili fatkeqësisht arkeologjikisht nuk është ekzaminuar, por është shkatërruar gjatë kohës së gërmimeve të themeleve të hotelit, pra është e mundur që lokaliteti arkeologjik të ketë përfundimin e tij historik në periudhën e hershme Bizantine-Paleokrishtere”, shkruhet në shkresën e KTK-së.