Pesë shtëpi monumente kulture po restaurohen në Korçë, me atë që Qeveria e Shqipërisë e ka quajtur programi i ri i mbështetjes financiare Bonusi i Rijetësimit.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, kanë vizituar të martën Shtëpinë-Muze të piktorit të madh korçar Vangjush Mio.
Ministrja Margariti ka informuar se është propozuar që kjo shtëpi të kthehet në një muze privat me standarde bashkëkohore dhe hapësira ekspozimi.
Margariti citohet të ketë thënë se bëhet fjalë për një shtëpi 200-vjeçare që ka përfituar nga Bonusi i Rijetësimit.
“Për restaurimin e banesës janë parë elementë nga vetë pikturat e Mios, për të ruajtur origjinalitetin e saj”, citohet të ketë thënë ajo.
Edhe
Shqipëria, toka e impresionizmit
Margariti u shpreh se Ministria e Kulturës ka propozuar që ky të bëhet një muze privat.
“Është aktualisht një muze dhe për ta bërë të qëndrueshëm financimin që ka bërë vetë familja do të ishte e udhës të ecej në këtë formë. Aktualisht është pa biletë. I kam këshilluar familjarët si të ndjekin hapat ligjorë. Gjëja më e mirë, të bëhet një muze privat. Ne për momentin kemi pak të tillë”, ka thënë ajo.
Gjithashtu kryeministri ka vizituar edhe “Shtëpinë Kote”, një nga më të njohurat në Korçë, e cila daton në gjysmën e parë të shekulli XIX, Monument Kulture i Kategorisë I, falë Bonusit të Rijetësimit do të rimarrë tërë shkëlqimin e humbur.
Margariti u shpreh se ajo është banesa më e vjetër në Korçë me këtë lloj arkitekture.
“Do të ketë në funksion bujtinë dhe ne duam përshtatjen në një muze etnografik”, ka thënë ministrja Margariti.
Shtëpia-muze e Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, është një nga më të vizituarat në qytetin e Korçës. Për vlerat etnografike të saj dhe për faktin se aty lindi një nga piktorët më të shquar shqiptarë, kjo shtëpi është shpallur shtëpi-muze.
Rreth 60 punime të tij zënë vend në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e së bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë-muze të tij, e cila ishte dëmtuar jo pak nga tërmeti në nëntorin e dy vjetëve më parë.
Edhe
Dy hapësira të reja ekspozimi në shtëpinë-muze të maestros Vangjush Mio
Vangjush Mio (3 mars 1891 – 30 dhjetor 1957), më 1908, për shkaqe ekonomike, u detyrua që bashkë me vëllain, regjisorin e aktorin Sokrat Mio, të largohej për në Bukuresht. Ishte anëtar aktiv i kolonisë së artistëve shqiptarë në kryeqytetin e Rumanisë dhe në vitin 1915 filloi studimet për Arte të Bukura në Universitetin Kombëtar të Arteve në Bukuresht. Më 1919 mbaroi studimet dhe në të njëjtin vit hapi ekspozitën e parë personale në Bukuresht. Në vitin 1920 u kthye për disa muaj në vendlindjen e tij, ku ekspozoi edhe punimet e tij. Kjo ishte ekspozita e parë artistike për publikun në gjithë Shqipërinë. Në shtator të po të njëjtit vit ai u largua për në Romë. Si admirues i madh i impresionizmit italian të shekullit XIX dhe fillimshekullit XX, u regjistrua në Akademinë Mbretërore të Shën Llukës. Sidoqoftë, për shkak të problemeve ekonomike i ndërpreu ato dhe u rikthye në Korçë, ku u punësua në Liceun Francez, ku mes nxënësve të tjerë ishte edhe Enver Hoxha. Njihet si piktori i parë impresionist në Shqipëri.
Gjatë karrierës prej 40 vjetësh realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura. Rreth 60 punime të tij zënë vend në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e së bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë-muze të tij. Më 1994, 21 piktura të cilat ende nuk janë gjetur u vodhën nga muzeu. Në vijim 27 piktura u raportuan të zhdukura në korrik 2012. Mes 27 pikturave të zhdukura gjendeshin edhe disa nga veprat e para të piktorit që datojnë në fillim të viteve ‘20. Shtëpia qe restauruar së fundmi pasi pësoi nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019.