Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Shtëpia e arbëreshëve” – muze artefaktesh e dëshmish për ruajtjen e gjuhës dhe traditave

Qeveria e Shqipërisë është zotuar se në Krujë do ngrihet “Shtëpia e arbëreshëve”, si muze në nderim të kultivuesve të palodhur dhe besnikë të gjuhës shqipe dhe traditave shqiptare ndër shekuj.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti ka publikuar në rrjetet sociale detaje nga “Shtëpia e arbëreshëve”.

“Ditën Arbëreshe e mbyllëm me një premtim: të ngremë Shtëpinë e Arbëreshëve, bash në Krujën e Skënderbeut, pas rënies së të cilës u larguan shekuj më parë”, ka shkruar ministrja Margariti të enjten. Sipas saj, ky premtim do të bëhet realitet jo thjesht në formën e një muzeu artefaktesh e dëshmish për ruajtjen e gjuhës e traditave të të parëve, por edhe si një hapësirë dialogu dhe komunikimi mes brezash.

Në fakt, ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama që e ka lansuar idenë. E ka bërë të ditur në Ditën Arbëreshe, të mërkurën kur shqiptarë nga e gjithë bota, ndër të cilët figura të njohura të komunitetit arbëresh, studiues, historianë, u bënë bashkë në një seri aktivitetesh të zhvilluara në vigjilje të Samitit të Tretë të Diasporës. Muzeu i arbëreshëve, si nismë që synon ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë arbëreshe, do të ngrihet në Kalanë e Krujës.

Rama u shpreh se përveç muzeut, janë po ashtu edhe një sërë idesh të tjera që presin t’i japin jetë kësaj marrëdhënie në nivele të ndryshme njerëzore. “Ne nuk e kemi një muze të tillë, ndërkohë që komuniteti arbëresh ka ruajtur me shumë fanatizëm relikte të jashtëzakonshme dhe përfaqësuesit e atij komuniteti janë më shumë se sa të dëshiruar që ta kenë në Shqipëri, Muzeun e Arbëreshëve, të cilit i kemi gjetur edhe vendin. Ku tjetër përveçse në Kalanë e Skënderbeut”, citohet të ketë thënë Rama.