Kulturë

Shqipërinë “e lë pas edhe Kosova me përkthime letrare”

Petrit Ymeri: "Përkthimet nga gjuhët e huaja në shqip zënë 50 deri në 60 për qind të vëllimit të botimeve".

Petrit Ymeri: "Përkthimet nga gjuhët e huaja në shqip zënë 50 deri në 60 për qind të vëllimit të botimeve".

Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka ngritur alarmin për rënien e numrit të përkthimeve letrare, duke theksuar se “Shqipërinë e lë pas edhe Kosova”. Ka qenë kryetari i kësaj Shoqate, Petrit Ymeri, i cili ka bërë një deklaratë të tillë duke nxjerrë në pah edhe shkaqet. Ka thënë se me trefishimin e çmimeve të shtypshkronjave dhe kostove për botime, me një treg të vogël e buxhete të ulëta për librin “Shqipëria lihet pas edhe nga Kosova sa i takon numrit të veprave të përkthyera nga gjuhët e huaja në shqip”. Ymeri ka qenë njëri prej panelistëve në takimin e organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit me Shoqatën e Përkthyesve Shqiptarë, të hënën me rastin e 30 shtatorit, Ditës Botërore të Përkthimit. 
Ymeri ka thënë se mungojnë projektet shtetërore në mbështetje të përkthimeve përderisa veprat e përkthimeve zënë më shumë se gjysmën e botimeve në shqip. 

“Është kuptimplotë thënia e Umberto Ecos qe përkthimi është gjuha e Evropës. Përkthimet nga gjuhët e huaja në shqip zënë 50 deri në 60 për qind të vëllimit të botimeve. Edhe përkthyesit duhet t’i ngrenë këto probleme. Po flas kundër vetes, mos pranoni pagesa të ulëta, mbroni dinjitetin tuaj. Nuk kemi më projektet për përkthimet nga gjuhët huaja në gjuhën shqipe, Ministria e Kulturës nuk e bën më këtë”, citohet të ketë thënë Ymeri nga Shoqata e Botuesve e themeluar më 1992. 

Cilësia e përkthimeve ka qenë një tjetër çështje që është diskutuar. 

“Më vjen mirë që ne hodhëm idenë e një Urdhri të përkthyesve, i cili bënte bashkë këta shqipërues në qëllimet e tyre të përbashkëta dhe më vjen mirë që dy vjet më pas kemi Shoqatën e Përkthyesve shqiptarë”, ka thënë Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL-së.  

Përkthyesi e studiuesi Edmond Tupja, ka ndarë përvojën e tij me përkthimet. 

“Nuk është e lehtë të përkthesh dhe duhet kulturë. Dhe atë që përkthejmë duhet ta përshtatim për publikun shqiptar”, ka thënë Tupja.

Prej vitit 1991, 30 shtatori u shpall Dita Botërore e Përkthimit. Përkon me ditën kushtuar Shën Jeronimit, përkthyesit të parë të Biblës në latinisht dhe shenjtit mbrojtës të përkthyesve.
Përkthyesi është autori i padukshëm, përgjegjës për suksesin e librit, po aq sa për shkrimtarin e vërtetë. Një përkthim i mirë është një faktor përcaktues në vlerësimin e një libri (nëse duhet blerë, apo jo). 

Debati ndër përkthyesit dhe studiuesit është, nëse përkthimi duhet t’i qëndrojë besnik origjinalit, apo të bëjë interpretimin e një teksti letrar. Umberto Eko shprehet se ‘është e vështirë, thuajse e pamundur, që një përkthim të jetë plotësisht besnik i tekstit burimor”, ka shkruar QKLL-ja me rastin e kësaj dite. Po aty shkruhet se përkthimi, zakonisht kalon pa u vënë re nga kritikët letrarë dhe mediat, veç rasteve të polemikave, rreth veprës, apo autorit. “Bukuria e përkthimit është një bukuri e heshtur, e matur. Përkthyesi i madh Gjon Shllaku ka thënë: ’Me u ba përkthyes lypset të kesh shum kultura, ja pse përkthyesit e mirë janë të paktë’”, ka cituar QKLL-ja.