Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shqipëria synon fuqizimin e librit me ndryshime ligjore

Fuqizim i Këshillit Kombëtar të Librit dhe i Nxitjes së Leximit, tjetër shpërndarje e kopjeve të detyrueshme, janë disa prej ndryshimeve të Ligjit për Librin që ka nismuar Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Si pasojë e ndryshimeve forcohet dhe ndikimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit

Shpërndarje e librit në institucionet publike në krejt territorin e Shqipërisë, është njëri prej ndryshimeve në Ligjin për Librin, nismuar nga autoritetet shqiptare. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ka nisur diskutimet për ndryshime në Ligji.

Dispozitat e reja lidhen edhe me uljen e kopjeve të botimeve në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë: reduktim nga pesë në tri kopje të botimeve që duhet të mbajë BKSH-ja.

“Dy kopjet e tjera janë kopje që do të shpërndahen nëpërmjet marrëveshjeve midis Bibliotekës Kombëtare dhe institucioneve të tjera publike në të gjithë territorin e Shqipërisë”, citohet të ketë thënë sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës e Shqipërisë, Zerina Bruci, sipas së cilës mënyra e shpërndarjes së këtyre kopjeve do të varet nga një vendim i mëvonshëm i Këshillit të Ministrave.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me nxitjen e botimit të librave për personat me aftësi të kufizuara nga shtëpitë botuese, krahas botimeve të veprave me rëndësi kombëtare, historike, kulturore dhe shkencore. Si pasojë e ndryshimeve forcohet dhe ndikimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ku do të kalojë edhe Regjistri i Botuesve.

Drejtuesi i QKLL-së do të jetë gjithashtu dhe pjesë e Këshillit Kombëtar të Librit dhe i Nxitjes së Leximit.

Edhe Botuesit e Shqipërisë i kërkojnë shtetit t’i fuqizojë politikat për librin Kulturë Botuesit e Shqipërisë i kërkojnë shtetit t’i fuqizojë politikat për librin

Një tjetër risi do të jetë përfshirja në këtë Këshill e grupeve të interesit, ku do të jenë katër ekspertë të fushës, dy prej të cilëve do të përzgjidhen nga ministri përgjegjës dhe dy nga grupet e interesit.

Në ditët në vijim do të ketë dhe tri seanca të tjera, ku do të jenë të pranishëm për ndryshimet në ligj edhe grupet e interesit.