Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Shpirti arbëresh në veshje” më 31 gusht në Tiranë

“Shpirti arbëresh në veshje” titullohet ekspozita që pritet të hapet më 31 gusht në Muzeun Historik Kombëtar, ku veshjet e paraqitura përfshijnë historinë e arbëreshëve të Italisë së Jugut duke përshkruar shpirtin e një populli që ka identitetin e tij kulturor.

Kjo ekspozitë çelet nga Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Ekspozita pasqyron shtatë shpërnguljet e shqiptarëve, sipas periudhave të caktuara, duke filluar me shpërnguljen e parë (1416-1448) në krahinën e Katanxaros (Garafa, Karfici, Puhëriu, Shën Koli, Vina etj.); më pas vjen shpërngulja e dytë (1459-1462) në krahinën e Avelinos (Greçi e Picilia).

Shpërngulja e tretë (1468-1506) lidhet me krahinën e Kozencës (Ejanina, Falkunara, Farneta, Ferma, Frasnita, Kastërnexhi, Maqi, Marri, Mbuzati, Pllatani, Shën Japku, Shën Mitri, Shën Sofia, Shën Vasili, Ungra etj.).

Stendat e radhës pasqyrojnë shpërnguljen e katërt (1532-1534) në krahinën e Palermos (Hora e Arbëreshëve, Sëndastina, Shën Pali etj.), si edhe shpërnguljen e pestë (1647-1664) në krahinën e Kampobasos (Këmarini, Munxhufuni, Posrtkanuni, Ruri etj.).

Image

Duhet theksuar fakti se shpërnguljet e fundit të shqiptarëve, shpërngulja e gjashtë dhe e shtatë, zhvillohet pothuajse në pjesën më të madhe të katundeve të përmendura me lart.

Kostumet janë një “status simbol” i ambientit shoqëror, ato i bashkojnë dhe i barazojnë njerëzit. Kukullat, modele në miniaturë, dëshmojnë kulturën arbëreshe.

Të skematizuara dhe të thjeshtësuara në përpunimin e tyre, ato i ofrojnë etnologut një fushë hulumtimi mbi veshjen e lashtë të shqiptarëve.

Edhe Veshjet e arbëreshëve, ekspozitë në Muzeun Kombëtar shqiptar Kulturë Veshjet e arbëreshëve, ekspozitë në Muzeun Kombëtar shqiptar

Veshja e gruas ka paraqitur në historinë e popullit tonë një element të krenarisë gjatë momenteve më të errëta të historisë.

Funksionet që bartin këto kostume janë të ndryshme dhe tregojnë rendin shoqëror, moshën, klasën, punën, zinë, përfaqësimin e besimit fetar si dhe faktin që një person është beqar apo i martuar.

Kukullat me veshje arbëreshe sjellin një imazh të paqes dhe vëllazërimit, të të dy popujve, brigjet e të cilëve lagen nga i njëjti det.