Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shoqëria civile e opozita në Gjakovë në mbrojtje të Kullës së Sylejman Vokshit

Gjakovë, Prishtinë, 4 shkurt – “Mos ma prek kullën” është motoja e protestës që është paralajmëruar për sot (e hënë) nga shoqëria civile në Gjakovë. Për të tretën herë, Komuna e Gjakovës e ka futur në rend dite në mbledhjen e Asamblesë zhbërjen e vendimit, në bazë të të cilit shpronësohet Kulla e Sylejman Vokshit së bashku me dy parcela të tjera afër saj. Herën e fundit, më 4 dhjetor, kryetari Ardian Gjini kishte dështuar ta bënte këtë. Por zërat kundër kësaj iniciative janë shtuar shumë qysh prej atëherë.

Të dielën, para Kullës së Vokshit është mbajtur një aksion nga Lëvizja Vetëvendosje. “Udhëtim në kohë” ka qenë togfjalëshi i panove të aktivistëve.

Lirika Komoni nga kjo parti, pranë Kullës së Vokshit të dielën ka thënë për KTV-në se përmes panos me titull “Udhëtim në kohë” po paraqesin logjikën që po përdoret për ndërtimin e banesave përreth kësaj Kulle.

“Në qoftë se ne pranojmë këtë logjikë, atëherë nesër do të duhej të mos na shqetësonte ndërtimi i banesave rreth kullës në Gllogjan, e pasnesër edhe rreth monumentit të Jasharajve në Prekaz”, ka thënë ajo.

Milot Krasniqi nga shoqëria civile ka thënë se protesta e së hënës do të jetë paqësore si kundërshtim i cenimit të kësaj vlere kulturore.

Edhe Shoqëria civile e opozita nesër në protestë për Kullën e Sylejman Vokshit Kulturë Shoqëria civile e opozita nesër në protestë për Kullën e Sylejman Vokshit

Objekti është ndërtuar në fillim të shekullit XVIII dhe ka rëndësi të madhe historike, sepse aty u lind heroi kombëtar Sylejman Vokshi, i cili ishte njëri ndër themeluesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")