E thotë shkoqur që mëtimi për t’iu afruar shtetit amtar fare pak ka të bëjë me çështje politike a ideologji nacionaliste. Është lindur në Tomești të Rumanisë, por jeton prej dhjetë vjetësh në Kisinau të Moldavisë, shkruan sot Koha Ditore.
E vlerësuar si një nga letrarët më aktive në shtetin me një popullsi prej mbi 2 milionë e gjysmë banorësh, 42-vjeçarja Moni Stănilă prej vitesh drejton qarkun letrar “Republica”, që vepron në kuadër të bibliotekës hijerëndë “B. P. Hasdeu”. Të përkthyera prej kohësh, krijimet e saj poetike tashmë flasin në gjermanisht, anglisht, frëngjisht, rusisht, suedisht, turqisht, katalonjisht, azerisht etj. Vokacionin e saj prej poeteje e kanë admiruar edhe emra të njohur të kritikës rumune.
Shkollimi i saj për teologji ortodokse në Temishvar dhe Sibiu mund të mos ketë qenë mjedisi më i mirë për t’i dhënë krah të përbrendshmes së saj shkrimtareske.
“Ishte e zorshme t’i qasje të dyja se teologjia është diçka që mbulon hapësirën jofiksionale. Është mbi të vërtetën, mbi të përjetshmen”, thotë Stănilă teksa flet për “Kohën Ditore”. Fiksionin e përshkruan si bisedë mbi jofiksionin, diçka që në çdo rrethanë është i vështirë. “Por që të dyja punojnë me fjalën dhe që të dyja rrëfejnë. Andaj unë mund të flas të vërtetën edhe përmes fiksionit”.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)