Anonimiteti vjen vrikthi për të gjithë ne, por ai ka mësyrë me shpejtësi mistifikuese te shkrimtari francez, Hervé Guibert, që vdiq në moshën 36-vjeçare më 1991. Çuditërisht vepra e tij është shpërfillur në botën anglofone, e lëre më risimi dhe rëndësia e saj historike, pamaturia marrafrymëse, butësia e gjakosja e tij. Si mund të ndodhë që një artist kaq origjinal, kaq shpërfillës ndaj konvencioneve dhe tiranisë së shijes së mirë – pa zënë në gojë dikë kaq parashikues – të mbetet i papërkthyer e i palexuar?
Fatlumësisht, vepra e tij e gjerë e idiosinkratike po zhvarroset e po përkthehet. Ditarët e tij tashmë janë të qasshëm në anglisht, krahas kujtimeve të tij, përfshirë “Crazy for Vincent”, një përshkrim për fandaksjen e tij për një djalosh me skateboard, që shërbeu si frymëzim për të. Këtë muaj arrijnë edicione të reja të veprës së tij më të njohur “To the Friend Who Did Not Save My Life”, përkthyer nga Linda Coverdale, dhe “Written in Invisible Ink”, një përmbledhje me tregime të shkurtra, redaktuar dhe përkthyer prej Jeffrey Zuckermanit.
Guibert ka qenë pionier i autofiksionit dhe autor i një prej romaneve më të mëdha për AIDS-in, “To the Friends Who Did Not Save My Life”, në të cilin ai dokumenton shkërmoqjen e trupit të tij me një ngazëllim të ftohtë. “Muskujt e mi janë squllur”, shkruan ai. “Në fund krahët dhe këmbët e mia janë sërish eshtake siç ishin kur isha kalama”. Kriticizimi i tij fotografik, i ndikuar goxha shumë prej Roland Barthesit, është i shënjuar nga freskia e kërshëria. Për ata me konstitucion të fortë, aty janë tregimet e tij qesharake, ngjethëse e surreale. Cilido qoftë subjekti i tij, ai kishte një stil të ftohtë e të qartë – një zarf i bukur për lëndë interesante.
Guiberti ishte një shkrimtar programatikisht i pashtruar, sipas frazës së Elena Ferrantes, që gjente komedinë në tragjedi, epshin në vdekje e AIDS “diçka shkëlqyese e mahnitëse në absurditetin e saj”. “Ishte një sëmundje në faza”, shkroi ai, “një fluturim tejet i gjatë hapash që çuan sigurt në vdekje, por ku secili hap përfaqësoi një argasje unike. Qe një sëmundje që i dha vdekjes kohë për të jetuar dhe viktimave të saj kohë për të vdekur, kohë për të zbuluar kohën, dhe në fund të zbulonin jetën”. Çiltërsia e tij mund të jetë aq e skajshme sa të ndihet porsi provokim, dhe dashuria e tij e provokimit mund të hyjë në pornografi të çuditshme. Edhe ai mund të trazohet nga skenarët e tij brutalë. “Më vjen të ngacmoj”, rrëfen në një nga shënimet e tij. Ekstremiteti ishte kredoja e këtij pasardhësi të vetëshpallur të Sadeit dhe Genetit, përçmues i tundimeve shkrimtareske për vetëvlerësim apo komfor borgjez.