Kulturë

“Shkrim për Kulturë dhe Film” – mundësi për eksplorim veprash artistike

Njohuri për një vështrim më analitik dhe kritik për veprat artistike synon të ofrojë edicioni i parë i programit “Shkrim për Kulturë dhe Film”. Programi gjashtëjavor përveç që do të përqendrohet në artin e të shkruarit, gjithashtu synon zhvillimin e aftësive për kritikë dhe analizë në mënyrë koherente për vepra kinematografike dhe artistike. Nëpërmjet ligjëratave nga njohës të gazetarisë dhe profesionistë të fushave të ndryshme kulturore, programi ka për qëllim t’u ndihmojnë pjesëmarrësve që të shohin filmat dhe veprat artistike nga këndvështrime shoqërore, filozofike, antropologjike dhe artistike. Programi “Shkrim për Kulturë dhe Film”, i realizuar në bashkëpunim me institutin “Undesignate” dhe shkollën e “Cineksit” në bashkëpunim me “StoryLab” e që brenda vetes përfshin një seri ligjëratash dhe punëtorish, tashmë ka hapur thirrjen për edicionin e parë. Afati për aplikim është deri më 8 korrik.

Platforma “Cineks” dhe shkolla janë themeluar nga instituti “Undesignate”, që daton prej 2012-s, me qëllim të përdorimit të kërkimit bashkëkohor antropologjik dhe mediave të reja digjitale, për të ofruar zgjidhje për nevojat arsimore, zhvillim personal dhe nevoja të shëndetit mendor.

Programi “Shkrim për Kulturë dhe Film”, mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC. Punëtoritë e shkrimit organizohen në bashkëpunimin e “StoryLab” që është iniciativë interdisiplinare për art, shkrim, teknologji, dizajn, dhe arsim e bazuar në Prishtinë.

Lum Çitaku, drejtor i programeve tek instituti “Undesignate” dhe “Cineksi”, ka treguar se programi e adreson edukimin kulturor në dy aspekte.

“Një, përmes ofrimit të arsimimit kualitativ interdisciplinor dhe të përqendruar për të rinjtë. Dhe dy: edukimin e përgjithshëm përmes blogjeve, video-eseve, artikujve dhe dokumentarëve kreativë që do të publikohen dhe shpërndahen çdo javë për publikun nga ‘Cineks.com.’”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se Nita Luci, Lura Limani, Lum Çitaku, Norika Sefa, Fatmir Mustafa - Karllo, Liburn Jupolli, Shpëtim Selmani, janë vetëm disa nga shkrimtarët, artistët dhe profesorët që do të trajtojnë tema duke filluar nga arti, kultura, antropologjia, feminizmi, teoria e filmit, kritika, aktrimi, muzika, letërsia, dhe filozofia.

“Posaçërisht ‘Shkolla e Cineksit’ është pjesë e rëndësishme e programeve të ‘Cineksit’ për shkak që — përveç ofrimit të një kurrikule kualitative, qasjes në mentorë me përvojë, dhe ofrimit të hapësirave ku punët e tyre vlerësohen — ka për qëllim ta adresojë edhe njërën prej vështirësive kryesore për krijuesit e rinj, që është përcjellja dhe angazhimi i tyre si krijues edhe pas fazës së trajnimit”, ka theksuar Lum Çitaku.

Në anën tjetër Artrit Bytyçi nga “StoryLab”, ka thënë se këtë edicion të parë e veçon mënyra në të cilën është zhvilluar programi dhe se si janë strukturuar punëtoritë dhe ligjëratat.

“Për të shkruar efektivisht për film, një krijues duhet të dijë ta dekodojë gjuhën e filmit, të ketë njohuri për artin e fotografisë, muzikës dhe aktrimit. Po ashtu është mirë të mësohet arti i të intervistuarit. Nëse shkruan për film, intervista me një aktore apo regjisore do të shtojë një dimension shtesë të interpretimit të filmit”, ka thënë ai gjersa ka shtuar se këto aspekte janë munduar t’i integrojnë përmes përzgjedhjes së kujdesshme të punëtorive dhe ligjëratave.

Me këtë program ka thënë se krijuesit e rinj pjesëmarrës do të kenë mundësinë të eksplorojnë kritikën, letërsinë artistike, shkrimin kreativ, gazetarinë, tekstet me fokus akademik, blogjet apo format më eksperimentale të të shkruarit që mund t’i kombinojnë të gjitha këto.

“Qëllimi ynë është që pjesëmarrësit të angazhohen dhe kompensohen për shkrimet e tyre, duke u bërë kështu bashkëpunëtorë tanë”, thuhet në thirrjen e hapur të shkollës së “Cineksit”.

Në fund të seminarit dhe serisë së ligjëratave, krijuesit pjesëmarrës do ta kenë nga një shkrim të gatshëm për botim në blog-un e “Cineksit” si dhe të paktën dy tekste në zhvillim për t'u botuar në muajt në vijim.