Që nga vitet e nëntëdhjeta, aty ishte shuar çdo aktivitet kulturor, si pasojë e represionit serb ndaj shqiptarëve.
Pas njëzet e tetë vjetëve, Shtëpia e Kulturës e fshatit Runik të Skenderajt është aktivizuar brenda një nate këtë fundjavë përmes performancës “Shkrepëtima” të ideuar nga artisti Petrit Halilaj.
Performanca artistike te rrënojat e kësaj shtëpie, që shihet si një simbol i aktiviteteve kulturore në rajonin e Drenicës, i ka bashkuar pas më shumë se dy dekadave edhe një herë banorët e Runikut dhe qytetarët e qyteteve të tjera të Kosovës, për të shikuar veprën e artistit i cili punon dhe vepron në mes Gjermanisë, Italisë dhe Kosovës.
Performanca e cila mbante titullin e ish-revistës që kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes kulturore-kombëtare dhe promovimin e arsimit, ka rikthyer fragmente të shkëputura nga dramat e njohura shqiptare.
“Toka jonë” e shkrimtarit Kolë Jakova, “Cuca e maleve” shkruar nga Loni Papa, “Nita” e Josip Relës dhe “Hakmarrja” nga Jusf Kelmendi, ishin dramat e përzgjedhura të cilat u inskenuan në pjesë të shkurtra në Runik.
Edhe
Shtëpia e Kulturës në Runik drejt hapit të restaurimit dhe funksionalizmit
E inspiruar në tekstet popullore me tregime personale, muzikantja Fatime Kosumi, ka interpretuar pas përfundimit të performancës, këngë nga albumi i saj “Palinë”.
“Shkrepëtima”, pas Runikut, pritet të prezantohet në Bernë të Zvicrës dhe në Torino së Italisë.