Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shkolla e muzikës sjell operetën “The Gondoliers”

Me koncerte, master-klasa e ligjërata, shkolla e vetme publike e muzikës në kryeqytet, po shënon 70-vjetorin e themelimit.

“70 vjet edukim” është motoja që ka shoqëruar aktivitetet dyjavore të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”, nga e cila kanë dalë disa prej muzikantëve më të njohur të vendit.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, në hapësirën e Kishës Katolike “Shën Ndou” u interpretua opereta “The Gondoliers”, me solistë, kor dhe balet, transmeton emisioni Express në KTV.

Përveç nxënësve, këtij koncerti iu bashkuan edhe disa prej solistëve më të shquar të Filarmonisë së Kosovës, shumë prej të cilëve vetëm pak ditë pas prezantimit në Paris, u rikthyen aty ku nisën rrugëtimin muzikor.

Në Kosovë, emri i kompozitorit të operës së parë shqipe karakterizon institucionet e formimit e edukimit muzikor.

Edhe baritoni shqiptar, Armando Likaj, tregon se hapat e parë drejt botës së muzikës i mori në Shkollën e Mesme Artistike në Shkodër, që mban po këtë emër.

Shkolla “Prenk Jakova” vazhdon të zhvillojë mësimin në objektin e Shkollës së Mjekësisë, vend që nuk përmbush kushtet për shkollë të muzikës.

Artikuj të ngjashëm