E luajti aktin e fundit të dramës që quhet Jetë, prapa perdes, pa publik: skenarist, regjisor dhe aktor kryesor i së cilës ishte vetë. Dhe sërish u kthye në Prizren, prej nga u nis në vjeshtën e vitit 1956, në urnën me hirin e trupit që, sipas dëshirës së tij, të hidhet në lumin Bistricë (Lumbardh) dhe përmes tij të derdhet në Drin e Bunë dhe të arrijë në Detin Adriatik dhe në detet e oqeanet e tjera të botës..., shkruan sot Koha Ditore.
Odiseu iu kthye Itakës: Ujit, Dheut dhe Qiellit të Prizrenit, të cilin e ka dashur aq shumë. Nuk deshi që Prizrenit e Kosovës t’u shtohej edhe një varr, se janë të stërmbushur me varre, por deshi që hiri i trupit të tij të shëtiste anembanë botës, sepse ai edhe i takonte gjithë njerëzimit. Ishte kjo estetika e jetës dhe e vdekjes së aktorit të madh...
“Unë, megjithatë, jam ky, nga kjo baltë dhe nga këta gurë. Dhe duhet t'ju them, krenohem me këtë. Ne jemi popull i vogël, por nuk luan rol kuadratura, madhësia e vendit. Gjëja themelore është njeriu.
E unë mbaj në veten time njeriun tonë, psikologjinë tonë, specifikat tona, i cili me tërë qenien e vet inkorporohet në të përgjithshmen njerëzore, në njeriun në përgjithësi”, thoshte Bekimi, duke theksuar se “atje ku shkel këmba ime, atje është Shqipëri!”./ Fahri Musliu
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)