Versioni i shfaqjes “Jul Cezari” bazuar në dramën e William Shakespeareit në New York City ka hapur një kapitull të ri në debatin, i cili ende po vazhdon në ShBA mbi limitet e artit dhe të satirës në kohën e ndarjeve politike, thuhet në shkrimin e DW, që sot e transmeton “Koha Ditore”.
Performanca falas “Jul Cesari” në “Central Park” të New Yorkut është e fundit në serinë e performancave artistike, e cila ka hasur në kundërshtime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Interpretimi nga “Public Theatre” është kritikuar për shkak të skenës me vrasjen e presidentit Donald Trump. Shfaqja, e cila u dha më datën 23 të muajit maj e që do të shfaqet deri më datën 18 të muajit qershor, të dielën është transmetuar në “Fox News”, i cili raportoi se “kjo shfaqje përshkruan se si presidenti Trump brutalisht theret me thikë nga gratë dhe minoritetet”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNën regji të Oskar Eustis, “Jul Cezari” shpalos historinë e udhëheqësit të fuqishëm romak, i cili vritet prej senatorëve të tij pasi që ata frikësohen se ai po shndërrohet në tiran. Megjithëse ngjarja zë vend në Romën antike, përshtatja e “Public Theatre” sjell aktorët si Elizabeth Marvel dhe Corey Stoll në kostume moderne, veshje që krijojnë lidhje me të sotmen, njëjtë sikurse ndodh shpeshherë me performancat bashkëkohore.
Kjo është një prej dramave më të përgjakshme të Shakespeareit; është raportuar se pjesëtarëve të audiencës në “Globe Theatre” të Londrës u ka rënë të fikët nga dhuna që kanë parë në skenë. Dhuna në disa pjesë është ajo që ngjalli kundërshtime dhe përfundimisht thirrje për ndërprerjen e sponsorizimit të festivalit. Dy prej sponsorëve, “Bank of America” dhe “Delta Airlines”, i kanë tërhequr mbështetjet e tyre për këtë performancë teatrale.
“Pavarësisht se çfarë mund të jetë pozicioni politik, vendosja grafike e ‘Jul Cezarit’ në këtë ‘Free Shakespeare’ në Park nuk reflekton vlerat e ‘Delta Airlines’”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga kjo kompani ajrore. “Drejtimet e tyre artistike dhe kreative kanë kaluar linjat e standardit dhe shijes së mirë”, shkruhet aty më tej.
Në një deklaratë të lëshuar më parë regjisori Eustis kishte paralajmëruar që të mos ketë keqkuptime në lidhje me skenat e dhunës. “Të gjithë ata që do të shohin produksionin tonë të ‘Jul Cezarit’ do të kuptojë së nuk avokojmë dhunë kundër askujt”, kishte thënë regjisori. Deklarata të njëjta po qarkullonin në rrjetin social Twitter, në mesin e mbrojtësve të “Public Theatre”, disa prej të cilëve kanë potencuar se kritikët e shfaqjes kanë keqinterpretuar mesazhin e saj, se kthimi në dhunë është një veprim i tiranit.
Në deklaratën e publikuar në uebfaqen zyrtare të “Public Theatre”, Eustis ka shkruar se ngritja e vetëdijes është qëllimi i inskenimit të kësaj shfaqjeje.
“‘Jul Cezari’ ka të bëjë me faktin se sa e brishtë është demokracia. Institucionet me të cilat jemi rritur, të cilat i kemi trashëguar nga përpjekjet e shumë gjeneratave të paraardhësve tanë, mund të shemben papritur. Dhe në rast se keni hamendësuar- jo, nuk kemi shkruar asnjë frazë të re. E tëra është Shakespeare”, ka shkruar Eustis.