“Sha je be tu folën” është seria televizive më e re në vend, e cila do të nisë së transmetuari ekskluzivisht në Kohavision. Në rolet kryesore paraqiten dy aktorët e njohur Ridvan Murati dhe Ernest Zymberi.
Ky i fundit, njëherësh, edhe e ka shkruar skenarin e serisë “Sha je be tu folën”, që është prodhim i ‘Grejza Production” dhe realizohet në regjinë e Erson Zymberit. Nga 5 dhjetori, e shtuna mbrëma prej orës 20:00 duhet rezervuar për prodhimin më të ri televiziv kosovar që, përveç përmbajtjes së mbushur me plot situata komike që vijnë si ironi me aktualitetin, sjell edhe risi në realizim të standardit të lartë audio-vizuel. Dardan Selimaj, producent ekzekutiv në KTV, ka thënë se “ky prodhim vjen në vazhdën e ndryshimeve dhe risive të skemës programore të vikendit në Kohavision”.
“Përmbajtjet programore të cilat do ta plotësojnë skemën e Kohavisionit janë të pakonkurrencë dhe në vazhdën e këtyre lëvizjeve së shpejti do të sjellim edhe emisione të tjera të reja”, ka thënë Selimaj.
Ndryshe, tash e tutje, emisioni i cili u dedikohet modës dhe stilit, “Fashionista”, me Argjirë Zhushin do të vijë në transmetim të shtunave prej orës 20:50. Derisa emisioni “Jeta”, i cili sjell rrëfime të veçanta me personazhe unike nën drejtimin e prezantueses Agnesa Vitija, do të vijë në transmetim prej orës 21:20. Dhjetori do jetë i mbushur me risi në KTV, deri në ndërrimin e moteve, kur në transmetim do të vijë programi maratonik festiv me 72 orë përmbajtje premierë.