Prishtinë, 29 maj – Ata që i kanë parë shfaqjet e regjisores Blerta Rrustemi-Neziraj e kanë parasysh që problemeve që trajton u qaset në formë goxha të drejtpërdrejtë. Por te “Sfinga e gjallë” komunikimi i shfaqjes me publikun e mesazhet e saj janë më direkte se kurrë.
E bazuar në dramën me të njëjtin titull të akademikut Rexhep Qosja, në shkrimet e tij të tjera e në situata nga ngjarje të ndryshme, shfaqja që është dhënë premierë të hënën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nëpërmjet një llupe artistike hedh dritë mbi ngjarjet e pasluftës. Me një skenografi të thjeshtë, ku pasqyra e madhe prapa aktorëve në skenë është elementi kryesor, loja në stil modern ecën nëpër 1999-n e në vitet e tjera pasuese. Krejt nga fillimi dëgjohet një deklaratë e ish-përfaqësuesit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, tash president i Kosovës. Në ekran jepet prononcimi i tij lidhur me shkuarjen e detyrueshme të ish-presidentit Ibrahim Rugova në Beograd, kur në ditën e fundit të marsit të atij viti kishte takuar presidentin e atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, Slobodan Milosheviq.
“Veprimet e tilla antikombëtare të Rugovës do të dënohen rëndë”, kishte thënë asokohe, midis të tjerash, Thaçi. Shfaqja lë të nënkuptohet se prej kësaj deklarate zënë fill vrasjet e pasluftës.
Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati, Dukagjin Podrimaj nuk lënë kë pa përfaqësuar, prej kriminelëve ordinerë, anëtarëve të shërbimeve sekrete e deri te politikanët. Duke i shpallur tradhtarë të kombit, disa prej anëtarëve kryesorë të LDK-së bëhen pre e vrasjeve. Kjo thuhet qartë në skenë. Pasqyrat duket sikur janë njëfarë ekrani ku të gjithë e shohin veten se çfarë janë duke bërë. Drama e përshtatur me një dozë të realitetit kosovar futet thellë në politikën e pasluftës. Pos atij që ishte Shërbimi Informativ i Kosovës e që dihet se ishte krah i PDK-së, themelohet edhe një shërbim tjetër, Sigurimi i Atdheut, që ishte i LDK-së. Kampet politike pas luftës acarojnë fort marrëdhëniet.
Akademiku Rexhep Qosja ka thënë ta ketë pëlqyer inskenimin e tekstit të tij. Ka treguar se për herë të parë në objektin e TKK-së ka parë shfaqje në vitin 1954. Sipas tij, teatri, aktorët e regjisorët sot flasin shumë më pasur.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")