Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Sarajeva përplaset për rikthimin e monumentit të Franz Ferdinandit

Trashëgimtari austriak i fronit, Franz Ferdinand, dhe bashkëshortja e tij Sofia në Sarajevë pak para atentatit nga Gavrilo Principi, më 28 qershor, 1914

Trashëgimtari austriak i fronit, Franz Ferdinand, dhe bashkëshortja e tij Sofia në Sarajevë pak para atentatit nga Gavrilo Principi, më 28 qershor, 1914

Foto: Associated Press

“Edhe për një monument, i cili në Bosnjë-Hercegovinën shumetnike dhe tashmë të ndarë ishte hequr më shumë se 100 vjet më parë – po përplasen qasjet”, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Rundschau” Sipas këtij shkrimi, iniciativa për ta rikthyer në piedestal Franz Ferdinandin (1863–1914) dhe bashkëshorten e tij Sofinë, e cila u mbështet me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak i Sarajevës, ka nxitur reagime të ashpra

“Rindërtimi i monumentit për trashëgimtarin austriak të fronit Franz Ferdinand në Sarajevë e ka ndarë në dysh Bosnjë-Hercegovinën”, ka shkruar Thomas Roser për gazetën gjermane “Frankfurter Rundschau”. Kundërshtarët e konsiderojnë si “turp”, pasi, sipas tyre, me këtë veprim “po nderohet okupatori”.  

“Edhe për një monument, i cili në Bosnjë-Hercegovinën shumetnike dhe tashmë të ndarë ishte hequr më shumë se 100 vjet më parë – po përplasen qasjet”, shkruan gazeta gjermane. Sipas këtij shkrimi iniciativa për ta rikthyer në piedestal Franz Ferdinand (1863–1914) dhe bashkëshorten e tij Sofinë, e cila u mbështet me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak i Sarajevës, ka nxitur reagime të ashpra. Kryetarja e komunës me shumicë serbe të Sarajevës Lindore, Ljubica Qosiq, ka deklaruar me indinjatë se Sarajeva do të bëhej një shembull unik në botë i një qyteti që “i ngre monument për pushtuesit”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Autori i tekstit, Thomas Roser, ka kujtuar se trashëgimtari austriak i fronit Franz Ferdinand dhe bashkëshortja e tij shtatzënë Sofia u vranë më 28 qershor 1914, me dy të shtëna, nga 19-vjeçari gjimnazist Gavrilo Princip pranë Urës Latine në Sarajevë. Ai ka përmendur gjithashtu se Principi, i zemëruar nga aneksimi i Bosnjë-Hercegovinës nga Vjena, që në vitin 1910 iu bashkua shoqatës sekrete “Mlada Bosna”, të cilën “qarqet e inteligjencës serbe në Beograd e armatosën dhe e kaluan ilegalisht përtej kufirit në Bosnjë”.

Atentati çoi në shpalljen e luftës nga Austria kundër Serbisë – dhe më pas në Luftën e Parë Botërore.

Arrestimi i atentatorit Gavrilo Principi, atentati i të cilit çoi në shpalljen e luftës nga Austria kundër Serbisë dhe më pas në Luftën e Parë Botërore (Foto: Associated Press)

Gjurmët e këmbëve të atentatorit, por jo një monument dinjitoz për viktimat

Më tej në artikull shkruhet se “është turp që sot në Sarajevë ekzistojnë shenja dhe gjurmë të këmbëve të atentatorit, por jo një monument dinjitoz për viktimat e tij”, e arsyeton Partia për Bosnjë-Hercegovinën iniciativën e saj për të rindërtuar monumentin e ngritur në vitin 1917 pranë Urës Latine, i cili u hoq në vitin 1919 në Mbretërinë e Jugosllavisë. “Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të tregojmë nëse festojmë vrasjen apo duam t’u bëjmë nderim të vrarëve”. 

Autori shtron pyetjen: “A ishte Principi, i cili vdiq në burg në vitin 1918, një luftëtar pan-jugosllav për liri apo një nacionalist serb nën ndikimin e strukturave të inteligjencës së Beogradit?” Që në 100-vjetorin e atentatit në vitin 2014, studiues dhe politikanë në Bosnjë dhe Serbi zhvilluan një debat të ashpër dhe të ngarkuar etnikisht mbi këtë çështje. Monumente të Gavrilo Principit u ngritën atëherë jo vetëm në entitetin Republika Srpska, por edhe në Beograd, shkruan Thomas Roser.

Dikur monument dymbëdhjetë metra i lartë

Megjithatë, rindërtimi i monumentit dymbëdhjetë metra të lartë, i realizuar nga skulptori hungarez Eugen Bory, pjesë të të cilit janë ruajtur deri më sot, “has në kundërshtim jo vetëm midis serbëve të Bosnjës, por edhe në radhët e partive të qendrës së majtë që paraqiten si multietnike dhe që janë në pushtet në Sarajevë”, thuhet më tej në artikull.

Kryetari i qarkut të Qendrës së Sarajevës, Srgjan Mandiq, është distancuar me indinjatë nga votimi “i turpshëm” i disa kolegëve partiakë nga partia e tij e majtë-liberale “Naša stranka” (Partia jonë), të cilët e mbështetën iniciativën: “Pushtuesit nuk nderohen dhe atyre nuk u ngrihen monumente”, citohet të ketë thënë ai. 

Irfan Çengiq, kryetar socialdemokrat i komunës “Qyteti i Vjetër” Grad, ia vë në dukje Këshillit Bashkiak se ka vendosur për një çështje për të cilën, sipas tij, nuk ka kompetencë: “Në Qytetin e Vjetër monumenti për Franz Ferdinand dhe Sofinë sigurisht që nuk do të ngrihet”, citohet të ketë thënë ai.  “Ndoshta shpallja e një konkursi për një zgjidhje të re, disi më pak monumentale dhe kompromisi, mund të qetësonte pasionet e ndezura. Sfida mbetet e njëjtë: monumenti i ri duhet njëkohësisht të lidhë kujtimin e atentatorit dhe nderimin e viktimave të atentatit”, përfundon Thomas Roser artikullin e tij, të botuar në gazetën “Frankfurter Rundschau”.