Kulturë

“Samson and Delilah” del të mos jetë e Rubensit

Londër, 29 shtator (ArtNews) – Piktura e artistit Peter Paul Rubens, “Samson dhe Delilah” (1609–1010), e varur në Galerinë Kombëtare në Londër, tash e shumë kohë ka qenë nën dyshime nëse është në të vërtetë një vepër autentike e artistit të periudhës së Barokut. Hulumtimi i kompanisë së teknologjisë me bazë në Zvicër, “Art Recognition”, e cila përdor inteligjencën artificiale (AI) për të vërtetuar veprat e artit, ka arritur në përfundimin se piktura ka probabilitet 91 për qind që të jetë e rreme, sipas një raporti në “The Guardian”.

Rubens me të vërtetë pikturoi një skenë të Samsonit dhe Delilës, duke përshkruar skenën biblike, ku Delilah orkestron prerjen e flokëve të Samsonit i cili është duke fjetur, për një nga mbrojtësit e tij kryesorë, Nicolaas Rockox, kryetari i Antwerpit, por kjo vepër u zhduk pas vdekjes së tij më 1640.

Pretendohet se piktura u rishfaq më 1929, kur Ludwig Bruchard, një ekspert i veprave të Rubensit, ia atribuoi veprën artistit. Dyshimet në lidhje me origjinalitetin e veprës filluan në vitin 1960, pas vdekjes së Bruchard dhe u zbulua se ai siguroi certifikata të origjinalitetit për para të gatshme. Më shumë se 60 vepra të Rubensit, që u vërtetuan nga Bruchard, janë identifikuar si të rreme, duke përfshirë dy versione të “Diana and Her Nymphs Departing for the Chase” të mbajtura në Muzeun e Artit në Cleveland, Ohio dhe Muzeun J. Paul Getty në Los Angeles.

Galeria Kombëtare e bleu veprën me një çmim rekord prej 2.5 milionë funtesh nga shtëpia e ankandeve “Christie’s” më 1980. Gjatë viteve disa kritikë kanë vënë në dyshim origjinalitetin e “Samson dhe Delilah”, përfshirë artistin dhe studiuesin e pavarur Euphrosyne Doxiadis, i cili ka pohuar në disa gazeta dhe intervista që detaje të caktuara përputheshin. Doxiadis vuri në dukje se piktura e Galerisë Kombëtare ndryshonte nga studimet që Rubens bëri për pjesën e blerë nga Rockox, duke përfshirë që këmbët e Samsonit nuk janë plotësisht të shfaqura në pikturë, por të treguara në studime dhe gdhendje.

Zbulimi i fundit duke përdorur teknologjinë AI është vetëm një goditje tjetër kundër kësaj vepre. Duke përdorur një bazë të dhënash të pikturave të rreme dhe autentike të Rubens, “Art Recognition” mësoi për të identifikuar detajet e vogla që përbëjnë veprat autentike të Rubensit.

"Ne i përsëritëm eksperimentet për të qenë vërtet të sigurt se nuk po bënim një gabim dhe rezultati ishte gjithmonë i njëjtë”, ka thënë Carina Popovici, shkencëtarja që drejtoi analizën e AI. “Çdo detaj dhe pjesë e pikturës dolën të rreme, me më shumë se 90 për qind probabilitet”.

Sidoqoftë, është e paqartë se si AI mund të modifikojë dallimet në stil që mund të jenë dëshmi e duarve të asistentëve të studios. “Art Recognition” nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Në një email drejtuar ARTnews, Galeria Kombëtare deklaroi: “Galeria gjithmonë merr parasysh studimet e reja. Ne presim botimin e tij të plotë në mënyrë që çdo dëshmi të mund të vlerësohet siç duhet. Deri në atë kohë, nuk do të jetë e mundur të komentohet më tej”.

Marrë nga “ArtNews”. Përktheu: Rina Statovci