Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Rutinë”, filmi i radhës nga Kosova në Festivalin e Sarajevës

Prishtinë, 23 korrik – “Rutinë” i Bekim Gurit është vepra e radhës kinematografike që është në programin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë. Konfirmimin se do të jetë në këtë festival, Guri e ka marrë të hënën.

Kësisoj u bashkohet edhe filmave të tjerë nga Kosova e me regjisorë nga vendi e Shqipëria, që garojnë në ngjarjen më prestigjioze rajonale të filmit. Më herët qe konfirmuar se filmi dokumentar “Në mes” i Samir Karahodës garon në këtë festival ashtu sikurse edhe “Jama” i Alban Ukajt, “The Van” i Erenik Beqirit nga Shqipëria dhe “Derë e hapur” i regjisorit Florenc Papas, financuar edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëproduksion midis Shqipërisë, Italisë, Maqedonisë dhe Kosovës.

Edicioni i 25-të i Festivalit të Filmit në Sarajevë mbahet prej 16 deri më 23 gusht.

Për filmin 11-minutësh, “Rutinë” (Routine), regjisori Guri për tetë vjet, prej 2009-s deri më 2018, natën e vitit të ri ka shkuar nga Gjermania në Kosovë për të takuar Albanin, një fëmijë të pastrehë, për të sjellë një pjesë nga realiteti i tij i dhimbshëm në një film. Premierë kombëtare qe shfaqur vitin e kaluar në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër në “DokuFest”, ku kishte marrë Çmimin e distribuimit dhe Çmimin special në kategorinë kombëtare.

Në “Sarajevo Film Festival” ky film është në kategorinë “Filmat e Shkurtër Evropian”.

Edhe Filmi “Rutinë” së shpejti do të nisë rrugëtimin ndërkombëtar Kulturë Filmi “Rutinë” së shpejti do të nisë rrugëtimin ndërkombëtar

Sivjet Festivali i Filmit i Sarajevës për herë të parë është kualifikuar për “Oscar” në kategorinë e filmave të shkurtër.

(gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")