Mbrëmja autoriale me Bekim Gurin në “7Arte” të Mitrovicës nuk ka qenë thjesht një shpalosje e krijimtarisë së tij nëpërmjet katër filmave realizuar ndër vite, por aty lexohet realiteti që kapërthehet edhe në artin e shtatë. Bekim Guri është regjisor i emocioneve njerëzore dhe i reflektimit shoqëror
Shfaqja e katër filmave të tij ka qenë jo vetëm shpalosje e krijimtarisë, por edhe cytje për të hapur diskutimin e për të zbardhur detaje prapa tyre. Regjisori Bekim Guri ka qenë kryepersonazh në “7 Arte” të Mitrovicës, ku fillimisht janë ndezur projektorët për “Një pikë gjaku”, “Një fëmijë”, “Heshtje” dhe “Rutinë” dhe krejt ky mozaik të enjten mbrëma ka ardhur si udhëtim i thukët nëpër thellësitë e emocioneve njerëzore dhe reflektimin shoqëror.
Tre filmat artistikë dhe një dokumentar i Gurit, të shfaqur njëri pas tjetrit, e vunë audiencën para katër luftërave të ndryshme, me të cilat publiku në Kosovë është ballafaquar së paku një herë gjatë jetës.
“Një pikë gjaku” i tetë vjetëve më parë është rikthyer si një uverturë e trajtimit të një shoqërie me traditën e modernen, dualitetin mes zakoneve dhe praktikave të reja. Përmes lojës së Maylinda Kasumoviq, Ilire Vincës e Fitore Broqit paraqitet lufta e gruas shqiptare dhe roli i mishëruar në to si mbrojtëse të nderit përmes virgjërisë së tyre. E kah krejt tjetër regjisori i jep fundit të filmit, ku mëton të ekspozojë hipokrizinë e shoqërisë shqiptare duke përdorur rastin e dhunimit të vajzës nga vetë babai i saj.
Në vazhdën e trajtesës së figurës së gruas në shoqëri u shfaq edhe “Një fëmijë” i 2020-s. Filmi rrëfen historinë e një çifti të martuar, të cilët nuk arritën të bëheshin prindër për një kohë të gjatë, pavarësisht përpjekjeve. Theksi vihet te refuzimi i idesë se burri mund të jetë problemi, krejt kjo nisur nga krenaria që të mos mësohet e vërteta.
Atmosfera në “7Arte” u thellua ndjeshëm kur filloi filmi i tretë “Heshtje”, që ka hyrë në dekadën e parë prejse është realizuar. Shpalosi një rrëfenjë mbërthyese, e cila dërgon audiencën në realitetin e vrazhdë të luftës. Regjisori Guri nuk shfaqi vetëm një film me audiencën, por ai ndau edhe një kapitull të jetës së tij përmes këtij filmi, nisur nga kujtimet e tij të luftës së fundit në Kosovë. Ka një histori personale në këtë mes.
“Ka nisur nga kujtimet e luftës së fundit në Kosovë dhe ballafaqimet e mia me imazhin e babait të tim duke qarë, imazh ky të cilin nuk e kisha parë asnjëherë, ky është një dedikim për babanë tim tashmë të ndjerë”, ka thënë Guri.
Veçanti tjetër e këtij filmi është edhe teknika e përdorur. Filmi është xhiruar me shirit filmik e jo me kamerë digjitale, detaj ky i cili shton autenticitet dhe ofron një atmosferë unike duke ndihmuar në përcjelljen e ndjenjave dhe detajeve të tjera të këtij rrëfimi.
Guri përdor një qasje unike në realizimin e filmave të tij duke refuzuar përdorimin e muzikës. Në vend të saj ai eksploron thellësinë e tingujve të ambientit. Integron elemente të papërpunuara si frymëmarrja, zhurmën e hapave, dhe elemente të ngjashme te cilat forcojnë realitetin e situatave që paraqiten në ekran. Përjashtim bën në filmin “Rutinë”, në të cilin e përdor muzikën krejt në fund, si për të thyer pak dramën e tendosur gjatë gjithë filmit.
Ka qenë pikërisht “Rutina”, kapitulli i fundit i kësaj mbrëmjeje të veçantë si udhëtim në dhoma të ndryshme të vetëdijes njerëzore, si një “tour de force” duke ftuar audiencën edhe një herë në eksplorimin e aspekteve të rëndomta të një përditshmërie, mirëpo edhe këtu me një sens të fuqishëm provokimi për shikuesit. Në këtë film të shkurtër dokumentar të 2018-s paraqitet storia e Albanit, një fëmijë lypsar në qytetin e Ferizajt. Përmes një procesi të gjatë filmimi prej dhjetë vjetësh, duke filluar në vitin 2009, e xhiron atë, duke ofruar një këndvështrim të përditshmërisë së vështirë të tij.
Ky film i fundit për audiencën krijoi një efekt të grushtit në bark duke u transmetuar kështu nga ata edhe përmes lotëve si rezultat i ndjeshmërisë së stories së Albanit. E kjo punë e madhe e regjisorit, e cila arriti të përçojë mesazh të fortë u duartrokit gjatë për t’i lënë hapësirë diskutimit me vetë regjisorin.
“Albanin e kemi sëmurë ne si shoqëri”, ka qenë një konstatim i prerë i tij për personazhin real të “Rutinës”. Ky pohim i drejtpërdrejtë ua shtoi një dimension të ri debateve pas filmave që trajtojnë çështje sociale, duke përçuar mesazhe të forta dhe thirrje të drejtpërdrejta.
Nga të pranishmit filmat e Bekim Gurit u pritën mjaft mirë, ndërsa Ali Avdiu si shikues u shpreh se u nda me përshtypje të jashtëzakonshme për katër filmat që pa, ndërkaq e vlerësoi në veçanti filmin e fundit “Rutinë”. “Mendoj që filmat e tij duhet të shfaqen në televizionin publik dhe në televizionet e tjera në Kosovë”, ka thënë ai.
Për fuqinë e filmit në përcjelljen e mesazheve sociale ka folur Lulzim Hoti, themelues dhe drejtor i “7Arte”, njëherësh nikoqir i mbrëmjes.
“Arti ka një fuqi të veten, dhe në një formë është mjet që mund të transformojë shoqërinë”, ka thënë ai duke shtuar se përmes “7Arte” për 17 vjet u arrit të bëhet një zhvillim pozitiv në skenën kulturore në Mitrovicë.
Tutje ai u shpreh se fokusi kryesor i tyre ka qenë promovimi i artistëve të rinj dhe filmbërësve të rinj duke synuar që të ofrojnë mundësi në depërtimin e tyre jashtë Kosovës.
Regjisori Bekim Guri për KOHËN u shpreh se temat të cilat vendos t’i trajtojë në filmat e tij vijnë si ngacmime personale. Ka shtuar se si shoqëri në rast se mund të bëjmë ndryshime të vogla përmes ndihmës, do të ndikonim në vetëdijesimin e shoqërisë.
“Kosova ka nevojë për ne, që të japim kontribut për të”, ka thënë ai.
Pas mbresave dhe vlerësimit të lartë që iu bënë filmave të tij të shkurtër, e natyrshme ka qenë pyetja për debutimin me film të gjatë.
“Jam në rrugë për një film të gjatë të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, shpresoj që në fund të shkurtit do të futemi konkretisht në xhirime, dhe besoj që në vitin 2025 filmi i gjatë do të jetë i gatshëm për shikuesit e Kosovës dhe mbarë botës”, ka thënë Guri.
Shfaqja e këtyre katër filmave u bë një udhëtim emocional përmes aspekteve të ndryshme të jetës, duke kapur momentet të vështira të luftës me patriarkatin, luftën si konflikt, dhe luftën e mbijetesës si rasti i Albanit në “Rutinë”. Ky event shfaqi jo vetëm aftësinë e tij artistike e të rrëfimit, por edhe aftësinë e tij për të reflektuar mbi realitetin shoqëror. Pas një nate me mesazhe të forta, Mitrovica la “7Arten” me ndjenjën e një eksperience kinematografike ngacmuese dhe frymëzuese.