Romani i autores kanadezo-amerikane, i cili u shpall fitues Çmimit e Grave për Letërsi, tregon për një djalë i cili i dëgjon objektet që i flasin. Çmimi i njohur në Mbretërinë e Bashkuar, synon ta shpërblejë punën krijuese të grave dhe t’i bëjë burrat t’i lexojnë më shumë shkrimtaret.
Çmimi prestigjioz iu dorëzua të mërkurën autores kanadezo-amerikane, Ruth Ozaki, për romanin e saj “The book of form and emptiness”.
Tani në vitin e tij të 27-të, Çmimi i cili ndahet për një grua nga cilido shtet i botës, i është dhënë një shkrimtareje të gjuhës angleze, zëri i së cilës tingëllon i vërtetë.
Historia filozofike e Ozekit flet për një djalë 14-vjeçar dhe marrëdhënien e tij me objektet e shtëpisë, të cilat nisin t’i flasin pas vdekjes së babit të tij.
Fituesja Ozeki shpërblehet me 34.900 euro dhe pllakat të bronztë të quajtur Bessie, të cilat financohen nga një donator anonim. Nga ana tjetër, njohja do ta ndihmojë autoren t’i shesë librat e saj dhe të sjellë më tej emrin e saj në publik.
“Kjo është absurde. Unë nuk fitoj gjëra”, ka thënë Ozeki gjatë marrjes së çmimit.
Kryetarja e jurisë për vitin 2022, Mary Ann Sieghart, e ka përshkruar atë si “një mjeshtre e vërtetë e tregimit” dhe ka thënë se libri i saj “shquhet për shkrimin e saj të shkëlqyeshëm, inteligjencën, humorin dhe mprehtësinë. Një shpërblim i fuqisë së librit dhe leximit, i cili trajton çështje të mëdha të jetës dhe vdekjes dhe i cili është një kënaqësi e vërtetë për ta lexuar”.
66-vjeçarja Ruth Ozeki është gjithashtu profesoreshë e anglishtes, regjisore, si dhe priftëreshë e Zen Budizmit. Ajo ka thënë se filloi të meditonte mbi marrëdhëniet e njerëzve me objektet teksa pastronte shtëpinë e prindërve të saj të vdekur.
“Si fëmijë, gjërat gjithmonë janë duke na folur dhe ne i bëjmë gjithmonë gjërat të flasin”, ka thënë ajo. “Dhe unë doja të lidhesha prapë me atë botë imagjinare, si është të jesh prapë fëmijë dhe ta shohësh gjithë botën sikur është e gjallë”, ka shpjeguar ajo idenë e novelës së saj.
Lista e vitit 2022 për “Women’s Prize for Fiction” përfshinte vetëm gjashtë shkrimtare dhe temat ishin të ndryshme, që nga romani i rrëfyer nga një pemë, deri te përvoja e një piloteje të hershme femër, në Antarktik.
Lista e autoreve përfshinte Elif Shafak, Ruth Ozeki, Lisa Allen-Agostini, Meg Mason dhe Maggie Shipstead.
Ozeki, vajza e prindërve amerikanë dhe japonezë, u konsiderua si pretendente në listën e ngushtë të konkursit.
Njëri nga librat e listës së ngushtë ishte “The bread the devil knead”, i autores nga Trinidadi, Lisa Allen-Agostini. Vepra tregon historinë e 20-vjeçares Lisa, e cila pavarësisht vetëbesimit që shfaq në publik, fytyra e saj është e mbuluar me shenja nga marrëdhënia abuzive.
Romani i ri i shkrimtares britaniko-turke, Elif Shafak, autore edhe e shumë librave të tjerë të famshëm, siç është “40 rregullat e dashurisë” dhe “Bastardja e Stambollit”, ishte gjithashtu në garë. I titulluar “The Island of missing trees”, romani flet për një dashuri të ndaluar midis një të krishteri grek dhe një myslimani turk në ishullin e ndarë të Qipros.
Pjesë e listës së ngushtë ishte edhe romani “Sorrow and Bliss” i autores nga Zelandës e Re, Meg Mason; “Great Cirscle” e shkrimtares amerikane Maggie Shipstead dhe “The Sentence”, e shkrimtares amerikane Louise Erdrich.
Fituesja e vitit 2021 ishte autorja amerikane Susanna Clarke me librin ”Piranesi”, i cili flet për një figurë të vetmuar, e cila jeton në një vend të quajtur mrekullisht Shtëpia dhe ku zbulohen sekrete të errëta. Fitueset e tjera përfshijnë Zadie Smith, Tayari Jones dhe Maggie O’Farrell.
Çmimi ka një histori të gjatë të përpjekjeve për t’u dëgjuar zëri i gruas.
Qëllimi është që të shpërblehen arritjet krijuese të grave dhe shkrimtareve ndërkombëtare, e gjithashtu stimulimi i debateve rreth gjinisë dhe shkrimit, gjinisë dhe leximit, si dhe funksionimi i biznesit të publikimit dhe rishikimit”, thuhet në deklaratën e ueb-faqes së çmimit.
Ideja e këtij çmimi erdhi rreth vitit 1992 kur një grup i librashitësve, gazetarëve, bibliotekave dhe njerëzve të tjerëve të industrisë së botimit britanik vendosi të bëjë diçka rreth faktit se, para një viti, vetëm 10 për qind e listës së ngushtë të Çmimit Booker Prize ishin gra – pavarësisht faktit se 60 për qind e librave në shitje ishin të shkruara nga gratë. Grupi nisi një çmim të ri për të njohur shkrimtaret femra të letërsisë artistike dhe për të frymëzuar më shumë lexues, veçanërisht burra, që të marrin libra të shkruar nga gra.
Që nga themelimi, “Women’s Prize for Fiction” u bë njëri nga çmimet kryesore në fushën e letërsisë. Edhe juria gjithashtu është e përbërë vetëm nga gratë, pasi “themeluesit donin të festonin pikëpamjet kritike të grave si dhe arritjet e tyre krijuese”, thuhet në ueb-faqen e çmimit.
“Ndihem sikur nuk do të shkruaja nëse nuk do të ishte për mbështetjen e grave dhe institucioneve të grave”, ka thënë Ozeki në fjalën e saj për çmimin.
Marrë nga Deutsche Welle: Përktheu: Mirjetë Sadiku