Kulturë

Rraqi e Bajri me muzikë alternative sjellin “Dritë” në kohë pandemie

Performanca e tyre, në frymën e muzikës alternative, ka krijuar një atmosferë kthjelltësie në ambientin e këtij kompleksi kulturor. Tingujt zanorë dhe instrumentalë të pianos nganjëherë janë përzier me ata të mjedisit rrethues, por edhe me bisedat e publikut të pranishëm. E tërë kjo ka sjellë me vete kuadrin e ndërveprimit njerëzor, përfshirë atë muzikantë-publik, që për një periudhë të caktuar ishte pezulluar shkaku i pandemisë COVID-19. Dyshja Elsa Rraqi dhe Ilir Bajri kanë qenë mysafirët e parë të “Muzgut Zanor”

Zëri melankolik i kantautores Elsa Rraqi dhe virtuoziteti i pianistit Ilir Bajri, i shprehur në performancën e titulluar “Dritë”, kanë rikthyer gjallërinë te publiku të shtunën mbrëma në kinemanë verore “Lumbardhi” të Prizrenit. Në këtë koncert dyshja ka interpretuar shtatë këngët e shkruara dhe të kompozuara nga Rraqi, bashkë me tri këngë të vjetra shqipe, të përpunuara nga vokalistja.

Performanca e tyre, në frymën e muzikës alternative, ka krijuar një atmosferë kthjelltësie në ambientin e këtij kompleksi kulturor. Tingujt zanorë dhe instrumentalë të pianos nganjëherë janë përzier me ata të mjedisit rrethues, por edhe me bisedat e publikut të pranishëm. E tërë kjo ka sjellë me vete kuadrin e ndërveprimit njerëzor, përfshirë atë muzikantë-publik, që për një periudhë të caktuar ishte pezulluar shkaku i pandemisë COVID-19.

Dyshja Rraqi dhe Bajri kanë qenë mysafirët e parë të “Muzgut Zanor” në “Lumbardh”. Ndonëse kantautorja Elsa Rraqi është nga Prizreni, kjo ka qenë performanca e saj e parë në qytetin e lindjes, pas paraqitjeve në “Soma”, “Dit’ e Nat’”, “FemArt” e “Prishtina Lexon”. Performanca e dyshes është titulluar “Dritë”, pasi, sipas organizatorëve, koncerti simbolizon daljen nga errësira kolektive e pandemisë, e që jetësohet me interpretimin e këngëve origjinale nga zëri i ngrohtë i Rraqit dhe qasjes së veçantë të harmonive dhe improvizimeve të Bajrit.

“Sonte kemi një performancë në piano dhe vokal. Ilir Bajri dhe Elsa Rraqi kanë përgatitur një tematikë që quhet ‘Dritë’. Koncerti quhet ‘Dritë’ dhe simbolizon daljen ngadalë prej kësaj errësirës kolektive aktuale”, ka thënë nikoqirja Agona Shporta para të pranishmëve.

kantautorja Rraqi ka vlerësuar se duhet kujtuar izolimin për ta festuar tani takimin me njëri-tjetrin.

“Gjithsesi po duhet me adresua këtë periudhën e pandemisë, karantinës dhe atij izolimi dhe asaj distance që kemi pasë prej njëri-tjetrit, që me mujt me theksua më shumë sa mirë jemi tash dhe sa me fat jemi që po mundemi me u mbledh bashkë dhe shpresoj me kalua një mbrëmje të mirë”, ka deklaruar ajo në hapje të performancës muzikore.

Më pastaj para publikut ka sqaruar se programin e fillon me këngën e titulluar “Veç edhe pak”, të shkruar gjatë periudhës së karantinës si thirrje për durim të përkohshëm.

“Kënga e parë që kemi me bo, është kënga që e kam shkruar në kohë të karantinës. Jam munduar ato emocionet negative që i kam ndier, besoj bashkë me të tjerët, me i shpreh në një mënyrë pozitive. Kështu ka dalë kënga ‘Veç edhe pak’”, është shprehur ajo.

Për këngën “Kuturu” ka thënë se e ka shkruar rrugëve të Prishtinës. Në një prononcim për KOHËN, Rraqi ka shpjeguar se njëra prej këngëve të interpretuara titullohet “Dritë” njëjtë sikurse performanca e së shtunës.

“Kjo këngë flet për njerëzit edhe mungesën e lidhjes ndër ne sot, e qysh veç pak me i leju njëri-tjetrit me pa se kush jemi, në të vërtetë na kish bashku. Kënga ‘T’shkuara’ flet për nevojën me nda përjetime me të tjerët për me u kuptu, po njëkohësisht një rezistencë personale për me bo një diçka të tillë. Kënga ‘Terapi lulesh’ është si një lloj ftese për me pa se qysh e trajtoj rrugëtimin përgjatë ndjesive t’ndryshme, e që mënyra e t’bërit paqe me këto, për mua janë lulet. Ndërsa kënga ‘Kalimtare’ është një këngë te e cila kam provuar me e theksua që përvoja personale e gjithsecilit qëndron edhe ka kuptim, e s’duhet me u krahasua me të tjerët për atë se kush e ka më vështirë për me ta ndreq tënden”, është shprehur Rraqi.

Ajo ka bërë të ditur se janë interpretuar edhe 3 përpunime të këngëve të vjetra shqipe, si: “Sytë për ty i kam të njomë” të Nexhmije Pagarushës, “Mos ma pi rakinë konjak” të Haki Misinit, dhe “Osman Taka” prej valles së Osman Takes.

“Kënga e mbylljes titullohet ‘Mu’ dhe është kënga ime debutuese. Për herë të parë jam paraqitur me këtë këngë në vitin 2016. Njerëzit e duan shumë dhe ata më kanë shtyrë që ta publikoj”, ka thënë Rraqi.

Për dallim prej saj, pianisti Ilir Bajri ka qenë fjalëpakë para publikut të mbledhur në kinemanë verore të Prizrenit. Ai në hapje të performancës ka shprehur mirënjohjen për pjesëmarrjen e publikut në këtë organizim kulturor. Ndërsa në mbyllje ka shprehur dashurinë për Prizrenin, me veçimin e një ëmbëlsire tradicionale të qytetit.

Pas përfundimit të performancës së dyshes muzikore, publiku i pranishëm është shoqëruar edhe me një listë muzikore të këngëve të përzgjedhura nga Rraqi dhe Bajri, si përpjekje shtesë për të krijuar mundësinë për njoftim me njëri-tjetrin, për të diskutuar mbresat nga perspektiva e dëgjuesve dhe muzikantëve, me qëllim që të krijohet një përvojë e këndshme kolektive.

‘Muzgu Zanor’, sipas organizatorëve është një degëz e re e ‘Variacionet e Dëgjimit’, që synon rindërtimin e raportit mes publikut dhe muzikantëve, që u tjetërsua në vitin e shkuar si pasojë e pandemisë. “Lumbardhi” synon që muzgu i të shtunave në kinemanë verore të shijohet nga publiku, “përmes dëgjimit aktiv të tingujve muzikorë, të cilët hera-herës ndërthuren me ritmin e peizazhit zanor të Prizrenit”.

Image