Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Richard Serra – poeti i hekurit

Richard Serra

Richard Serra me skulpturën “Slat” në sfond, Paris, 15 dhjetor 2008 (Foto: AP)

Artisti amerikan Richard Serra – i cili vdiq në moshën 85-vjeçare – ishte i njohur dhe i dashur për strukturat e tij masive të ndryshkura të çelikut, të vendosura tani nëpër muze anembanë botës. “E gjithë marrëdhënia subjekt-objekt është e kundërt. Përmbajtja është vetë njeriu. Nëse nuk bashkëveprojmë me veprën, atëherë ajo nuk ka asnjë përmbajtje”, kishte thënë artisti, të cilin bota e njohu edhe si poet të hekurit

Richard Serra shquhej si skulptori më i mirë në botë. Mori epitetin “poeti i hekurit’, sepse ishte i famshëm për shndërrimin e mureve të lakuara prej çeliku të ndryshkur dhe materialeve të tjera të lakueshme, në vepra të përmasave të mëdha të artit në natyrë, të cilat tani janë të vendosura në të gjithë botën. Serra vdiq nga pneumonia të martën, në shtëpinë e tij në Long Island. Ishte 85 vjeç. 
I lindur në Kaliforni në vitin 1938 nga prindërit me prejardhje spanjolle dhe ruse, Tony dhe Gladys Serra, ai fillimisht synonte të bëhej piktor, para se të fillonte të ushtrohej me çelik në moshën 17-vjeçare. Punoi në shkritore të çelikut për të ndihmuar në financimin e shkollimit të tij në Universitetin e Kalifornisë. Po ashtu studioi artet e bukura në “Yale”, ku diplomoi në vitin 1964.

Gjashtë vjet më vonë filloi të krijonte skulptura në Japoni, Kanada dhe në krejt SHBA-në, duke përdorur topografinë e vendndodhjes për të ndikuar në përvojën e shikuesit.

“E gjithë marrëdhënia subjekt-objekt është e kundërt. Përmbajtja është vetë njeriu. Nëse nuk bashkëveprojmë me veprën, atëherë ajo nuk ka asnjë përmbajtje”, kishte thënë artisti për “The Guardian” në vitin 2008.

Skulptura “The Snake” në Muzeun e Guggenheimit në Bilbao në tetor të vitit 1997 (Foto: AP)

Veprat e Serras nisën të merrnin vëmendje të madhe në vitin 1981, kur ai instaloi një mur të lakuar prej çeliku të papërpunuar, 36.5 metra i gjatë dhe 3.6 metra i lartë, që e ndante sheshin “Federal Plaza” në qytetin e New Yorkut. Skulptura e titulluar “Tilted Arc” nxiti reagime të ashpra në publik. Atëkohë, nëpër rrugët e qytetit artisti shihte posterë me frazën “Kill Serra”, përmes së cilëve bëhej kërkesë për largimin e kësaj vepre. 

Më vonë ajo u çmontua por popullariteti i Serras në skenën e artit të New Yorkut tashmë ishte çimentuar. 

Edhe Thaddeus Mosley – skulptori qindvjeçar i drurit Kulturë 4 muaj më parë Thaddeus Mosley – skulptori qindvjeçar i drurit

Dashuria e publikut për artin e tij filloi të përshpejtohej në dekadën e ardhshme, kur ai hoqi dorë nga këndet e drejta të modernizmit dhe përqafoi lakimin në artin e tij. Skulpturat e titulluara “Torqued Ellipses”, të krijuara në vitet ’90, duke përdorur pllaka çeliku të mbështjellë, u mundësonin vizitorëve të futeshin brenda tyre dhe të ecnin përreth. Veprat e radhës “The Matter of Time”, të realizuara ndërmjet viteve 1994-2005 për muzeun modern dhe bashkëkohor të artit, “Guggenheim Museum Bilbao”, u bënë veprat përcaktuese të karrierës së tij.

 “Equal” e Richard Serras në Muzeun e Artit Modern në New York, në nëntor të vitit 2020 (Foto: AP)

Në vitin 2014, ai instaloi katër kulla çeliku, 50 metra të larta, në shkretëtirën e Katarit si pjesë e projektit të quajtur, “Lindje-Perëndim/Perëndim-Lindje”.

“Ti vetëm duhet ta paraqesësh veprën artistike dhe të shohësh se si reagojnë njerëzit. Nuk mund t’ua imponosh atë. Sepse më duket e kotë t’ua tregosh kuptimin me zor. Ti mund t’i orientosh në një drejtim të caktuar, por ata duhet të gjejnë një përvojë tek e cila duan të kthehen përmes atij punimi”, pati deklaruar atëkohë Serra për “The Independent”.

Serra qe aktiv si artist deri në të 80-at. Në vitin 2019 e ekspozoi një skulpturë në galerinë “Gagosian” në New York, të cilën e përshkroi si “shou i tij më i rëndë ndonjëherë”. Deri në vdekje ai u konsiderua si skulptori më i njohur i gjallë në SHBA. 

Në vitin 2015, kur u pyet nga artisti konceptual, Michael Craig-Martin, se cilët artistë të tjerë iu qasen skulpturës sikurse ai, Serra u përgjigj: “Unë nuk mendoj se dikush e bën këtë”.
Puna e Richard Serras është instaluar në peizazhe dhe muze anembanë globit, nga Islanda në Zelandë të Re.

Marrë nga “The Independent” dhe “The Guardian”. Përktheu Edona Binaku
 

Edhe “Çrregullimet e sakta” në metaforë të pranisë njerëzore Shtojca për Kulturë 1 j. më parë “Çrregullimet e sakta” në metaforë të pranisë njerëzore