Kulturë

Restaurimi shpëton shtëpinë-muze të Konstandin Kristoforidhit

Restaurimi që ka nisur në vjeshtën e kaluar e ka shpëtuar Shtëpinë muze të gjuhëtarit dhe përkthyesit Konstandin Kristoforidhi. Shtëpia që gjendet brenda mureve rrethuese të Kalasë së Elbasanit i është nënshkruar një ndërhyrjeje konservimi e restaurimi nëpërmjet së cilës i është siguruar jetëgjatësia ndërtesës ku Kristoforidhi u lind më 22 maj 1827.

Çatia shfaqte problematika në konstruksion, si dhe ishte vënë re prania e lagështisë në ambientet e brendshme të objektit. Në këtë fazë të ndërhyrjes nga ekipi i mirëmbajtjes së DRTK Korçë është realizuar ndërhyrja në të gjithë sipërfaqen e çatisë. Gjithashtu përfundoi restaurimi i dyshemesë së dëmtuar prej dërrase dhe pastrimi nga vegjetacioni i territorit. DRTK Korçë ka njoftuar se materiali i drurit është trajtuar me antimol dhe vaj lini. Po ashtu është bërë restaurimi i portës së jashtme hyrëse në oborr dhe përforcimi i shkallëve të objektit.

Në vitin 2014 ishte bërë e ditur se institucionet lokale kishin vërtetuar se kjo ndërtesë ishte vendlindja e Kristoforidhit. Kjo ishte bërë duke pasur parasysh korrespondenca. Në botimin “Kristoforidhi-një vështrim rinjohës”, djali më i vogël i Kostandin Kristoforidhit ndiqet nga një korrespondencë që gjithashtu hedh dritë mbi shtëpinë ku lindi gjuhëtari i madh. Ai jetoi thuajse gjithë jetën larg vendlindjes, por u kujdes për aktivitetin e të atit dhe u mundua të sjellë jo vetëm veprat e tij, por edhe të shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj shqiptarë.

I martuar me një franceze, Filip Kristoforidhi vdiq në mërgim dhe ende nuk dihet fati i bibliotekës së tij të pasur, pasi nuk la trashëgimtarë. Në letërkëmbimin që botohet për herë të parë në këtë libër, vijnë detaje edhe për shtëpinë ku lindi Kristoforidhi, duke saktësuar shtëpinë ku lindi gjuhëtari i madh në lagjen “Kala” të Elbasanit.

Filip Kristoforidhi, në korrespondencën që mbajti me Thanas Konomin në vitet ‘60, në një nga letrat e shumta jep detaje për shtëpinë ku jetoi Kristoforidhi, ku u kthye përfundimisht në Elbasan në vitin 1884. Kjo shtëpi do të kthehej në shtëpi-muze gjatë viteve të komunizmit, e cila sigurisht që nuk ishte shtëpia e lindjes. I biri saktëson pikërisht godinën që vazhdon të jetë muze për vitet e fundit të jetës së Kristoforidhit.

“Atëherë ai rrinte me fëmijët te një shtëpi ku ishin dy familje: më një an Vasil Popa. Më an tjetër, Maria, një grua plakë e-ve, motëra e babajt. Mbas vdekjes s’motrës, babaj e shiti Vasil Popës hisen e saj. Qo shtëpi gjendesh afër çezmës Kalas, në ballë shtëpis Lazrit papa Janit, tregtar (reshper) dhe shok i babajt me cilin luenin (lozëshin) tavllash bashkë në kopsht (mbramjet e verës)”, thuhet në këtë letër.

Filipi nuk e lë të pazgjidhur edhe dilemën e shtëpisë ku lindi Kristoforidhi. Ai e përcakton mjaft mirë në një letër të 19 nëntorit të vitit 1963, ku thotë se Kristoforidhi lindi në shtëpinë ku ka jetuar më pas dhëndri i tij, Dhimitër Bibaja: “Muzeu – Ju më thoni se pleqënia Elbasanit ka vum ndërment të ngrehi ose të përkthej shtëpin e Mimës si muze, aty ku leu im atë. Ky mendim asht i pëlqyeshëm se dëften një shpërblesë dhe kujtim për dietarin elbasanas, themeltar i gjuhësë shqipe”. Madje, pak më poshtë ai do të japë edhe shtëpinë ku vdiq Kristoforidhi, që ishte edhe shtëpia e Taq Budës.

Madje Filipi shkruan edhe dy dedikime që, sipas tij, duhet të vendoseshin në shtëpinë ku lindi gjuhëtari. Filipi përcjell nëpërmjet një letre drejtuar Thanas Konomit dy ide për mbishkrimet që duhej të vendoseshin në shtëpinë-muze të Kristoforidhit, një prej të cilave: “Këtu në këtë shtëpi lindi Kostandin Ndelka, më 1830, ose Kristoforidhi, pseudonim që përdori për veprat e tij”.