Me “Inhale, Exhale”, “ReMusica” do të eksplorojë temat mbi shëndetin mendor, rritjen e ndërgjegjësimit dhe rëndësinë për vetveten para së gjithash. Në një masë i kushtohet edhe kujdesit ndaj planetit me anë të veprave e ngjarjeve tjera që do të ndërtojnë edicionin e 22-të të festivalit të muzikës klasike. Nga 3 deri më 23 maj ftojnë publikun të marrin frymë thellë, e nga ajo thellësi të reflektojnë në gjërat e domosdoshme për ta balancuar përditshmërinë dinamike. Festivali me traditë sivjet ofron program të gjerë ku pos koncerteve, do të mundohet ta fusë publikun në takimin e paqes me vetveten.
Festivali “ReMusica” edhe këtë vit vjen me mision të qartë: të përkujtohet rëndësia e kujdesit ndaj vetes. Vetë organizimi i tij mëton të bëhet moment reflektimi dhe ndërgjegjësimi për shëndetin dhe mirëqenien mendore. Kjo do të bëhet përmes programit të gjerë, që nga koncertet me artistë të skenave botërore dhe atyre vendore. Do të ketë gjithashtu instalacione konceptuale e tingullore, masterklasa, punëtori me gjeneratat e reja, programi për fëmijë “ReMusica Junior”. Diskutimet ku fokus do të jetë shëndeti mendor dhe koncertet ku muzika takon meditimin synojnë t’i vënë pikën gjithë organizimit të 22-të të “ReMusicas”.
Në kuadër të Festivalit do të vihen në skenë 8 premiera botërore dhe rreth 200 pjesëmarrës nga Kosova dhe Evropa. Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet repertorit për instrumente me frymë duke veçuar formacionet frymore dhe ansamblet vokale. Jo krejt rastësisht kjo, pasi korrespondon me temën dhe konceptin e këtij viti. “Tema e edicionit të 22-të është e bazuar në shëndetin mendor, ndërgjegjësimin dhe rëndësinë e të qenit mirë dhe kujdesit ndaj vetvetes para së gjithash. Gjithashtu, edhe për kujdesin ndaj planetit, ndaj njëri-tjetrit, ndaj raporteve që krijojmë me tjerët e kështu me radhë”, është shprehur drejtoresha artistike e Festivalit, Donika Rudi.
Kuinteti i njohur frymor “Calefax” nga Holanda do të hapin programin më 3 maj në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në kryeqytet. Tashmë është publikuar edhe programi ku bëhet e ditur se ansambli holandez do të interpretojë vepra të kompozitorëve si Raaf Hekkema, Robert Schumann, Georg Frideric Händel e të tjerë.
Veçanti e këtij edicioni do të jetë edhe prezantimi i parë në Kosovë i ansamblit vokal “ReMusica”. Ansambli i formuar rishtazi do të sjellë ngjyrat vokale në kishën katolike “Shën Ndou” në kryeqytet më 4 maj.
“Në koncertin e ansamblit do të ketë vepra të autorëve tanë, sivjet kemi numër mjaft të madh të veprave të autorëve tanë, kjo është diçka që vazhdimisht e kemi plasuar si ide për shkak se Festivali konsiderohet festival kompozitorial dhe për këtë arsye, gjithmonë në fokus i kemi pasur kompozitorët tanë dhe kjo është dëshmuar”, është shprehur kompozitorja e artistja Rudi.
Ansambli ka debutuar më 5 shkurt të këtij viti në festivalin “La Semaine du Son – De week van de Klank” në Bruksel me koncertin “Vitrail Albanese”.
Me koncertin “Electroacoustic & Acousmatic Night” me vepra të kompozitorëve evropian publiku do të shijojë ritmin e përzgjedhur nga kompozitorja Donika Rudi në qendrën “Termokiss” më 5 maj. Po aty dhe atë ditë do të zhvillohet diskutimi me shkrimtaren afrikane, Cecilia Martens, dhe artistin gjerman Holger Maik Mertin. “Dy artistë, një planet – Arti i tingullit dhe udhëtimit” do të jetë tema ku do të eksplorohen udhëtimet e tyre me qëllim ndërgjegjësimin për shëndetin mendor, fuqinë e pasaportave dhe udhëtimet si çift i përzier.
Një ditë më pas, në hapësirën e “Termokiss” në kryeqytet do të hapet audio-instalacioni “The Basic Needs of Life” i artistit gjerman, Holger Meik Mertin. Aty audienca do të ftohet për të dëgjuar dhe ndier parimet kryesore të jetës duke filluar nga frymëmarrja e ritmet e rrahjeve të zemrës. “Do të ketë edhe instalacione tingullore ku një artist gjerman e sjell tek audienca për të reflektuar vetveten, hapësirën ku jemi dhe botën e jashtme. Është paksa filozofike duhet qenë brenda saj për ta kuptuar më thellë”, ka shpjeguar Rudi.
Paraditen e 7 majit është planifikuar të mbahet “Yoga Concert” me instruktoren e jogës, Ajhana Abdurrahmani dhe që shoqërohet me tinguj piano nga jazz-pianisti, Ilir Bajri.
Programi i Festivalit do të vijojë me recital në piano nga belgu Julien Libeer ku do të luhet “Well-tempered Keyboard” e Johann Sebastian Bach më 10 maj.
Hapësirë do t’u kushtohet kompozitorëve të rinj me koncertin “Young composers & wind ensembles”, ku do të interpretojnë kuartetet e klarinetave “Lorenc Antoni” dhe “4clariSonore” si dhe kuarteti i flauteve në përbërje me Yllka Simnicën, Alba Bashën, Elda Mekën dhe Ujana Këpuskën.
“Duo Aliada” do të mbajë koncert më 12 maj nga saksofonisti Michal Knot dhe fizarmonisti Bogdan Laketic, të cilët themeluan grupin në Vjenë rreth 10 vjet më parë.
Edicioni i 22-të i festivalit “ReMusica” do të përmbyllet me koncertin e “European Union Youth Orchestra” të themeluar prej Parlamentit Evropian në vitin 1976. Krahas formacionit, në rolin e solistit do të paraqitet violinisti nga Britania e Madhe, Daniel Rowland. Koncerti përmbyllës do të mbahet në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë më 23 maj.
Drejtoresha artistike “ReMusica-s” ka thënë për KOHË-n se deri më tash në kuadër të Festivalit janë shpalosur shumë vepra si premierë botërore.
“Me këtë fokus me të cilin edhe ka nisur ‘ReMusica’ në vitin 2002, me këtë traditë prej së cilës ka arkivin shumë të madh të veprave të autorëve tanë, do ta vazhdojë edhe këtë vit dhe është veç një dëshmi që vërtet kujdesi ynë është që kjo krijimtari, këta talentë ta kenë shtëpinë e tyre, ku mund të promovohen përmes prezantimit të punës së tyre”, është shprehur Donika Rudi.
Vitin e kaluar, “ReMusica” kishte zhvilluar edicionin e saj nën temën “The Sound of Change” që u kushtohej ndryshimeve klimatike. Edicioni i 21-të ishte zhvilluar nga 5 deri 13 prill ku mes pjesëmarrësve në vend e më gjerë, të ftuar ishin edhe disa nga Ukraina.