Berlin, 4 mars – “Fuqia jote është të thuash jo”, thotë një prej personazheve në filmin e Mohammad Rasoulofit “There is No Evil”, fitues i çmimit kryesor “Ariu i Artë”, të shtunën e kaluar, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.
Duke trajtuar çështjet morale që ndërlidhen me dënimin me vdekje, filmi është edhe metaforë për punën e vetë regjisorit: me regji dhe kundërvënie ndaj autoriteteve despotike, Mohammad Rasuoulof shpreh fuqinë e tij, ndërsa e ka të qartë se veprimet e tij do t’i sjellin pasoja tragjike dhe humbje personale.
“Kjo është një nga arsyet që njerëzit lidhen kaq fort me filmat e Mohammad Rasoulofit, për shkak se ai pasqyron përvojën e tij”, ka thënë për “Deutsche Welle” producenti i tij Kaveh Farnam.
I ndaluar për të qenë regjisor që nga viti 2017, Rasoulof ishte dënuar me një vit burgim në korrik të vitit të kaluar. Ndërsa kishte apeluar ndaj vendimit, ai vendosi të bënte regjinë e filmit “There is No Evil”.
Tri javë më parë, verdikti është konfirmuar me një tekst mesazhi: “Ai mori një SMS nga gjykata që e njoftonte atë: ‘Verdikti juaj është konfirmuar, apeli juaj është hedhur poshtë dhe ju duhet të shkoni në burg. Përgatite veten’”, ka thënë Kaveh Farnam, duke shtuar që mesazhi as që e ka përmendur se kur do të fillojë vuajtja e dënimit: “Është ky lloj kërcënimi i tyre. Është vërtet një lloj torture”.
Edhe
Gjermania ia mësyn “Oscarit” me filmin e regjisorit iranian në ekzil
Rasoulof nuk është lejuar të udhëtojë në Berlin për premierën e filmit të tij të premten. Shteti konfiskoi pasaportën e tij pas rikthimit në Iran më 2017, pasi regjisori kishte fituar çmimin kryesor në seksionin “Un Certain Regard” në Festivalin e Filmit në Cannes me filmin “A Man of Integrity”. Regjisori nuk mund të rikthehet në shtëpinë e tij në Hamburg, ku ende jeton familja e tij.
Farnam, që ka ikur nga Irani – ai jeton në Dubai dhe kompania e tij e produksionit është në Republikën çeke – ka bashkëpunuar me Rasoulofin në filma të mëparshëm, dhe ata “janë duke planifikuar të bëjnë edhe shumë të tjerë”. I vetëdijshëm se ai do të përballet me pasoja se ka marrë pjesë në këtë produksion “të paligjshëm”, edhe ai është gati të përballet me to: “Ne mendojmë se kjo është detyra jonë. Artistët duhet t’i japin shoqërisë qasje mbi gjërat që po ngjajnë përreth teje në kohën kur ti po jep shpirt”, ka thënë producenti disident. “Dhe nëse ne duam të mbajmë gjallë kinemanë e pavarur, nëse duam ta mbajmë gjallë mënyrën e pavarur të të menduarit, nuk ka rrugë tjetër pos t’i pranosh pasojat”.
Ai ka theksuar se përderisa persekutimi i një regjisori të vlerësuar si Rasoulofi apo Jafar Panahi mund të përfitojë vëmendje ndërkombëtare, janë brengosur për kolegët e rinj, regjisorët e pavarur që nuk janë emra të mëdhenj.
Përveç censurës, ndalesave dhe persekutimit, regjisorët e pavarur po përballen me garën e shtetit, ka shpjeguar Farnam: “Filmat e mbështetur nga Organizata Iraniane e Kinemasë, kompania shtetërore e produksionit – ’thelbësisht propaganda qeveritare’ – jo vetëm që kanë buxhet të madh, por edhe mbështetje të pakufizuar logjistike”. Përderisa është e pamundur për produksionet e pavarura për të mbyllur një rrugë gjatë një skene filmi, “ata mund të marrin lehtësisht dy helikopterë për të bllokuar sheshin kryesor me një nga projektet e tyre”. Jo rastësisht, “shumë njerëz kanë filluar të punojnë me ta”, ka thënë Farnam.
Derisa ai ndien se ka mungesë guximi në vend, Farnam vë re që ka nisma të ndryshme që ende luftojnë për të rifituar të drejtat e regjisorëve të pavarur.
Në nëntor 2019, më shumë se 200 anëtarë të industrisë iraniane të filmit nënshkruan një letër të hapur që dënonte censurën e shtetit dhe kërkonin liri shprehje në Republikën Islamike, duke ndjekur ndalesën e filmit të Kianoush Ayarit “The Paternal House” një javë pasi ishte shfaqur në teatrot iraniane.
Për të bërë regjinë e “There is No Evil”, produksioni vendosi të shpërqendronte vëmendjen e autoriteteve, duke kërkuar leje për të bërë katër filma të shkurtër në vende të ndryshme. Emri i Rasoulofit nuk u shfaq, dhe ai dha udhëzimet e tij për skenat e xhiruara në aeroport përmes një ndihmësi.
Skenat e tjera ishin xhiruar nëpër shtëpi apo mjedise të mbyllura, si burgje apo në vende të largëta.
Edhe
Regjimi iranian në filmin e regjisorit të arratisur drejt Cannes
Në katër rrëfimet e “There is No Evil”, mëdyshjet morale të personazheve kryesore të lidhura me përfshirjen e tyre në ekzekutime janë të gjithëkohshme, por vala e ekzekutimeve të të burgosurve politikë iranianë, duke filluar nga viti 1988 frymëzoi përfundimisht filmin, ka thënë producenti. Një numër i panjohur njerëzish u ekzekutuan asokohe. “Amnesty International” kishte dhënë emrat e rreth 4.500 të burgosurish të zhdukur gjatë spastrimit që zgjati rreth pesë muaj, por disa vlerësime japin shifra deri në 30 mijë.
Edhe sot, sipas raportit të fundit mbi Iranin të “Amnesty International” të botuar më 18 shkurt, “shumë njerëz janë ekzekutuar pas gjykimeve të padrejta”. Ata që u ekzekutuan vitin e kaluar përfshinin njerëz të ndryshëm që ishin adoleshentë në kohën e “krimit” të tyre. Edhe homoseksualiteti konsiderohet si vepër penale nën Ligjin Islamik në Iran, i ndëshkueshëm me vdekje. Sikundër është raportuar nga Monitoruesi Iranian i të Drejtave të Njeriut, një nga metodat e ekzekutimit të përdorura nga regjimi është t’i bëjë varjet publike nga vinçat e ndërtimtarisë.