Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Regjia është një luftë ndryshe për të bërë ndryshime

Burbuqe Berisha

Arti - përkufizim i së bukurës, fisnikes, ideales, subtiles... Arti është dashuri, pasion i bukur që të frymëzon.

Drita quhej nëna ime, e cila më ka lënë qysh në fëmijërinë time të hershme. Vdiq në moshën e saj 31-vjeçare. Mua më mungon shumë, po edhe emri i saj që është rrezatim elektromagnetik me një gjatësi valore, që është i dukshëm për sytë e pa të nuk ka kuptim jeta. E ajo që përfaqëson emrin më të dashur për mua ka një kohë të gjatë që i mungon këtij vendi e kësaj hapësire. Si duket ne nuk e preferojmë dritën, por errësirën. Dritë, e dimë që do të thotë ndriçim; ndriçim i mendjes, që Emanuel Kanti e quante iluminim, domethënë që të veprosh sipas mendimit tënd të pavarur. Në Kosovën e sotme, mendoj unë, na mungon një dritë edhe më e kthjellët, më ndriçuese, pra një ndriçim i përgjithshëm i shoqërisë, një ngritje cilësore e arsimit, një ndriçim jetësor.

Bekim. Mund të bekojmë çfarë të duam: aeroporte, anije dhe çfarëdo tjetër. Pa bekimin e dikujt nuk mund ta arrijmë cakun. E populli ynë ishte i bekuar me Bekim Fehmiun, njëri nga figurat më emblematike që e kemi pasur jo vetëm në kinematografi, por edhe në jetën tonë artistike dhe publike. Ishim të bekuar që Bekimi ishte gjaku ynë. Ai arriti të jetë në Hollivud, për të cilin ëndërronin të shkonin mijëra të rinj për ta vazhduar karrierën e tyre filmike. Asnjëherë nuk e harroi identitetin e tij dhe e ruajti me kokëfortësi. Bekimi edhe sot i vdekur po na mëson se si do të duhej të çmoheshin vlerat e vërteta të njerëzve dhe artistëve. Ai nxjerr virtytet më të larta njerëzore nga bota e tij e brendshme me guximin e tij artistik dhe intelektual. Në momente të caktuara dinte ta refuzonte atë që të tjerët vraponin pas saj: famën. Bekimi është një bekim i madh për Kosovën.

Krenaria. Kur flitet për krenarinë, unë besoj se ka një ndryshim midis të qenit krenar për disa gjëra dhe të qenit krenar për asgjë. Unë jam krenare për shumë gjëra: për punën, jetën, rrethin tim, për miqësinë… Krenaria është në të përditshmen. Duket se ky epitet po zëvendësohet me të tjerë. Më parë krenaria binte mbi dikë që bënte një vepër të mirë që kontribuon në shumë vlera humane, njerëzore. E sot ajo ka marrë një tjetër kuptim. Njerëzit dinë të jenë krenarë për gjëra që nuk vlejnë e për marrëzitë e tyre dhe kotësirat. Kokorisen si gjela se kanë vlera e kjo është ajo që ia kanë humbur kuptimin kësaj fjale me vlerë. Liria e mendimit, e të shprehurit, e lëvizjes, frymëmarrjes. Sa fort mungon liria në këtë hapësirë ku jetojmë… Liria për ta thënë të vërtetën në sy; liria artistike që mesazhi yt të jetë sa më i qartë. Të flasësh për të e të duket se jemi të lirë në një geto të madhe prej së cilës nuk del dot - është goxha paradoks.

Inati është gjëja më e keqe që mund ta pushtojë njeriun. Është arrogancë, e nëse hiqet shtylla e inatit, pranimi dhe dhënia e këshillës bëhet e lehtë. Jeta në përgjithësi do të jetë më e bukur pa inate, intriga e arrogancë. Do të jemi më tolerantë ndaj njëri-tjetrit; do të kemi më shumë dashuri e pasion; më shumë mirëkuptim.

Hera ishte bashkëshortja legjitime e Zeusit dhe konsiderohej si mbrojtësja e familjes. Produksioni im quhet “Hera”. Unë e dua punën time dhe e cilësoj se është e rëndësishme sa edhe familja. Në thelb jam mbrojtëse e të drejtave të grave dhe Hera simbolizon gruan si një qenie shumë fisnike dhe subtile. Kohëve të fundit jeta e gruas është e paçmueshme dhe respekti ndaj saj është thuajse në shkallën zero. Doni dhe respektoni nënat, gratë e motrat tuaja!

Regjia si përkufizim i së bukurës, pasqyrim i imagjinatës e i realitetit jetësor…Një luftë ndryshe për të bartur mesazhin për ndryshime, një harmonizim konceptesh. Më vjen keq kur regjia keqpërdoret. E shembuj ka me bollëk.

Ky tekst i Burbuqe Berishës ishte botuar në rubrikën “Shtatë Shkronjat”, në “E diela me Koha Ditore” më 15 nëntor 2015

Artikuj të ngjashëm