Shtimi i 51 pozitave të reja administrative është një prej propozimeve të koncept-dokumentit për art dhe kulturë, miratuar nga Qeveria. Këto pozita kushtëzojnë edhe pavarësimin financiar të institucioneve të kulturës, një tentim i kahershëm i Ministrisë së Kulturës. Nga kjo ministri vijnë akuza në adresë të Ministrisë së Financave dhe Transfereve se po “saboton hapur vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”
Reforma në kulturë e ka çakorduar të paktën Ministrinë e Kulturës me atë të Financave dhe Transfereve. Shkarja midis këtyre dy ministrive ka dalë në pah në “Qarkoren Buxhetore 2023/02 - Niveli Qendror”. Është bërë shkas që edhe të lindin akuza për sabotim të vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Në gusht ekzekutivi ka miratuar koncept-dokumentin për art dhe kulturë. Nëpërmjet këtij vendimi i ka hapur rrugë një reforme ligjore sa u përket kulturës institucionale dhe skenës së pavarur.
Shtimi i 51 pozitave të reja administrative është një prej propozimeve të koncept-dokumentit. Këto pozita kushtëzojnë edhe pavarësimin financiar të institucioneve të kulturës, një tentim i kahershëm i MKRS-së. Ka së paku 15 vjet që institucioneve qendrore të kulturës – midis tyre Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës, Baleti Kombëtar, “Shota” sikurse edhe për Muzeun Kombëtar – u premtohen kode të veçanta buxhetore. Kjo ua thjeshtëzon shfrytëzimin e buxhetit që u ndahet prej shtetit. Edhe tash, nëse një institucion synon ta realizojë një projekt, atë duhet ta paguajë nëpërmjet Ministrisë së Kulturës. As të hyrat që i realizon nuk mund t’i shfrytëzojë vetë.
“Qarkorja Buxhetore 2023/02 - Niveli Qendror”, si dokument që u është shpërndarë ministrive nga Ministria e Financave, përcakton kufijtë buxhetorë që mund të kërkojnë organizatat për vitin që vjen. MF-ja nuk i ka llogaritur edhe 51 pozitat për punonjësit e institucioneve të kulturës. Me punësimin e tyre këto institucione do të ishin në gjendje që të menaxhonin vetë buxhetin duke mos u varur nga MKRS-ja për çdo shërbim.
Qarkorja ka bërë që të reagojë zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Bislim Bislimi.
“Ministria e Financave saboton hapur vendimet e Qeverise se Republikës se Kosovës”, ka shkruar ai në reagim.
Ka sqaruar se Qeveria ka miratuar koncept-dokumentin për artin dhe kulturën, në të cilin, ne opsionin e rekomanduar, janë përfshirë katër nën-opsione.
“Ndryshimi i ligjeve ekzistuese në kulture dhe hartimi i ligjeve të reja sektoriale; Ndryshimi i ligjeve horizontale që e prekin kulturën; Hartimi i Strategjisë Kombëtare për Kulturën; Shtimi për vitin 2023 i 51 pozitave të reja administrative”, janë nën-opsionet.
Sipas Bislimit, këto pozita kushtëzojnë drejtpërdrejt autonominë për menaxhimin e buxhetit të institucioneve kombëtare kulturore.
“Masa 4, nuk kërkon kurrfarë ligji e as akti tjetër për zbatim, por kërkon vetëm përfshirjen në Ligjin për Buxhet të vitit 2023. Ky koncept i propozuar nga MKRS-ja është shndërruar në politike qeveritare sepse ka vendim të Kabinetit Qeveritar mbi aprovimin e koncept-dokumentit”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Ministria e Financave, përkundër faktit që është në dijeni të kësaj çështjeje, “lëshon qarkore me të cilën e shkel me dy këmbët vendimin e Qeverisë dhe tenton ta sabotojë reformën në kulturë duke mos i lejuar vendet e punës që analiza e problemeve e ka konkluduar se nuk mund të ketë autonomi funksionale për këto institucione pa stafin e domosdoshëm që e menaxhon vetë buxhetin”.
“Meqë Qeveria dhe ministri Murati lejojnë bashibuzukë në sistem që janë aq të fuqishëm sa të hedhin në plehra vendimet e Qeverisë, atëherë le të vazhdojë ky përçudnim”, ka shkruar Bislimi.
Koncept-dokumenti për kulturë rrumbullakon analizën e gjendjes aktuale bashkë me propozimet se si të veprohet me të ardhmen. Propozohet shfuqizimi i gjashtë ligjeve aktuale dhe një numri të madh aktesh nënligjore. Është propozuar që vetëm me dy ligje të rregullohet fusha e artit dhe e kulturës.
Sipas këtij dokumenti, ndërhyrjet me masa të kombinuara, legjislative, të rishikimit të kornizës së politikave, si dhe të rritjes e fuqizimit të kapaciteteve administrative e profesionale është zgjidhja e duhur. Ky veprim do ta përmbyste rendin legjislativ që shteti e ka ndërtuar për dy dekada në raport me institucionet kulturore.
Grupi punues – emrat e anëtarëve të të cilit nuk figurojnë në dokument, por është paraqitur si draft i “përgatitur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit” – ka bërë edhe analizë të gjendjes aktuale.
Është evidentuar mungesë e politikës kulturore për menaxhim efikas dhe kualitativ të institucioneve dhe programeve artistike e kulturore bazuar në politikat nxitëse dhe rritje të buxhetit në bazë të rritjes së përqindjes së të hyrave vetjake nga ana e institucioneve të kulturës, e cila ka rezultuar në menaxhmente joefikase.
Drafti i koncept-dokumentit për kulturë ofron tri opsione për veprim: Ai për asnjë ndryshim; Opsioni i përmirësimit të zbatimit të kornizës rregullatore ekzistuese dhe opsioni i ndërhyrjeve me masa të kombinuara, legjislative, të rishikimit të kornizës së politikave, si dhe të rritjes e fuqizimit të kapaciteteve administrative e profesionale. I treti edhe është rekomanduar.
Sipas draftit, në kuadër të opsionit të tretë është analizuar ndërhyrja rregullatore me masa të kombinuara. Janë propozuar masa legjislative, rishikimi i kornizës së politikave publike, hartimi i Strategjisë Kombëtare të Kulturës dhe rritja dhe fuqizimi i kapaciteteve administrative e profesionale për sektorin publik të kulturës.
Grupi e ka propozuar hartimin e një ligji të veçantë që ka për qëllim rregullimin e fushës së kinematografisë në të cilin do të trajtohen zhvillimet e reja në industrinë e filmit dhe të kinematografisë, si dhe do të krijohej baza ligjore e qëndrueshme për fondin e filmit, si dhe do të trajtohej çështja e trashëgimisë kinematografike. Synim i MKRS-së është që ligji i veçantë të miratohet vitin që vjen.