Kulturë

“Reconnection 2.0” për shkëmbime kulturore midis Kosovës e Serbisë

Artistë nga Kosova do të bëhen rezidentë njëmujorë në Serbi dhe anasjelltas. E qëllimi është njohja dhe shkëmbimet kulturore midis dy shteteve. Gjatë tre vjetëve do të organizohen gjithsej 12 rezidenca artistike, të cilat synojnë të shërbejnë si hapësira për artistë të fushave të ndryshme, që të prodhojnë vepra nga fushat e tyre përkatëse. “Tash e dy dekada, për çdo hap të bërë nga politika në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, kultura i ka bërë dhjetë, edhe atë në mënyrë krejt sporadike, duke u varur nga vullneti i grupeve të ndryshme të aktivistëve, pa ndonjë plan sistematik”, ka thënë Aurela Kadriu, menaxhere e projektit nga “Qendra Multimedia”

“Reconnection 2.0” është titulli i rezidencave më të reja, që kanë për qëllim të shërbejnë si hapësira për artistë nga fusha të ndryshme, si letërsi, aktrim, muzikë, arte pamore, kostumografi e koreografi, që përgjatë një muaji të reflektojnë dhe prodhojnë vepra nga fushat e tyre përkatëse. Thirrja e parë për artistë mbi moshën 20-vjeçare, e hapur në fund të javës së parë të prillit, mbyllet (sot) e premte në mesnatë.

Rezidenca është duke u organizuar në kuadër të programit “Reconnection 2.0”, që implementohet nga “Qendra Multimedia” në Prishtinë dhe “Heartefact Fund” në Beograd. Programi trevjeçar, sipas përshkrimit në ueb-faqe, do të përpiqet të ndërtojë bashkëpunim dhe shkëmbim kulturor midis dy shteteve. Përgjatë tre vjetëve të implementimit të projektit “Reconnection 2.0” do të organizohen gjithsej 12 rezidenca artistike njëmujore. E në këtë fazë të thirrjes do të mund të përfitojnë katër artistë, dy nga Kosova e dy nga Serbia.

“Përmes shkëmbimeve në disa fusha teatrore e kulturore, partnerët janë të vendosur të inkurajojnë dialog dhe komunikim më të mirë ndërmjet dy shoqërive. Programi trevjeçar është i kuruar në atë mënyrë që t’u ofrojë audiencave nga të dy shtetet mundësi që për së afërmi të njohin produksionet kulturore me përqendrim në ato teatrore të të dy vendeve”, është shkruar në ueb-faqen e programit “Reconnection 2.0”. Aty tregohet se për çdo vit secili nga partnerët do të organizojë përkthime dramash dhe librash publicistikë, si dhe shkëmbime të produksioneve teatrore, diskutime letrare e teatrore, rezidenca artistësh dhe shumë ngjarje të tjera publike në Prishtinë, Beograd dhe qytete të tjera në Kosovë e Serbi.

Sipas Aurela Kadriut, menaxhere e programit, rezidenca synon të shërbejë si një hapësirë e sigurt për shprehje e shkëmbim mes dy kulturave të të dy vendeve. Ka thënë se numri i artistëve të rinj të cilët janë tepër kreativë dhe inovativë në fushat e tyre është duke u rritur në të dy vendet. Sipas saj, hapësirat që këta artistë të mund të krijojnë e të ekspozojnë artin e tyre, pavarësisht fushës, po shkojnë duke u ngushtuar – sidomos prej vitit të kaluar, me fillimin e pandemisë COVID-19, e cila, sipas Kadriut, ka shpërfaqur dukshëm më shumë sfidën me të cilën ballafaqohen sidomos punëtorët kreativë.

“Pra, po flasim për një mosnjohje e mosvlerësim të punës kreative që është kultivuar si kulturë. Me shpërthimin e pandemisë, kjo ka dalë në pah dukshëm me faktin që të gjitha resurset shtetërore janë përqendruar në rimëkëmbje ekonomike, e cila përkthehet vetëm në ndihmë ndaj bizneseve, ndërsa kulturën në përgjithësi e artistët në veçanti nuk i konsideron fare”, ka thënë ajo.

Sipas saj, rezidenca “Reconnection 2.0” dhe rezidencat e tjera artistike shërbejnë si hapësira për artistë të ndryshëm që në radhë të parë të përqendrohen plotësisht në krijim, pa pasur ngarkesa të tipit objektiv si financat, akomodimi e të tjera, sepse ato mbulohen nëpërmjet rezidencës.

E, në radhë të dytë, rezidenca, sikur u shpreh ajo, ndihmon që artistët të ekspozohen ndaj ambienteve ndryshe nga ato ndaj të cilave ekspozohen zakonisht, si dhe të kenë mundësi që artin e tyre ta shfaqin para audiencave të reja.

Kadriu po ashtu ka theksuar se rezidencat artistike më vete janë njëra hallkë e përpjekjes së gjatë që ka filluar tash e gati dy dekada, për të krijuar hapësira të sigurta për shprehje e shkëmbim midis kulturave të të dy vendeve.

Sipas saj, veçanta e kësaj rezidence në raport me rezidencat e tjera të implementuara nga “Qendra Multimedia”, si “Prishtina nuk ka lumë” që deri tash ka pritur në Kosovë mbi 20 rezidentë në fushën e letërsisë, është se kjo rezidencë nuk është e kufizuar në artin letrar, siç edhe ishte bërë traditë për “Qendrën Multimedia”.

“Pra, ndërkohë që rezidenca ‘Prishtina nuk ka lumë’ dhe ajo e projektit ‘READ’, të cilat u ofrojnë hapësirë artistëve në fushën e letërsisë, rezidenca ‘Reconnection 2.0’ është më e gjerë në fushat që ajo përfshin – pra gati se nuk ka kufizime për artistë që mund të aplikojnë në rezidencë”, ka thënë ajo.

Në të njëjtën kohë ka theksuar se rezidenca “Reconnection 2.0” shërben edhe si një lloj shkëmbimi mes të dy vendeve, duke marrë parasysh që rezidentët priten të jenë në Kosovë, përkatësisht në Serbi në të njëjtën kohë.

“Kjo na ofron njëfarë mundësie për ta matur mënyrën se si janë pritur rezidentët në vendet përkatëse dhe për mundësitë që u janë ofruar për ta vazhduar bashkëpunimin me akterë të ndryshëm të vendeve përkatëse”, ka thënë ajo. Sipas Kadriut, tash e dy dekada, për çdo hap të bërë nga politika në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, kultura i ka bërë dhjetë, edhe atë në mënyrë krejt sporadike, duke u varur nga vullneti i grupeve të ndryshme të aktivistëve, pa ndonjë plan sistematik.

“Çka është e rëndësishme të potencohet është që ne jemi munduar të krijojmë një model të qëndrueshëm të rezidencave, pra do të tentojmë që me artistët rezidentë të bashkëpunojmë në programet tona ekzistuese. Për shembull, në festivalet tona, Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Polip”, në ‘Kosovo Theater Showcase’, apo ndoshta edhe në ndonjë produksion të ri teatror, gjithçka mbetet të shihet varësisht prej fushave nga të cilat do të kemi aplikues”, ka thënë Kadriu.

Artistët pritet të jenë në Kosovë, përkatësisht në Serbi, në mes të muajve qershor dhe dhjetor. Gjatë qëndrimit njëmujor në Kosovë, përkatësisht në Serbi, secili artist pritet të krijojë vepra të reja si dhe të bashkëpunojë afërsisht me stafin e “Qendrës Multimedia” dhe “Heartefact Found”, në programet e tyre ekzistuese.

“Qendra Multimedia” është një organizatë kulturore nga Prishtina, Kosova. Në fokusin e saj kryesor janë teatri bashkëkohor dhe letërsia. Është themeluar në vitin 2002 nga një grup artistësh të rinj, me synim të krijimit të një forme alternative të prodhimit të artit për t’i adresuar çështjet politike dhe shoqërore me qartësi dhe imagjinatë. Prodhon dhe bashkëprodhon shfaqje teatrale dhe organizon aktivitete të tjera kulturore dhe letrare për audiencën vendore dhe ndërkombëtare.

“Heartefact Fund”, i themeluar në vitin 2009, sipas përshkrimit në ueb-faqe, është i përkushtuar për të nxitur një rimendim krijues, kritik dhe të përgjegjshëm të çështjeve dhe fenomeneve artistike, shoqërore dhe politike në zhvillim në nivelet kombëtare, rajonale dhe evropiane. Aty është shkruar se përmes shkrirjes së arteve performuese, industrive krijuese dhe teknologjive digjitale, “Heartefact Fund”, si një institucion kryesor, zhvillon politika dhe praktika që mbështesin një kulturë të përgjegjshme të kujtesës, vlerave demokratike dhe mbi të gjitha respektimit të të drejtave të njeriut, lirisë së fjalës dhe llogaridhënies në sfera publike.