Me një rrëfimtari sipas planit dhe një stil të thjeshtë, Yllka Gashi është e fuqishme si një grua e vejë
Ajvari, si diçka që bëhet lehtë me speca të kuq, njihet për shumë shtëpi ballkanase, është një ushqim i vërtetë për njerëzit. Në dramën e vendosur në Kosovë, “Zgjoi”, vetë akti i të bërit ajvar dhe mbushjes së kavanozave me të bëhet një akt rebelimi për një grua, Fahrijen (Yllka Gashi), që nuk ka tjetër zgjidhje pos të përftojë një shpirt ndërmarrës pas të shoqit, i cili me gjasë është i zhdukur gjatë luftës. Debutimi i skenaristes-regjisore Blerta Basholli mbështetet në një histori të vërtetë, dhe gjersa me siguri ofron një vizion të sertë të një jete të mbizotëruar nga patriarkia në këtë cep të Evropës, rrëfimi i menduar dhe një stil i herëpashershëm i rrafshët vizual çojnë te një inerci dramatike. Megjithatë, Gashi është fuqishëm e hekurt si grua që duhet ta marrë fatin në duart e saj, edhe kur ato janë të lidhura nga shoqëria.
I vendosur në një katund të vogël në Kosovë, i privuar nga shumica e lehtësive të shekullit 21, “Zgjoi” fillon me Fahrijen që fshihet në një kamion përplot me thasë trupash, duke hallakatur mes tyre për të gjetur kufomën e të shoqit. Pas ngjarjeve të marsit të vitit 1999, ne mësojmë në një diçiturë që e mbyll filmin, se fshati përjetoi një plojë që mori jetët e 240 njerëzve, qofshin të vrarë apo të zhdukur. Edhe më shumë mbetën të zhdukur, dhe bashkëshorti i Fahrijes mund të jetë njëri prej tyre.
Por ai nuk po gjendet askund. Tani, me sa duket vejushë në një botë ku gratë nuk mund të shkelin vetë brenda një kafeneje apo edhe të ekzistojnë, Fahrijes i duhet të kujdeset për të birin, vajzën, dhe vjehrrin e sëmurë e të lidhur pas karrocës. Ai është një idhnak që ka ngelur nga bota e vjetër, dhe nuk pranon që ajo ta shesë sharrën e burrit për t’i bërë ca para. Kur bletët më nuk bëjnë mjaltë, Fahrija, një bletërritëse si shumë gra në fshat, merr patentë shoferin dhe mësyn në qytet. Gurët vërshëllejnë në xhamat e makinës së saj, ajo quhet kurvë më shumë se një herë dhe ballafaqohet me një qëndresë konstante. Por Fahrija është e vendosur që ta shesë ajvarin e saj në një dyqan ushqimor, duke iu shmangur thashethemeve dhe sulmit fizik me qëllim që t’ia dalë mbanë.
Qyteza konservatore sjell plot incidente dramatike që zënë vend gjatë këtij filmi të zbërdhulët e të rrafshët (kinematografi Alex Bloom rrallë bën diçka më shumë sesa mbulimin e ngjarjeve, duke i injektuar ato me poetikë të paktë jashtë asaj çka ekziston në kuadër). Ndonjëherë drama është pikëlluese, si në rastin kur një shitës lokal specash të cilit Fahrija i ka borxh, hidhet mbi të. Mbi të gjitha, fyerjet e përsëritura marrin një cilësi mpirëse, gjë që është edhe qëllimi: Fahrija e pranon vendin e saj në shoqëri me vendosmëri të zymtë, vetëm ndonjëherë ia plas vajit në kabinën e dushit. Ajo ka edhe një lidhje të fortë me gra të tjera në qytezë, me të cilat bën ajvar, duke e sjellë edhe të bijën e saj plot vullnet (e bija, në një rast, e quan të ëmën kurvë, duke bërë që të marrë turinjve një shpullë të merituar).
Si një portret i grave që përpiqen ta pohojnë pavarësinë e tyre në një vend që është i bërë kundër tyre, “Zgjoi” – me skemën e tij me ngjyra gri dhe një stil që shëmbëllen botën e lodhur – ka përplot çaste prekëse. Aktorja shqiptare Yllka Gashi bën një performancë joglamuroze si një grua e thyer që mbetet e fortë pavarësisht rrethanave.
Suspensa për fatin e të shoqit kurrë nuk mbaron, që është i vërtetë për realitetin të cilin Basholli do ta vizatojë – jeta është e zhveshur, një fjali e papërfunduar, dhe ata që ti i do mund të përfundojnë pa dinë e nishan. Një sekuencë e vezullimtë ëndrre, në të cilën Fahrija shfaqet të notojë drejt të shoqit, vetëm që unaza të rrëshqasë nga gishti e të zhytet thellë e më thellë, hap filmin me një dromcë të shkurtër të sublimes. Por Fahrija, në atë që tash është një klishe e palosur mirë e filmit, zgjohet drejt nga ëndrra, e tronditur, me gulçime e duke klithur. Janë këto lloj zgjedhjesh regjisoriale që e mbajnë “Zgjoin” nga vërshimi.
Marrë nga “Indiewire”. Përktheu Salih Mehmeti